Indonezia dhe Argjentina dolën në skenë për herë të parë në 2015-n, si destinacionet kryesore nga importohen plehrat organikë. Maqedonia, me të cilën jemi në luftë të hapur tregtare, “zhduket” nga lista e shteteve ku blejmë plehrat joorganikë. Teksa importi i këtyre produkteve u rrit ndjeshëm në 2015-n (me 31%), fermerët ankohen se ndonëse po i përdorin më shumë kimikatet, nuk kanë rezultat. Tregu i përqendruar në pak duar….
Nga Deada Hyka
Sezoni i prodhimeve bujqësore ka nisur dhe Ilir Mile, një fermer në Rrupaj të Lushnjës, sapo e ka spërkatur serën e perimeve. Por ende pa zbardhur dita tjetër, pa u plotësuar as një 24 orë, parazitët janë gjithandej të gjallë, sikur në vend të pesticideve të ishte hedhur ujë. Duke kontrolluar çdo cep të fermës dhe bimët një e nga një fermeri ndihet i shastisur, nuk u beson syve. Paratë dhe mundi kanë shkuar kot. Mendon të konsultohet me disa miq në telefon dhe të gjejë një rrugëzgjidhje të re. Duhet spërkatur prapë këtë javë, tund kokën i shqetësuar, ndryshe më ikin milionat. Koha nuk pret. Fenomeni ishte përsëritur edhe në vitin e kaluar. Të gjithë të njohurit e tij që merren me prodhimet bujqësore në zonën e Lushnjës kanë të njëjtin shqetësim, që u bë i dukshëm sidomos në vitin 2015. Ata ankohen se po shpenzojnë më shumë për të arritur të njëjtin rezultat, pasi detyrohen të përdorin pesticidet disa herë përgjatë një sezoni…
Të dhënat e INSTAT-it konfirmojnë përdorimin më të madh të pesticideve gjatë vitit të kaluar. Sipas statistikave, importet e plehrave organike dhe inorganike kanë shënuar rritje të ndjeshme me 31% gjatë vitit 2015, duke arritur në 3.36 miliardë lekë (shiko grafikun: Importet e plehrave organike e inorganike).
Plehrat organike kanë shënuar hovin më të madh, duke u zgjeruar me 75%, duke zënë 67% të totalit të kësaj kategorie.
Rritja është shoqëruar me një ndryshim të ndjeshëm të gjeografisë së vendeve nga të cilët importojmë. Nga hiçi janë shfaqur dy shtete, Indonezia dhe Argjentina, që janë bërë furnizuesit kryesorë të fermerëve me pesticide (shiko grafikun: Importet e Kimikateve Organike, sipas shteteve). Ekspertët e tregut pohojnë se këto lëvizje shpjegohen me rendjen drejt çmimeve më të favorshme, ndërkohë që përqendrimi i tregut në pak duar mundëson ndryshimin drastik të gjeografisë së importeve brenda një kohe të shkurtër.
Importet e kimikateve organike, sipas shteteve
Edhe për plehrat joorganike, tregu ka ndryshuar tërësisht. Nga Maqedonia, që deri në 2014-n ishte tregu kryesor, me 25% të totalit, importet në 2015-n ishin zero. Vendin e saj e ka zënë Italia, nga ky importuam 27% të totalit të plehrave joorganike në 2015-n.
Shqipëria dhe Maqedonia, në 2015-n e kanë thelluar luftën tregtare, teksa shteti fqinjë ka bllokuar jo në pak raste produktet që vinin nga Shqipëria, me argumentin se kanë përmbajtje të lartë kimikatesh.
Tregu i përqendruar në pak duar
Janë pak kompani që ushtrojnë aktivitet në importin e plehrave organikë dhe joorganikë në një treg që vlerësohet se qarkullon rreth 40 milionë euro në vit, sipas të dhënave nga importet dhe xhirot e kompanive.
Agroblend dhe MBM janë dy aktorët kryesorë në këtë treg, që së bashku zënë gati 80% të tij.
Agroblend është operatori më i madh, me një qarkullim vjetor prej 2.3 miliardë lekësh, në 2014-n (të dhënat e fundit të disponueshme), me një rënie prej gati 12% me bazë vjetore. Kompania ka parë rënie të ndjeshme të fitimeve, nga 215 milionë lekë në 60 milionë lekë, me një normë fitimi prej vetëm 3% në 2014-n (nga 8% vitin e mëparshëm).
MBM është operatori i dytë më i madh, me një xhiro vjetore 1.6 miliardë lekë, me një zgjerim prej gati 13%.
Kompanitë e tjera, të identifikuara, kanë qarkullim më të ulët se 500 milionë lekë.
Kompanitë e kontaktuar nga ‘Monitor’, AgroBlend dhe AgroKoni, tregojnë se ky treg përbën një biznes të mirë për sa kohë bëhet fjalë për produkte që janë të nevojshme për bujqësinë dhe se përvoja e tyre prej më shumë se 5 vjetësh i ka bërë të mos e ndiejnë konkurrencën, ndonëse ka shumë kompani në treg. Nga ana tjetër, drejtuesi i Agroblend tregon se si çdo biznes, ka vështirësitë e veta, sipas tij ka kosto të larta magazinimi.
Ekspertët: Duhet kontrolluar sasia e përdorimit
Teksa individët po shndërrohen gjithnjë e më shumë dyshues për natyrën e produkteve që po konsumojnë, ekspertët e fushës së mbrojtjes së bimëve tregojnë për ‘Monitor’ se përdorimi i plehrave kimikë është i nevojshëm për kultivimin e tyre. Por, “sekreti” qëndron te kontrolli i sasisë së përdorimit të tyre.
Dritan Sadikaj, profesor i Universitetit Bujqësor të Tiranës në Departamentin e Mbrojtjes së Bimëve, tregon se në Shqipëri, importohen agrokimikate nga më cilësoret të prodhuara nga kompanitë më prestigjioze në të gjithë botën.
“Unë nuk mund të përjashtoj rastet abuzive dhe ekzistencën e informalitetit dhe abuzimit, por ky zë është në një përqindje shumë të ulët dhe nuk është aspak influencuese në situata të caktuara”,- thotë z. Sadikaj.
Ai thekson se pesticidet janë të nevojshme për kontrollin e parazitëve (si kërpudha, baktere, insekte, barëra të këqija) të bimëve, të cilët dëmtojnë kulturat bujqësore, duke ulur sasinë dhe cilësinë e prodhimit.
Nga ana tjetër, z. Sadikaj tregon se pesticidet përbëjnë potencial të dëmshëm në shëndetin e njerëzve kur nuk respektohet etiketa për aplikimin e tyre. “Këtu çështja kërkon zgjerim për t’u sqaruar. P.sh. mund të bëhen të dëmshme kur përdoren në sasi më të larta nga sa rekomandohen, kur nuk respektohet periudha kohore nga trajtimi deri në vjelje (pra nuk i jepet kohë lëndës kimike që të “degradohet” nga bima) dhe kur përdoren preparate që nuk janë të posaçëm për kulturën bujqësore, por për të tjera”, – përfundon z. Sadikaj.
Sa i përket potencialit të tregtimit të plehrave kimikë në vendin tonë, z. Sadikaj, njëkohësisht drejtues teknik i kompanisë Agrimatco Albania sh.p.k. tregon se tregu është i një niveli që lejon konkurrencën e kompanive të ndryshme.
Sipas tij, Shqipëria nuk është një treg i madh bujqësor për agrobiznesin, pasi sipërfaqja e vendit dhe ajo bujqësore është e vogël krahasuar me shtetet e tjera.
A ka “luftë” me Maqedoninë edhe për plehrat in/organikë?
Nëntorin e vitit të shkuar, në të gjithë mediat, u përhap lajmi se në pikën doganore të Bllatës, pala maqedonase ka bllokuar eksportin e perimeve shqiptare, me pretendimin e standardeve të cilësisë. Të kontaktuar nga ‘Monitor’, burimet nga Ministria e Bujqësisë pohuan në atë kohë se, eksportuesit shqiptarë i kanë të shoqëruar ngarkesat me certifikatën e cilësisë, por pala maqedonase kërkon të bëjë verifikime shtesë si një shkak “për të sabotuar” perimet shqiptare që po shkojnë me një çmim më të lirë dhe me një cilësi më mirë se prodhimet vendase atje.
Ngjarje të ngjashme pasuan njëra-tjetrën, së bashku me ankesat e fermerëve dhe kompanive shqiptare për të vijuar tregtinë e lirë. Deri në prill të këtij viti, kur ministri Edmond Panariti bëri të ditur se kamionët e bllokuar kanë vijuar lëvizjen sipas itinerarit të tyre, pas bllokadës maqedonase.
Ajo që vihet re nga shifrat e importeve të plehrave kimikë dhe atyre organikë është “shndërrimi” i shtetit tonë fqinj nga vendi me peshën më të madhe të importeve të këtyre produkteve në 2014, në shtetin me peshën zero vitin e shkuar.
Kjo kurbë kaq e theksuar e lëvizjes tregtare, a është ushqyer nga ngjarjet e bllokadave që ndodhën mes dy shteteve? Kompanitë kryesore importuese të këtyre produkteve, ndonëse nuk e pohojnë haptazi një gjë të tillë, tregojnë për ‘Monitor’ se fokusi i tyre në vitin 2015 u drejtua në shtete pa problematika tregtare dhe në shtetet që janë eksportueset më të mëdha botërore të njohura. Kompanitë pohojnë edhe se shtetet që kanë produktet inorganike kryesore janë Rusia dhe Ukraina, por që produktet e tyre mund të merren edhe në Bullgari etj., për një kosto më të ulët importi. E njëjta panoramë vlen edhe për produktet organike të prodhuara në Gjermani dhe Holandë, që mund të merren edhe në tregun grek, duke ndjekur logjikën e kostos më të ulët të importit.
Ministria e Bujqësisë: I kemi nën kontroll pesticidet, në pjesën më të madhe
Rritja normale e kulturave bujqësore dhe pritshmëria e prodhimeve të qëndrueshme, të mira e cilësore të tyre, kërkon që edhe ato sikundër çdo gjë e gjallë, të mbrohet nga parazitët.
Krahas metodave të tjera alternative përdoren edhe kimikate, produkte për mbrojtjen e bimëve (PMB) të cilat duhet të jenë me një përdorim të drejtuar dhe të kontrolluar. Kështu thekson Kristaq Nica, përgjegjës i Sektorit të Mbrojtjes së Bimëve pranë Ministrisë së Bujqësisë.
I kontaktuar nga ‘Monitor’, eksperti tregon se për terrenin e tokave shqiptare, plehrat kimike duhet të përdoren, si nevojë për të forcuar dhe për të rritur bimën, por se duhet kontrolluar sasia e përdorimit të tyre, që të jenë kah rregullave. “Për këtë ekzistojnë 4 institucione: Instituti i Shëndetit Publik; Ministria e Mjedisit; Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë; si dhe Departamenti për Mbrojtjen e Bimëve në UB. Në vendin tonë janë të regjistruara aktualisht 372 PMB. Këto produkte janë të regjistruara, si dhe përdoren edhe në vendet e BE-së”,- tregon eksperti, por duke pohuar se rastet e neglizhencës ekzistojnë. “Është shumë e vështirë që të kontrollohen të gjithë të mbjellat, megjithatë, produktet kimike që hyjnë në Shqipëri janë të kontrolluara dhe të miratuara sipas standardeve europiane”,- vijon z. Nica.
“Në etiketën e çdo PMB-je është e shkruar edhe mënyra e përdorimit të tyre, si dhe rrezikshmëria që mund të shkaktojnë në jetën e njeriut, gjallesave të dobishme, ambientit etj. Në etiketë është e shënuar edhe karenca (periudha e pritshmërisë së përdorimit të prodhimeve bimore për konsum, pas momentit të trajtimit të bimës)”,- thekson z. Nica, duke shtuar se autoritetet janë në kontroll të vazhdueshëm të fermerëve.
Respektimi i rregullave të përcaktuara i bëjnë këto kimikate absolutisht të padëmshme për shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit, thekson eksperti, por që këto rregulla duhen të zbatohen.
Legjislacioni në Europë
Në botë ekzistojnë rregulla strikte për regjistrimin dhe përdorimin e plehrave kimikë në bujqësi, për shkak të efekteve toksike të pesticideve në shëndetin e njeriut dhe në mjedis. Për këtë janë krijuar komunitete dhe institucione që monitorojnë situatën, ndër to edhe norma ndërkombëtare dhe legjislacione për mbetjet e pesticideve nga vendet e treta, si dhe nga organizata të ndryshme të tilla si Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD/OCDE), Organizata Botërore për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO). Këto rregullore juridike dhe norma përfaqësojnë, në shumicën e rasteve, standardet e ndryshme, dhe kështu mund të kanë implikime për tregti, shëndet dhe mjedisin e konsumatorëve.
Mirëpo, kriza rreth shfaqjes së pesticideve në ushqime, të tilla si ato që përfshijnë dioksinë, si dhe gjetja e azotit (një substancë aktive e ndaluar në vitin 1980 për shkak të natyrës së tij kancerogjene) në drithëra dhe mish, apo raste të tjera, kanë ndodhur shpesh në të gjithë historinë e ushqimit. BE ka përcaktuar norma rigoroze mbi sigurinë ushqimore, veterinare dhe mbrojtjen e bimëve. Një kimikat organik ose inorganik i propozuar për t’u përdorur si pesticid testohet mbi efektet në organizmat e gjallë në laboratorët e kontrollit, të cilët duhen të jenë të akredituar në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare për Standardizim (ISO).
Rregullorja më e rëndësishme e BE-së është KE nr. 1107/2009, ku janë përshkruar të gjithë artikujt e lejuar, ndërmjet BE-së dhe shteteve të tjera. Me qëllim mbrojtjen e popullsisë dhe për lehtësimin e tregtisë, administratat e vendeve të ndryshme kontrollojnë, monitorojnë dhe të zbatojnë mirëpërdorimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve.
Për këtë qëllim, një prej sistemeve në vend është vendosja e MRL-së, sipas së cilës për çdo pesticid/produkt kombinim është caktuar një vlerë e caktuar ligjore, shprehur në mg të gjetur nga mbetjet e pesticideve për kg e mallrave. Nga viti 1993, BE-ja ka zbatuar një program për vendosjen e MRL-së.
Një tjetër pikë që marrin në konsideratë organizatat përkatëse është kryerja e analizave të mbetjeve të pesticideve, ku sot ekzistojnë metoda të ndryshme të analizave për këto substanca.
Standardizimi i metodave të marrjes së mostrave dhe analizimit është e nevojshme si një parim themelor i praktikës së mirë laboratorike. Administrata e BE-së ka vendosur rrjetin për të zbuluar, për të informuar dhe për të vepruar me shpejtësi në rast të ndonjë rreziku papranueshme për konsumatorët, e cila njihet si Sistem i Alarmit të Shpejtë për Ushqim dhe Furnizim (RASFF).
Fermerët: Kosto e pesticideve në rritje, cilësia në ulje
Fermerët në zonën më prodhimtare të vendit, Lushnjë, bëjnë me faj cilësinë e dobët të pesticideve për reputacionin e prodhimeve të tyre.
Rasti më i fundit ka qenë sëmundja e kalbëzimit të kastravecit, që i ka bërë të shpërthejnë fermerët kundrejt plehrave dhe pesticideve të kushtueshëm dhe shumë pak produktivë.
Ilir Mile, nga Shoqata e Fermerëve në Rrupaj të Lushnjës pohoi se, se dy vitet e fundit kualiteti i plehrave ka rënë dukshëm dhe është tërësisht e manipuluar. “Thjesht grijnë nitrat dhe ure. I përziejnë bashkë dhe më pas i ngjyrosin”, tha Mile. Për më tepër, çmimi është i lartë dhe pesticidet nuk kanë asnjë lloj efekti. Kryejmë spërkatje më shumë se tre herë në sezon dhe kjo nuk është normale dhe, nga ana tjetër, rezultatet mungojnë, shtoi ai.
Cilësia e plehrave dhe kimikateve që pengojnë sëmundjet është një problem i madh. Këtë vit arriti kulmi, tha Mile, pasi sëmundja ka dëmtuar thuajse tërësisht fazën e parë të prodhimit të kastravecit. “Kisha blerë farën më të mirë dhe kam përvojë 20-vjeçare në kultivimin e perimeve, por me dhimbje duhet të them se kam humbur vetën në pak ditë 100 mijë lekë vetëm nga sëmundja e kastravecit”.
Teksa fermerët lajmërojnë se çmimet e plehrave dhe pesticideve janë rritur dy vitet e fundit me mbi 20% dhe cilësia e tyre ka rënë, në Shqipëri, indeksi i inputeve bujqësore ende nuk matet zyrtarisht ashtu siç maten indeksi i çmimeve të prodhimit dhe indeksi i kostove në ndërtim. Edhe Kosova ka një indeks periodik se si po shkojnë kostot në bujqësi.
Por Ilir Mile, nga Shoqata e Fermerëve në Krutje thotë se askush nuk po mban përgjegjësi për çmimet e larta të plehrave kimike dhe cilësinë tejet të ulët të tyre. Ai tha se fermerët në Itali dhe Greqi i spërkasin të mbjellat e tyre vetëm një herë në fillim të sezonit, por në Shqipëri pa tre herë dhe më shumë, asgjë nuk është e sigurt.
Çmimet e kastravecëve u rritën dy ditët e fundit 45% në pikat e shitjes me pakicë. Tregtarët thanë se rritja është shkak i sëmundjes që ka rënë në fermat e Jugut të vendit. Kastravecët janë kalbur në kulmin e prodhimit duke krijuar humbje të mëdha për fermerët, probleme me kontratat e eksporteve dhe çmimet e larta në tregjet e pakicës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.