“Vreshtaria në Bullgari po zhduket për shkak të paaftësisë suaj”, shkruhej në pankartat e protestës së vreshtarëve, në mars, në kryeqytetin Sofje.
Ata kishin shpresuar se kabineti do të merrte më pas masa për të rregulluar gjendjen në këtë sektor, të paktën për vitin e ardhshëm bujqësor, por qeveria bëri një vesh të shurdhër ndaj këtyre kërkesave, edhe pse janë bërë deklarata se sektori i verërave është një nga më të rëndësishmit në Bullgari, sepse ndihmon në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të vendit dhe arritjen e synimeve kombëtare.
Pas protestës së pasuksesshme të vreshtarëve në pranverë, si përpara Këshillit të Ministrave dhe Presidencës, tashmë në vjeshtë ata kanë shfaqur pakënaqësitë, të cilat janë rritur për shkak të kushteve të këqija të motit.
“Rrushi është i pakët këtë vit dhe na u desh ta korrnim shpejt për ta ruajtur dhe për t’u siguruar që të kemi pije cilësore, pavarësisht sasive të vogla”, thonë fermerët e këtij sektori. Vreshtarët ishin pjesëmarrësit më pak aktivë në protestën e madhe kombëtare të fermerëve të mbajtur më 18 shtator, por ata thonë se problemet në këtë sektor njihen prej kohësh.
Ata janë lënë pas dore që në vitet para anëtarësimit të Bullgarisë në BE dhe ajo që i trishton më shumë, është se vendi tani merr subvencionet më të ulëta për kultivimin e rrushit, në krahasim me të gjitha vendet e tjera europiane.
“Ne, prodhuesit bullgarë të rrushit dhe verës, nuk trajtohemi sikur punojmë në një shtet anëtar të BE-së dhe nuk trajtohemi si të barabartë me prodhuesit e tjerë europianë” deklaroi Dhoma Bullgare e Verës.
Për më tepër, nuk ka një synim konkret dhe kriter transparent për shpërndarjen e ndihmës për sektorin e verërave.
“Ne nuk mund të marrim pjesë as në programet europiane për investime në teknika dhe teknologji të reja”, thotë për BNR, Marin Kalnev, anëtar i Shoqatës Kombëtare të Vreshtarëve Bullgarë. “Për shumë vite, sektori ka vuajtur nga mungesa e një plani dhe strategjie të përshtatshme zhvillimi”, shpjegon ai në një intervistë me BNR.
“Çdo vit, në vendin tonë shkatërrohen më shumë se 13 mijë hektarë vreshta, duke sjellë për pasojë zhdukjen e mbi 86 mijë hektarëve vreshta, vetëm në 10 vitet e fundit. Në fermën time, unë kujdesem shumë për vreshtat.
Përdor pesticide, plehra kimike, pajisje të blera nga vendet europiane, e megjithatë, prodhimi ynë nuk është konkurrues në treg, sepse në Bullgari, importohen produktet e rrushit dhe verës nga Rumania, Serbia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, të cilat janë vende të treta, e megjithatë, askush nuk e kontrollon këtë lloj importi.
Prandaj, duam që shteti t’i japë përparësi blerjes së verës së prodhuar në Bullgari. Tashmë është bërë e zakonshme që të prodhohet verë bullgare, por me rrush të importuar nga jashtë”;.