Ishulli i Qipros përmban në vetvete shumë histori. Ai ka qenë gjithnjë një vend i lakmuar, për arsye të pozitës strategjike që ka ishulli si pozicion gjeografik, si dhe për shkak të pasurive natyrore. Egjiptianët, Fonikasit, Romanët, Luzinjanët, Venecianët, Otomanët dhe Britania e Madhe janë disa nga vendet pushtuese, të cilat kanë lënë gjurmët e tyre dhe kanë ndikuar në kulturën, fenë dhe popullsinë e ishullit.¦.Lakmia e dikurshme tashmë është kthyer në një burim të mirë fitimi për shtetin e vogël të Qipros, që jo më shumë se dy muaj më parë iu bashkua 15-shes së Bashkimit Europian. Dhe nuk është rastësi që nga të 10 anëtaret e reja Qipro ishte vendi me nivelin më të lartë të të ardhurave vjetore për frymë, 15.000 euro (kujtojmë që Shqipëria e ka këtë shifër pak më shumë se 1.500 euro). Republika Turke e Qipros VerioreRepublika Turke e Qipros Veriore (TRNC) ndodhet në detin Mesdhe, 60 km larg nga Turqia. Ka një popullsi prej rreth 210 000 banorë. Topografia, flora dhe fauna kanë një varietet interesant. Kryeqyteti quhet Nikosia (Lefkosha) dhe gjuha zyrtare është turqishtja. Ajo është që prej një shekulli Republikë dhe sistemi i qeverisjes është Demokraci Parlamentare. Ekonomia e vendit bazohet në turizëm dhe edukim. Qipro veriore përdor lirën turke si monedhë kombëtare. Valutat e huaja të përdorura janë dollari amerikan dhe stërlina. Turizmi është i përqendruar gjatë pranverës, verës dhe vjeshtës. Fluksi i turistëve gjatë vitit i kalon të 100 000 njerëzve të ardhur nga vendet europiane si Gjermania, Anglia, Austria, Norvegjia etj. Gjatë muajve të dimrit ishulli frekuentohet në veçanti nga anglezët. Mesatarisht një turist harxhon rreth 300 dollarë amerikan për një javë në një hotel me tre yje. Gjithashtu, në ishull ndodhen pesë universitete, ku studiojnë rreth 40 000 studentë në vit të ardhur nga 32 vende të ndryshme. Ishulli ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane për pothuajse katër shekuj. Pas Luftës së parë Botërore u shndërrua në koloni Britanike. Më 1960 Qipro fitoi pavarësinë dhe shpalli Republikën Qipriote, e cila u themelua nën paktin ndërkombëtar për barazinë politike dhe legjislative të të dyja popullsive ekzistuese, turke dhe greke. Për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet dy vendeve qipriotët turk themeluan Republikën Turke të Qipros së Veriut në nëntor të 1983. Qipro ka një klimë të veçantë, prandaj ofron gjatë gjithë vitit pushime perfekte. Rreshjet janë të përqëndruara në dhjetor dhe janar. Temperatura e detit është mbi 200 C pothuajse gjatë gjithë vitit. Është e njohur për lule të ndryshme, ku nga më të veçantat janë 32 lloje orkidesh. Bregdeti i Qipros Veriore është një nga më të bukurit dhe më të parrezikshmit ndër gjithë bregdetet e Mesdheut. Ujrat kristalore të Mesdheut janë gjithmonë të preferuara për të notuar, shëtitur me barkë dhe praktikuar sporte të shumta ujore, megjithëse të gjitha hotelet dhe fshatrat turistikë kanë pishina moderne. Pjesa më e madhe e hoteleve është e përqendruar në portin antik të Girnes (bregdeti verior i Republikës turke të Qipros), si dhe në Gazimagusa (bregdeti lindor i Republikës turke të Qipros).Bregdeti verior i Qipros është i kufizuar nga malet madhështore Besparmak (pesë gishtërinjtë), të cilëve ua shtojnë magjinë kështjellat mesjetare që ndodhen në to. Mbrapa maleve, në brendësi të vendit, gjenden fusha Mesaoria e mbushur me lule nga më të rrallat, aeroporti Ercan, si dhe kryeqyteti i Republikës turke të Qipros, Lefkosa. Përgjatë bregdetit lindor gjendet qyteti i lashtë i Gazimaguses dhe afër tij gërmadhat antike të Salamisit. Në veri-lindje peizazhi është më i thyer. Fushat e hapura shndërrohen në kullota me pemë ulliri nëpër to, të rrethuara me mure guresh dhe kodra të vogla shkëmbore. Plazhet në këtë zonë janë përzierje e pishinave natyrore të formuara nga deti nëpër shkëmbinj me gjiret e mbuluara plot rërë. Guzhina e Qipros veriore është një pasqyrë e historisë së ishullit dhe përdorimit të produkteve nga deti. Guzhina turke qipriote është një përzierje e veçantë e Lindjes dhe Perëndimit. Mëngjesi përfshin fruta, veçanërisht pjepër të kultivuar në Qipro, bukë të ndryshme vendase me djathë ose reçel, vezë, si dhe salçiçe lokale. Kosi i bërë në kushte shtëpiake shërbehet me mjaltë vendas. Darka përfshin meze që janë rreth 20 pjata të vogla me sallatra të ndryshme, të cilat shërbehen para pjatës kryesore.Qipriotët turq njihen për bujarinë dhe mikpritjen. Kur të gjendeni duke bërë Pazar ose shijuar një vakt, të jeni të sigurtë që do të jeni gjithmonë të mirëpritur. Ardhja në këtë ishull mund të bëhet me avion nëpërmjët dy kompanive që ofrojnë shërbimin e tyre, Turkish airlines dhe Cyprus Turkish Airways ose me tragete, që realizohet nëpërmjet Turqisë nga qytetet Mersin, Tasucu dhe Alanya. Për të hyrë në Republikën Turke të Qipros Veriore nuk duhet vizë, por duhet specifikuar data e hyrjes dhe daljes nga vendi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.