Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) parashikohet të jetë njësia zbatuese për ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike të projektit të strehimit me vlerë 70 mln dollarë që do të financohet nga fondi i Abu Dhabit për ngritjen e 2 mijë apartamenteve në qarkun e Durrësit.
Projekti i strehimit për ngritjen e apartamenteve vihet në zbatim pas ngjarjes së tërmetit.
Vendimi për caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit , si “njësi zbatuese”, vetëm për ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike dhe kritike, në përputhje edhe me parashikimet e Memorandumit të Mirëkuptimit të lidhur ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Abu Dabit për Zhvillim, në lidhje me projektin e strehimit, miratuar me VKM Nr. 1048, datë 9.12.2020, sipas pikës 1 të këtij vendimi është miratuar nga Komisioni Shtetëror i Rindërtimit, si dhe i është propozuar për miratim Këshillit të Ministrave.
Sipas vendimit të miratuar në dhjetor të 2020, projekti synon të rigjenerojë zona në qarkun e Durrësit dhe zona të tjera që janë prekur nga tërmeti. Projekti përfshin zhvillimin dhe ndërtimin e rreth 2 mijë njësive të banimit nga një zhvillues i pasurive të paluajtshme nga Emiratet e Bashkuara Arabe, nëpër vende të shumta të qarkut të Durrësit, duke përfshirë financimin e mallrave dhe shërbimeve të ndryshme.
Lexo edhe këtu: Rama në Abu Dabi: Sot firmosim marrëveshjen për ndërtimin e 2 mijë apartamenteve në Durrës; Projekti me vlerë 75 mln dollarë
Bazuar në raportin e Vlerësimit të Nevojave Pas Fatkeqësisë së Tërmetit u vlerësua se shuma e nevojshme për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti ishte 1 miliard euro. Në janar u mbajt në Bruksel Konferenca e Donatorëve ku qeveria arriti të sigurojë 1.15 miliardë lekë të shumës së kërkuar.
Por, 74% e tij është borxh me kushte të buta, që nëse do të përdorej përnjëherë do ta rriste borxhin publik me 7 pikë përqindjeje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ekspertët e ekonomisë vlerësuan se përdorimi i kredive për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti do të ndikonte në rritjen e borxhit publik dhe deficitit.
Në total nga konferenca ndërkombëtare e donatorëve, “Së bashku për Shqipërinë” u mblodhën 1,15 miliardë euro fonde për rizhvillimin e zonave të shkatërruara. Nga totali i fondeve të mbledhura, sipas raportit zyrtar të dhënë nga Komisioni Europian reth 296 milionë euro janë donacione, ndërsa huatë arrinin 853 milionë euro.
Nga totali i fondeve 3.4 milionë euro të tjera ishin të ashtuquajtura in-kind (ndihma që jepen direkt në mallra-shtëpi ose shërbime). Huaja përbën 74% të angazhimit total të përfituar, 25.6% janë donacion dhe 0.4% është angazhim në produkte konkrete./D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.