Flet Naim Hasa, drejtor i shoqërisë administruese të fondeve të pensionit “SIGAL Life”
Të vendoset një sistem i alternuar me dy komponentë të rëndësishëm, një sistem publik bazë të konsoliduar dhe një sistem privat të zhvilluar do të krijonte premisa, jo vetëm për përmirësimin gradual të situatës financiare të sistemit të pensioneve, por të nxisë individët për të marrë pjesë…
Në opinionin tuaj, cilat janë problemet kryesore të zbatimit të skemës së pensioneve në Shqipëri?
Sigurimi i shtetasve në kohën e pleqërisë është problem i çdo shoqërie. Në përcaktimin e nivelit të tyre ndikojnë dukshëm disa faktorë, si niveli ekonomik, struktura demografike e popullsisë, etj. Shekullin e kaluar, kur struktura e popullsisë ishte shumë e re, pothuajse në të gjithë botën u instalua sistemi i sigurimeve shoqërore “Pay As You Go”, në themel të të cilit qëndrojnë parimet e solidaritetit dhe të vazhdimësisë së brezave, sistem që mbizotëroi mbi 100 vjet dhe që mendohet që përgjithësisht e kreu mirë misionin e tij. Por, shekulli XXI ka shtruar para këtij sistemi sfida të reja. Në kushtet kur ritmet e lindjes po bien dhe jetëgjatësia po zgjatet, popullsia e moshuar po rritet me ritme të larta. Për rrjedhojë, sistemi po përjeton gjithmonë e më shumë probleme financiare, çka e detyron brezin e punësuar të rrisë kontributet e tij për të mbajtur brezin e pensionuar, gjë që po shkon drejt pamundësisë për të plotësuar nevojat e popullsisë së tretë. Kjo situatë ka shtruar nevojën e reformimit të sistemit të pensioneve. Një nga sistemet që po instalohet sot me sukses në të gjithë botën, madje edhe në Maqedoni e Kosovë, është vendosja e Sistemit të Alternuar të Pensioneve, ku siç dihet, sistemi i përgjithshëm i pensioneve do të përbëhet nga më shumë se dy skema (kolona): sistemi shtetëror PAYG i detyruar, ai i detyruar privat, i cili presupozon një ndarje të kontributit në dy pjesë, kontribut shoqëror për skemën shtetërore PAYG dhe kontribut individual për skemën private dhe skema e tretë, sistem privat suplementar vullnetar (kush dëshiron më shumë bëhet pjesëmarrës në këto skema). Aktualisht, skema e pensioneve në Shqipëri ka mbi 554 mijë pensionistë, që përfaqësojnë 19.2% të popullsisë që banon në Shqipëri, tregues ky me prirje të qarta në rritje. Për sistemin e pensioneve, sot shpenzohen mbi 74 miliardë lekë, që përfaqësojnë mbi 85% të shpenzimeve në total për sigurimet shoqërore.
Zhvillimi i sistemit të pensioneve dhe rritja e qëndrueshmërisë financiare të tij është domosdoshmëri që lidhet me tri çështje kryesore që kërkojnë zgjidhje.
Së pari, demotivimi i brezit të ri për të marrë pjesë në skemat e sigurimeve shoqërore me bazë të gjerë, sidomos të solidaritetit, të cilat në kushtet aktuale dhe të perspektivës ofrojnë pensione të ulëta me kontribute të larta.
Së dyti, mosfunksionimi i skemave suplementare të pensioneve, veçanërisht ato profesionale, për një periudhë 12-15-vjeçare në Shqipëri ka ulur në mënyrë të ndjeshme shkallën e zëvendësimit (raportin pension mesatar/pagë mesatare).
Së treti, problemet e papunësisë, të informalitetit dhe veçanërisht të emigracionit (32% e popullsisë aktive) kanë ulur ndjeshëm përqindjen e popullsisë së siguruar në këto 15 vitet e fundit, gjë që krijon shqetësim të madh social për të ardhmen.
Aktualisht qeveria po punon me institucionet ndërkombëtare për rishikimin e skemës së pensioneve, flitet për një model ku përfshihet edhe pensioni social, si e gjykoni vendimin për rishikim?
Pa dyshim, skema aktuale e pensioneve ka problematikën e saj dhe treguesit kryesorë janë përkeqësuar. Kështu: të ardhurat nga kontributet zënë 4.6% të PBB-së, kundrejt 8-10% të vendeve afër nesh; deficiti i skemës së pensioneve shumë i lartë dhe zë 1.5% të PBB-së ose 42% të shpenzimeve për pensionet; shkalla e vartësisë së sistemit (raporti kontribuues/pensionist) shumë kritike 1.2 me 1; shkalla e zëvendësimit (raporti pagë/pension) është 30-35% kundrejt 70% kërkesa ligjore; pensionet minimale zënë 62-65% të numrit të përgjithshëm të pensioneve kundrejt 5-10% që zënë pagat minimale, etj. Aktualisht, sistemi i pensioneve ofron përfitime të ulëta, me kontribute relativisht të larta. Por, le të hedhim një vështrim pak në kohë. Ndërsa në vitin 2005, sistemi i pensioneve në Shqipëri arriti të balancohej (të ardhurat u mbuluan shpenzimet), duke filluar nga viti 2006, deficiti i skemës erdhi duke u rritur dhe në fund të vitit 2013, financimi nga buxheti i shtetit arriti në 42% të totalit të shpenzimeve. Mendojmë se dy kanë qenë shkaqet: proceset demografike, ku numri i personave që dalin në pension pas këtij viti erdhi në rritje (7-8% çdo vit pasi këto grupmosha iu përgjigjen një periudhe ku ritmet e lindjes kanë qenë shumë të larta) dhe numri i hyrjeve në sistem, pra kontribuuesve ka qenë 2-3 herë më i ulët,(pra 2 deri 3% çdo vit). Në këto kushte, shpenzimet janë rritur çdo vit 7-8%, ndërsa të ardhurat 2-3%, duke rritur financimin buxhetor në përmasa të mëdha që ka shkuar deri 42% të totalit të shpenzimeve. Së dyti, politikat jo shumë të mira të ndjekura gjatë 10-vjeçarit të fundit, si: ulja drastike e kontributit të sigurimeve shoqërore në masën 40%, nga 42.5% në 24.5%.
Kjo ulje, jo vetëm nuk justifikoi qëllimin për rritjen e numrit të kontribuuesve që pothuajse qëndron në vend, por rriti subvencionet buxhetore në po atë masë, pra 42%. E dyta, rritja e raportit të pagave që paguhen kontributet nga 1 me 3, në 1 me 5 dhe lënia në vend e raportit të pensioneve 1 me 2 (pension minimal: pension maksimal) shkëputi lidhjen e të kontribuuarit më shumë për të marrë një pension më të madh dhe krijoi evazion “gri” shumë të madh, sidomos për pagat mbi ato mesatare. E treta, mosfunksionimi për një periudhë 15-vjeçare i fondeve të pensioneve private ka ulur ndjeshëm shkallën e zëvendësimit, pra raportin pension page nga 70% në 35%. Kjo situatë e bën urgjente studimin e rishikimin e sistemit të pensioneve në Shqipëri.
Qeveria gjithashtu parashikon nxitjen e skemave alternative, çfarë do të ndodhë me pensionet private?
Aktualisht po punohet për të evidentuar problemet që skema ka dhe në përputhje me rekomandimet që japin organizmat ndërkombëtare, Banka Botërore dhe në kushtet konkrete të vendit tonë po përgatiten edhe skenarët. Paraprakisht evidentohen dy të tillë.
Skenari i parë
Konsolidimi i skemës publike shtetërore aktuale, nëpërmjet reformave parametrike, si:
-Përmirësimi gradual i raportit të pensioneve dhe përafrimi me raportin e pagave, duke lidhur më mirë kontributet e paguara me përfitimet e marra.
– Eliminimi i diferencave të theksuara të pensioneve, duke përmirësuar indeksimin e tyre.
– Përmirësimi i mënyrës së llogaritjes së pensioneve, duke i lidhur më mirë me kontributet që kanë derdhur, duke hequr kufizimet, etj.
– Rishikimi i skemës së pensioneve në fshat, duke ulur gradualisht subvencionet buxhetore.
– Rishikimi i legjislacionit për skemat suplementare të nëpunësve shtetërore.
Skema është mjaft “zemërgjerë” dhe përfitimet e shumëfishta të kontributeve që paguhen. Mendohet që edhe kjo skemë të trajtohet si kolona e tretë, konform parimit të vetëkapitalizimit.
-Rishikimi i transfertave buxhetore për skemën shtetërore të sigurimeve shoqërore.
Pjesëmarrja e buxhetit të shtetit në skemën e sigurimeve shoqërore është e trefishtë, si kontribuues, si financues dhe si subvencionues. Ka ardhur koha që këto kategori shpenzimesh të sistemohen sipas qëllimit që jepen:
– Një pjesë e tyre, siç janë kompensimet e ndryshme që jepen mbi pensionin dhe që kanë karakter të përhershëm, si kompensimi i bukës, energjisë elektrike etj., të përfshihen në pension dhe të konsiderohen të tilla, ashtu siç u veprua për pagat.
– Një pjesë që kanë pasur karakter kalimtar të hiqen, si pagesa kalimtare në disa profesione të paguhen nga qendrat e punës ose dikasteret përkatëse në vartësi të mundësisë së punësimit.
– Një pjesë që iu përkasin ndihmave të sistemohen nëpërmjet buxheteve të bashkive e komunave.
Vendosja dhe vënia në funksionim e sistemeve të alternuara të pensioneve si ai privat. Reformat në sistemin e pensioneve private mendoj se duhet të përqendrohet në inkurajimin e skemave vullnetare suplementare e sapokrijuar e pensioneve. Sipas ligjit, kjo skemë kryen dy funksione:
– Jep pensione shtesë mbi ato që jep sistemi i detyruar shtetëror
– Jep pensione në kushte më të favorshme (para moshe) nga ato që ofron skema bazë.
Sugjerohet që të vendoset skema private e detyruar e pensioneve, (kolona e dytë). Kjo bëhet më imperative duke marrë në konsideratë popullsinë e re që ka Shqipëria, rreth 31 vjeç dhe shkallën e ulët të zëvendësimit (pagë:pension në nivel rreth 35%), ku për momentin një pjesë e kontributit në masën 5%, me pjesëmarrje 50% të punëdhënësit dhe 50% të punëmarrësit mund të kalojë në administrim në këto skema, për kontribuuesit me mosha të reja, ashtu siç është vepruar pothuajse në të gjitha vendet.
Përfundimi i reformave sipas këtij skenari, duke vendosur një sistem të alternuar me dy komponentë të rëndësishëm, një sistem publik bazë të konsoliduar dhe një sistem privat të zhvilluar, do të krijonte premisa, jo vetëm për përmirësimin gradual të situatës financiare të sistemit të pensioneve, por të nxisë individët për të marrë pjesë në këto skema, duke ofruar mundësinë për pensione më të larta kundrejt kontributeve më të larta.
Siç dihet, skema publike në një sistem pensionesh të përbëra ka dy misione:
-T’u garantojë brezit të pensionuar, i cili ka qenë pjesëmarrës vetëm në këtë skemë një nivel të pranueshëm të ardhurash, duke i mbuluar të ardhurat e tyre 100%.
-T’u ofrojë brezit që do të dalë në pension një nivel pensioni bazë që të garantojë në çdo rast minimumin jetik. Ndërsa zgjidhjet, ky brez pjesëmarrës edhe në skemat e tjera private do t’i marrë pikërisht nga skemat alternative.
Skenari i dytë
Është për t’u parë mundësia e vendosjes së një “sistemi universal” të pensioneve në Shqipëri që presupozon një sistem me tri skema (kolona), i zhvilluar në disa vende, si: Zelandë e Re, Australi etj., por edhe në Kosovë:
– Skema e parë: pension social, e cila i afrohet të gjithë personave që kanë mbushur një moshë të caktuar, pavarësisht nga punësimi, e përafërt me minimumin jetik. Kjo skemë financohet nga taksat e përgjithshme.
-Skema e dytë: pension nga skema shtetërore “PYG” mbi bazën e kontributeve të derdhura nga gjithsecili. Kjo skemë financohet nga kontributet (taksa e punës) në masën 21.6%.
– Skema e tretë: pensione private e detyrueshme për brezin e ri dhe vullnetare, për të gjithë që dëshirojnë një pension më të lartë në moshën e tretë.
Argumentimi i këtij skenari bëhet për faktorët e mëposhtëm:
– përqindja e lartë e popullsisë aktive e pasiguruar 30-32%, e lënë jashtë sistemit aktual.
– skema e fshatit nuk ka funksionuar dhe mjaft fermerë janë larg pensionit.
– kemi një brez të pensionuarish 21% e popullsisë pa të ardhme të sigurt për pensionin e tyre.
– skema e solidaritetit mban larg sistemit të pensioneve
Po lidhur me skemat private….
Duhet pranuar që sistemet private të pensioneve paraqiten si një domosdoshmëri e kohës. Siç dihet, skema e solidaritetit (shtetëror) mendohet që e kreu mirë misionin e saj, ato ishin shumë efektive kur kishim një popullsi të re, ku shumë punonin e kontribuonin dhe pak përfitonin (paguaj pak e merr shumë. Në kushtet e plakjes së popullsisë, ku këto raporte kanë ndryshuar, pothuajse në të gjithë botën edhe skema duhet ndryshuar. Për këtë arsye, për vendet e zhvilluara pas viteve 1980 dhe për vendet në zhvillim pas viteve 1995 janë futur si komponentë të një pensioni edhe skemat private. Pra, skemat private diktohen nga nevoja e kalimit gradual nga sistemi i solidaritetit në sistemin e vetëkapitalizimit. Sistemet private të pensioneve i japin zgjidhje shumë problemeve që dikton koha:
– Zgjidhin kontradiktën e brezave, duke e bërë brezin e ri më të interesuar për t’u siguruar e derdhur kontribute.
– Zgjidhin problemet e shtrembërimit të tregut të punës, si në rastin e evazionit të “zi”, ashtu edhe atij “gri”, pasi lidhet shumë mirë masa e kontributit me atë të përfitimit.
– Ofrojnë përfitime me kushte më të favorshme moshe e vjetërsie në punë.
– Ofrojnë përfitime më të larta se skemat e solidaritetit.
-Ka një transparencë e sistem fiskal mjaft favorizues, ku kontributet që derdhen dhe fitimi që realizohet nga investimi i tyre, si ai që paguan punëdhënësi, edhe ai i punëmarrësve, nuk tatohet.
Këto janë edhe arsyet që sot pensionet private po zhvillohen me ritme të larta në të gjithë vendet e botës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.