Të gjitha qeveritë, pak kanë bërë për të orientuar ekonominë pas viteve ’90. Në pjesën më të madhe, ajo ka ecur e çorientuar, e diktuar nga kërkesat e momentit dhe modelet që, në pjesën më të madhe, janë sjellë të kopjuara nga jashtë. Individët e kanë gjetur vetë rrugën për të mbijetuar, ose nëpërmjet emigracionit, ose duke hapur biznese të vogla. Bizneset janë përpjekur të mbijetojnë në një ambient ku konkurrenca, në shumë raste, është e pandershme, si nga informaliteti, ashtu dhe nga përqendrimi i pasurisë në një grup të caktuar me ndihmën e padukshme të shtetit.
Dëshmi e këtij zhvillimi spontan sot janë disa tregues unikë në raport me pjesën më të madhe të Europës, si:
-Norma e lartë e vetëpunësimit, në rreth 33% të totalit, ose e dyta në Europë pas Turqisë dhe ndër më të lartat në botë.
-Përqendrimi i lartë i bizneseve në aktivitetin e bareve e restoranteve. Pesha që zënë baret e restorantet ndaj totalit të bizneseve në Shqipëri është 15.4% e totalit, më e larta në Europë, sipas të dhënave të tjera nga Eurostat dhe institutet statistikore të rajonit. Në Bashkimin Europian (me 27 shtete), vetëm 7% e bizneseve janë në sektorin e shërbimit ushqimor dhe të pijeve (bare e restorante). Rekordin në BE e mban Kroacia, me 11.7%.
-Niveli i ulët i sofistikimit (jemi të fundit në Europë për nivelin e konkurrueshmërisë), vlera e ulët e shtuar e eksporteve, e përqendruar në koston e lirë të fuqisë punëtore dhe shitjen e pasurive natyrore, janë tregues të tjerë të modelit të paqëndrueshëm të vendit.
Rezultatet tashmë dihen. Shqipëria vijon të mbetet ndër më të varfrat e Europës dhe rritja ekonomike nuk arrin të sjellë mirëqenie dhe shtim të punësimit, pasi ka ardhur nga faktorë të përkohshëm e rastësorë, të cilët nuk kanë lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm. Rasti më i fundit është treguesi i rritjes ekonomike, që ndonëse në dukje ishte pozitiv (rënie -3.3% e dyta më e ulët në rajon pas Serbisë dhe shumë më pak sesa pritej), erdhi nga ndërtimi e pasuritë e paluajtshme, ndërsa sektorët që realisht ndikojnë punësimin (mirëqenien), si tregtia, shërbimet e transporti, kishin rënie me ritme dyshifrore dhe nga tregu i punës dolën 37 mijë persona (sipas Anketës së Forcave të Punës).
Ndërsa qeveria asnjëherë nuk ka arritur të orientojë ecurinë ekonomike, bizneset, në të kundërt, janë rritur, maturuar dhe tashmë kërkojnë realisht që të kalojnë në një fazë tjetër, atë të një zhvillimi më të qëndrueshëm. Pandemia ua hapi më shumë sytë për modelin që duhet të ndjekin. Përpunimi është hallka që do të rriste vlerën e eksporteve dhe do t’i diversifikonte ato përtej Italisë. Bujqësia, që vitet e fundit po ndryshon dhe vijon të mbetet sektori më me peshë në ekonominë vendase, me gati 19% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ka nevojë që të industrializohet, nëpërmjet investimeve, të cilat do të ulnin kostot për fermerët dhe bujqit, si dhe do të rrisnin fitimet për të gjithë zinxhirin e bizneseve në këtë sektor.
Bizneset e shohin si të domosdoshme nxitjen e investimeve në inovacion në ciklet e prodhimit, si mundësia e vetme për të rritur vlerën e eksporteve të prodhimit. Ata kërkojnë dhe që qeveria të nxisë investimet nëpërmjet reformave në procesin e përpunimit, për të rritur përfitimet në ekonominë e brendshme (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës).
Si gjithmonë, biznesi do ta gjejë vetë rrugën dhe sado me pengesa që të jetë ajo, do të arrijë ta kapërcejë. Ajo që duhet të bëjë qeveria është thjesht ta ndjekë nga pas, duke i hequr barrierat artificiale, të krijojë një ambient të barabartë biznesi për të gjithë dhe të lërë mënjanë favorizimet e palëve të caktuara, që deformojnë konkurrencën.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.