Institucionet financiare ndërkombëtare parashikojnë që ekonomia e Ballkanit të ngadalësohet në 2020, në linjë me zhvillimet e Europës Perëndimore e ato globale. Ngecja e perspektivës për integrim në Bashkimin Europian është një tjetër faktor negativ. Konsumi pritet të nxisë rritjen, ndërsa e fortë është gara për tërheqjen e investimeve të huaja
BERZH: perspektiva e anëtarësimit mund të ketë ndikim negativ tek investitorët
Sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), rritja ekonomike në rajonin e Ballkanit Perëndimor pritet të ngadalësohet gjatë 2020-s, kjo edhe si pasojë e ngadalësimit ekonomik të Eurozonës dhe të një këndvështrimi më të dobët global.
Rritja në rajonin e Ballkanit Perëndimor ishte e dobët edhe gjatë gjysmës së parë të 2019 (me 1 pikë përqindje më pak nga 2018), me përjashtim të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, sipas raportit të fundit të Perspektivave Ekonomike Rajonale të BERZH.
Megjithatë, hyrja e Investimeve të Huaja Direkte në rajon ishte e fortë, duke përfituar nga vendndodhja e saj e favorshme gjeografike, fuqia punëtore e kualifikuar dhe kostot e pagave më të ulëta se në Europën Qendrore, citohej në raport. Sipas raportit, në Europën Juglindore, pritet që ritmi i rritjes të ngadalësohet nga 3.3 për qind që ishte gjatë 2019 në 3.0 për qind në vitin 2020, duke lënë pas kështu rritjen prej 3.4 për qind të shënuar në vitin 2018, në përputhje me dobësimin e rritjes së Eurozonës dhe ndryshimeve të tregut global.
Sa i takon ndikimit ekonomik të Brexit, lidhur me pasigurinë që ai mund të shoqërohet, në raport citohet se ndikimi i drejtpërdrejtë i një Brexit “ jo të ashpër” në shumicën e ekonomive të rajonit të BERZH pritet të jetë i kufizuar. Ndërsa efektet indirekte vlerësohen të jenë shumë më të mëdha në rast të një Brexit “të vështirë”, veçanërisht në Europën Juglindore.
Ngadalësimi që po përjeton ky rajon si edhe pasiguritë e fundit në lidhje me perspektivat e pranimit në BE, mund të kenë një ndikim negativ në besimin e investitorëve dhe perspektivën e rritjes.
Sipas raportit, ritmi i rritjes në ekonomitë në zhvillim të BERZH është duke u ngadalësuar në linjë me një perspektivë ekonomike globale më të dobët dhe me presionin nga një rritje më e ngadaltë në Eurozonë dhe Kinë, tensionet tregtare amerikane/ kineze dhe një tkurrje në prodhimin botëror të automobilave. Një ngadalësim në rritjen ekonomike të vendeve të BERZH-it gjatë këtij viti, ka reflektuar gjithashtu edhe dobësinë e vazhdueshme ekonomike të Turqisë dhe një ngadalësim të ekonomisë në Rusi.
Raporti vazhdon të theksojë risqet e ngadalësimit, që lidhen me kombinimin e ngadalësimit ekonomik të Italisë dhe pjesës tjetër të Eurozonës, si edhe shtyrjen e hapjes së bisedimeve të anëtarësimit në BE.
Banka Botërore ul parashikimin e rritjes
Banka Botërore e ndryshoi parashikimin e saj mbi rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor për 2019, nga 3.5 për qind që e kishte gjatë muajit prill në 3.2 për qind.
“Aktiviteti ekonomik po ngadalësohet në Ballkanin Perëndimor, pasi investimet dhe eksportet vazhdojnë të zbehen në gjashtë vendet e këtij rajoni”, tha Banka Botërore pas prezantimit të raportit të saj më të fundit ekonomik “Ballkani Perëndimor”, vjeshtë 2019.
Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor u përshpejtua në 3.9 për qind në 2018 nga 2.6 për qind që ishte në vitin 2017. Banka Botërore vuri në dukje se ndërsa ekonomia rajonale parashikohet të rritet në vitin 2020 dhe 2021, ajo gjithsesi do të vazhdojë të mbetet më poshtë nivelit të arritur në 2018.
Sipas Lazar Sestoviç, Kryekonomistit të Bankës Botërore për Serbinë, vlerësimi për parashikimin e rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor u ul për shkak të situatës së pafavorshme në ekonominë globale. Rreziqet janë të larta dhe sipas tij shteti duhet të marrë parasysh politikën fiskale dhe të krijojë rezerva në mënyrë që të ruajë përfitimet e gjeneruara nga konsolidimi fiskal.
Konsumi vazhdon të jetë nxitësi kryesor i aktivitetit ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor, i orientuar gjithashtu edhe nga shpenzimet më të larta publike dhe rritja dyshifrore në kreditimin e familjeve. Kjo ngre pikëpyetje në lidhje me qëndrueshmërinë e rritjes së nxitur nga konsumi.
Rritja po ngadalësohet pavarësisht rritjes së shpenzimeve publike të nxitura nga të ardhurat ciklike.
Rritja e të ardhurave nuk ka qenë e mjaftueshme për të kompensuar përmirësimin e shpenzimeve korente ku mbizotërojnë pagat publike dhe përfitimet sociale. Si rezultat, deficitet fiskale parashikohet të rriten në vitin 2019 në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës dhe Malit të Zi. Pabarazitë e jashtme gjithashtu filluan të rriten teksa eksportet u ngadalësuan, për shkak të rënies së kërkesës nga partnerët tregtarë të BE-së, si pasojë e rritjes së tensioneve tregtare.
Pabarazitë e konsiderueshme si të brendshme ashtu edhe të jashtme në disa vende të Ballkanit Perëndimor, së bashku me borxhin e lartë publik, e ekspozojnë rajonin ndaj goditjeve të pafavorshme ekonomike. Shpenzimet më të larta publike kanë kompromentuar mundësinë për të krijuar nxitësit e domosdoshëm fiskalë, që do të ndihmonin në reduktimin e rritjes së pasigurive të jashtme.
Përmirësimi i efikasitetit dhe barazisë së shpenzimeve publike dhe forcimi i mobilizimit të të ardhurave mbetet përparësi në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Pagat dhe pensionet në sektorin publik përbëjnë pjesën më të madhe të shpenzimeve publike në rajon. Kontrollet më të forta, zvogëlimi i shpenzimeve tatimore dhe shënjestrimi më i mirë i përfitimeve sociale do të krijonte hapësirën e nevojshme për më shumë investime publike, do të përmirësonte kapitalin dhe do të mundësonte krijimin e nxitësve fiskale për të lehtësuar rreziqet në rritje.
Serbia e qëndrueshme
Ekonomia tregoi shenja rimëkëmbjeje në tremujorin e tretë. Prodhimi industrial u rikuperua falë një rritjeje të lartë në industrinë prodhuese, kryesisht atë të naftës dhe kimikateve, sipas njësisë së inteligjencës, FocusEconomics.
Për më tepër, të dhënat sugjerojnë se shpenzimet familjare ishin të larta: Pagat ishin më të larta gjatë periudhës korrik-gusht, ndërsa shitjet me pakicë u rritën gjatë tremujorit të tretë. Gjatë kësaj periudhe edhe kreditimi i konsumatorit mbeti i fortë si pasojë e kushteve të favorshme të kredisë.
Sa i takon sektorit të jashtëm, rritja e eksportit të mallrave ishte e moderuar gjatë tremujorit të tretë, edhe pse importet më të dobëta duhet të kishin mbështetur tregtinë neto gjatë këtij tremujori. Në frontin fiskal, në mes të muajit nëntor qeveria zbuloi projektbuxhetin e vitit 2020, i cili parashikon një tepricë fiskale më të vogël nga sa ishte rekomanduar nga FMN-ja në programin e reformave të Serbisë. Buxheti planifikon të rrisë pagat dhe pensionet publike, si edhe të rrisë shpenzimet për infrastrukturën rrugore dhe atë hekurudhore.
Ekonomia pritet të vazhdojë me një ritëm mjaft të qëndrueshëm edhe gjatë vitit 2020. Rikuperimi i prodhimit industrial dhe Investimet e Huaja Direkte të forta duhet të mbështesin rritjen, ndërsa besimi i biznesit do të përfitojë nga reformat e mbështetur nga FMN-ja. Për më tepër, një treg pune më i kufizuar dhe rritja e pagave duhet të mbështesin shpenzimet shtëpiake.
Në të kundërt, rritja e eksportit mund të ngadalësohet si pasojë e rënies në Europë dhe tensioneve tregtare me Kosovën. Sipas panelistëve të FocusEconomics, PBB-ja pritet të rritet në 3.2 për qind gjatë 2020, e cila nuk ka ndryshuar aspak nga parashikimi i bërë gjatë një muaji më parë. Ndërsa për vitin 2021, PBB-ja pritet të bjerë në 3.1 për qind.
Parashikimi ekonomik i Maqedonisë
Në tremujorin e tretë, ekonomia e Maqedonisë duket se ka arritur të ruajë të njëjtin ritëm rritjeje të shënuar edhe gjatë dy tremujorëve të mëparshëm, sipas FocusEconomics.
Prodhimi industrial fitoi një vrull të fuqishëm, ndërsa pagat më të larta mund të ndikojnë në rritjen e konsumit privat. Sektori i turizmit shënoi një ritëm më të moderuar rritje, gjatë tremujorit të tretë.
Ndërkohë, në mesin e muajit nëntor, qeveria paraqiti buxhetin e vitit 2020, sipas të cilit shpenzimet do të rriten me 5 për qind, ndërsa pagat dhe pensionet publike do të shënonin një rritje të konsiderueshme. Qeveria parashikon një deficit fiskal më të vogël prej 2.3 për qind të PBB-së në vitin 2020 nga parashikimi i saj prej 2.5 për qind, gjatë vitin 2019, megjithëse buxheti bazohet në një parashikimin optimist të PBB-së prej 3.8% për vitin e ardhshëm. Në të njëjtën kohë, FMN-ja përfundoi një vizitë me Maqedoninë e Veriut dhe vlerësoi përpjekjet e saj në drejtim të zbatimit të reformave, por kërkoi gjithashtu edhe konsolidimin e vazhdueshëm fiskal.
Rritja ekonomike duhet të zgjerohet me një ritëm relativisht të qëndrueshëm gjatë 2020, kjo falë konsumit të qëndrueshëm privat dhe rimëkëmbjes së vazhdueshme të investimeve. Edhe një pozicion fiskal më i qëndrueshëm do të ndikojë gjithashtu në rritjen e mëtejshme.
Sidoqoftë, një BE më e dobët, një situatë politike aspak e qetë përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020 dhe pengesa për anëtarësim në BE janë dobësitë kryesore ndaj perspektivës. Panelistët e FocusEconomics presin që PBB-ja të zgjerohet me3.2 për qind në vitin 2020.
Parashikimi ekonomik i Malit të Zi
Rritja ekonomike mund të humbasë ritmin e arritur në tremujorin e dytë. Prodhimi industrial ra përsëri në shtator për shkak të një rënie të mprehtë të prodhimit, e cila ka të ngjarë të ketë vuajtur nga kërkesa e dobët e huaj nga industria europiane e automjeteve. Furnizimi me energji elektrike dhe gaz shënoi rritje, edhe hyrjet e turistëve vazhduan të zgjerohen me një ritëm të forte edhe gjatë tremujorit të tretë, edhe pse kjo e fundit ishte pak më e moderuar se ajo e shënuar gjatë tremujorit të dytë. Ndërsa rënia e vazhdueshme e papunësisë dhe kushtet e favorshme të kredisë kanë mbështetur konsumin privat gjatë tremujorit të tretë. Ndërkohë, linja e energjisë nënujore që lidh Malin e Zi dhe Italinë zyrtarisht u vu në punë më 15 nëntor, e cila duhet të gjenerojë një prodhim më të mirë të energjisë si gjatë tremujorit të fundit, ashtu edhe në vazhdim.
Rritja ekonomike do të zbehet gjatë 2020, kryesisht për shkak të një ngadalësimi të vazhdueshëm të investimeve dhe shtrëngimit të vazhdueshëm fiskal. Për më tepër, rritja më e dobët globale mund të ndikojë negativisht edhe në Investimet e Huaja Direkte dhe në sektorin e turizmit.
Në anën tjetër, përfundimi i autostradës Bar-Boljare duhet të lehtësojë tregtinë, ndërsa një ngritje në sektorin e energjisë, duke përmirësuar tregun e punës dhe turizmin e fortë, pritet të ndikojnë në rritjen ekonomike. Panelistët e FocusEconomics presin që PBB-ja të zgjerohet në 2.8 për qind.