Gjatë këtij viti, për herë të parë do të pilotohet në Durrës sistemi dual gjerman i shkollave profesionale, ku nxënësit mund ta kryejnë praktikën pranë kompanive të biznesit fason. Sipas Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë tashmë është përgatitur programi i parë dy vjeçar i specializimit për teknikë të lartë të tekstilit, që synon gjenerimin e teknikëve të mesëm e të lartë në këtë industri. Gjithashtu, po punohet për ngritjen e një shkolle të dizajnerave për industrinë e këpucëve në vend, ndërsa brenda korrikut 2014 përfundojnë standardet profesionale për operatorë dhe dizenjatorë tekstili.
Pikërisht për këtë qeveria ka ndërmarrë një projektligj i cili bën të mundur kalimin në një institucion të arsimit dhe formimit profesional. Në projektligj kjo është vlerësuar si domosdoshmëri për administrimin më të mirë të kompetencave, optimizimin e burimeve njerëzore dhe financiare e të infrastrukturës, dhe mbi të gjitha për të orientuar ofertat e drejt kërkesave të tregut të punës. Projektligji në parashikon që përgjegjësitë e MMSR do të lidhen me zhvillimin e politikave për reformimin dhe modernizimin e AFP, në përputhje me drejtimet europiane të zhvillimit të AFP, me përcaktimin e kritereve të përgjithshme të funksionimit të institucioneve që ofrojnë arsim dhe formim profesional, etj. Qasja e re që ky projektligj favorizon, krijon të gjitha premisat edhe për zbatimin e sistemit dual në arsimin profesional shqiptar, duke përfshirë në këtë sistem elemente të bashkëpunimit dhe lidhjes më të ngushtë me biznesin etj. Sipas ministrisë administrimi i ofruesve të AFP nga një institucion i vetëm, do të sjellë jo vetëm optimizimin e burimeve njerëzore, financiare dhe të infrastrukturës së tyre, por do të shtyjë drejt konceptit të krijimit të shkollave të hapura për komunitetin, që do të zhvillojnë jo vetëm në arsim, por edhe të kurseve verore dhe afat shkurtër.
Pjesë nga projekt-ligji
Neni 4
Pika 2 e nenit 9 ndryshon si më poshtë:
“Standardet, kriteret dhe procedurat e akreditimit për programet mësimore dhe institucionet e arsimit dhe formimit profesional, miratohen nga MMRS”.
Neni 5
Pika 1 e nenit 10 ndryshon si më poshtë:
“Në shkollat profesionale pranohen të gjithë individët që kanë përfunduar arsimin bazë dhe kanë marrë dëftesën e lirimit. Kriteret e pranimeve dhe procedurat e regjistrimit vendosen me udhëzim të veçantë të Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë”.
Neni 6
Neni 12 ndryshon si vijon:
1. “Hyrja, vijimi dhe transferimi nga një nivel/drejtim i arsimit profesional në një nivel/drejtim tjetër bëhet sipas rregullave të përcaktuara me udhëzim të Ministrit të MMSR.
2. Transferimi nga një nivel/drejtim i arsimit profesional në arsimin e mesëm të lartë ose nga arsimi i mesëm i lartë në arsimin profesional bëhet sipas rregullave të përcaktuara me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministrit të Arsimit dhe Sportit”.
Neni 7
Përmbajtja e paragrafit të parë të nenit 13 ndryshon si vijon:
“Vlerësimi përfundimtar i nxënësve dhe i kursantëve në arsimin dhe formimin profesional publik dhe atë jopublik, të akredituar, bëhet në bazë të provimeve, me pjesëmarrjen edhe të partnerëve socialë për fushat profesionale. Kriteret dhe rregullat e provimeve përcaktohen nga ministritë përkatëse, për provimet e niveleve të arsimit profesional: nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ndërsa për provimet e Maturës Shtetërore përcaktohen me udhëzim të përbashkët: nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.