Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka ekzekutuar ndihmën financiare për Trepçën, në vlerë prej 1 milion eurosh.
Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, njofton se sot është ekzekutuar ndihma financiare për Trepçën, në vlerë prej 1 milion eurosh.
“Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në mëngjesin e sotëm ka ekzekutuar ndihmën financiare për Trepçën, në vlerë prej 1 milion eurosh. Kjo ndihmë u ekzekutua sot për shkak të teknikaliteteve të bartjes së mjeteve në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit”, ka treguar ai.
Kuçi ka bërë me dije se pjesa prej 100,000.00 eurosh, që e kompleton ndihmën prej 1.1 milionë euro, do të ndahet gjatë javës tjetër.
“Duhet të sqarohet që pjesa prej 100,000.00 eurosh, që e kompleton ndihmën prej 1.1 milionë euro, do të ndahet gjatë javës tjetër për shkak se këto alokime nga buxheti i pakos së rimëkëmbjes ekonomike do të duhet të votohet në Mbledhjen e Qeverisë mbi kriteret dhe motivet e ndihmës për subjektet e caktuara. Pra nuk është vetëm ndihma pre 1 milionë euro, por do t’i bashkohet edhe shuma prej 100,000.00 eurosh”.
Lexo edhe këtë: Në grevë e protesta: Punëtorët e Telekomit dhe Trepçës mbesin pa paga
Ministri i Ekonomisë ka thënë se janë të përkushtuar që të zgjidhin problemet e ndërmarrjeve publike, sidomos në kohën e pandemisë COVID-19.
“Ne jemi të përkushtuar që të zgjidhim problemet e ndërmarrjeve publike, sidomos në kohën e pandemisë COVID-19, pasi kemi ndjeshmërinë e secilës familje të punëtorëve të Trepçës. Duhet të kuptojnë edhe punëtorët që ka procedura për transferim të mjeteve dhe nuk është çështje minutash pasi ekziston një sistem më i ndërlikuar për transferim të mjeteve financiare”.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës në fillim të javës kishte marr vendim që Trepçës t’i ndahen 1.1 milion euro.
Ky vendim është marr pasi minatorët e minierës në Stantërg kishin ndërprerë punën në fillim të këtij muaji për shkak të mosmarrjes së pagave për muajin tetor. Gjithashtu, disa herë punëtorët e kombinatit Trepça kanë pasur vonesa në marrjen e pagave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.