Në më pak se 100 kilometra nga Tirana ndodhen disa nga zonat më të bukura të vendit – Boga, Razma, Vermoshi, Thethi, Puka, të cilat u bënë “shkas” për të mbledhur drejtues të zonës dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare, me qëllim zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në këtë zonë.
Turi treditor në Veriun e Shqipërisë, që ato ditë ishte i mbuluar nga dëbora, shërbeu për të prezantuar planin afatgjatë të zhvillimit të turizmit në këto zona, por edhe për të dëgjuar dhe shënuar të gjitha propozimet dhe kërkesat e aktorëve lokalë mbi mangësitë dhe vështirësitë që ata kanë.
Ndonëse këto zona janë vlerësuar dhe vizituar nga turistë vendas e të huaj, që çdo vit i vizitojnë ato, vështirësitë që ata hasin janë thuajse “të paimagjinueshme” për një zonë që kërkon të kthehet në një potencial turistik.
“Në Razëm ka ende shumë vështirësi për furnizimin me ujë të pijshëm, sidomos në muajt e verës, kur edhe numri i turistëve është më i lartë. Duhet medoemos ngritja e një rrjeti të furnizimit me ujë”, thotë Vladimir Sterkaj, kryetar i Komunës së Shkrelit, e cila administron zonën e Razmës.
Ndërkohë në Theth, ku çdo vit përllogaritet se e vizitojnë 7-8 mijë turistë të huaj, mungon ende energjia elektrike, për shkak se nevojitet vetëm shtrimi 4 kilometrave linjë energjie.
Nga ana tjetër, në këto zona ka fusha “të gatshme” për të zhvilluar sportin e skive, por nuk është bërë asnjë investim për ngritjen e pistave të skive.
“Vetëm në Kolashin të Malit të Zi përllogaritet se më shumë gjysma e turistëve që shkojnë për të bërë ski janë shqiptarë. Ky është një potencial i mirë për ne. Nëse do të kishim pista skish, ata do të na zgjidhnin ne”, shprehet Sterkaj.
Si mund të zhvillohen
Andrea Nobili, ekspert i programit të PNUD, “Art Gold 2”, i cili administron projektin për turizmin në këto zona veriore, turizmi sportiv është një shans i vërtetë për zhvillimin lokal, duke qenë se ai mundëson përfitim të plotë të pasurisë natyrore dhe plotëson ofertën turistike me një produkt të ri. “Në këtë kontekst, krijimi dhe zhvillimi në territorin e Qarkut të Shkodrës i rrugëve dhe lehtësive sportive (siç mund të përmendim: shtigjet për biçikletë, muret për ngjitje, shtigjet për trekking, qendrat për hedhje me parashutë, rafting, shëtitjet me kalë, peshkim sportiv, vela dhe rrema etj.) do të ndikonte ndjeshëm në identifikimin e Qarkut të Shkodrës, si pika e referimit e kërkuar nga turistët”, thotë Nobili.
Por nga ana tjetër, shqetësim në rritje edhe për administruesit e projektit për turizmin në këto zona veriore, është detajimi i planeve të qarta urbanistike në këto zona, me qëllim shmangien të ndonjë “betonizimi” të mundshëm të tyre.
Sipas ekspertit Andrea Nobili, duhet që Shkodra të paraqitet si një rajon unik në sytë e turizmit ndërkombëtar. “Fakti që agjenci shumëkombëshe e kanë cilësuar Shqipërinë që duhet vizituar në 2011, është një fakt që duhet shfrytëzuar medoemos”.
Edhe për drejtorin e “Cooperacione Italiana”, Aldo Sicignano, tani duhet pasur kujdes, që këto zona të mos shkatërrohen.
“Është shumë e vështirë që të zhbëhet ajo që është bërë. Duhet të kemi kujdes që në këto zona kaq të bukura dhe të paprekura të mos ndodhë ajo që ka ndodhur në pjesë të tjera të vendit, që betonizimi i ka shkatërruar”, tha Sicignano.
Zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm në zonat malore
– Krijimi dhe promovimi i sporteve dimërore dhe resorteve për ski
– Zhvillimi i një produkti rajonal malor në bashkëpunim me operatorët turistikë dhe sektorin privat
– Promovimi i aktiviteteve të ndryshme në zonat malore (ecje, hedhje me parashutë, rafting në lumenj, ecje, xhiro me kalë, ngjitje në male, sporti i peshkimit…) për të shmangur sezonalitetin e kërkesë-ofertës
– Krijimi i parqeve të aventurës
– Organizimi i kampeve verore rinore
– Arsimim dhe trajnim për personelin e turizmit me qëllim rritjen e pjesëmarrjes në zhvillimin e turizmit
– Realizimi dhe fuqizimi i infrastrukturave të nevojshme për menaxhimin e prodhimit agrokultural nga shoqatat dhe ndërmarrjet
– Asistencë ndaj aktorëve të sektorit agro-ushqimor, me synim nxitjen e bashkëpunimeve të ndërmarrjeve
– Nxitje dhe mbështetje për shoqatat e artizanëve
– Zhvillimi i zinxhirit të vlerave për bletarinë, prodhimet e pyllit (kërpudhat, gështenjat), frutat dhe zarzavatet (patatja e Vermoshit, domatja, hudhra), bimëve industriale (soja, pambuku), likereve dhe artizanatit
– Mbështetje për modernizimin e fermave, sistemeve dhe teknikave të prodhimit
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.