Sipas shkencës, qyteti më i bukur në botë është Chester
Një studim ka zbuluar se qyteti i famshëm për katedralen e tij, i rrethuar me mure, i cili ndodhet në veriperëndim të Anglisë, ka përqindjen më të lartë të ndërtesave që përputhen me “raportin e artë”, konkretisht 83.7 për qind.
Duke iu referuar këtij raporti, studiuesit bënë një renditje të qyteteve më të bukura në botë. Në këtë renditje, Venecia zuri vendin e dytë. Ajo mori 83.3 për qind të “pikëve të bukurisë”.
Në vendin e tretë, ndërkohë, është Londra (me 83 për qind). Vendin e katërt e zë Belfasti (me 82.9 për qind), ndërsa Roma u rendit në vendin e pestë, me 82 për qind.
Pjesa tjetër e 10 qyteteve më të bukura përbëhet nga Barcelona (e gjashta, me 81.9 për qind), Liverpuli (i shtati, me 81 për qind), Durhami (i teti, me 80.5 për qind), Bristoli (i nënti, me 80 për qind) dhe Oksfordi (i dhjeti, me 79.7 për qind).
Qyteti me renditjen më të lartë në SHBA është Nju Jorku, i cili zuri vendin e 17-të me një rezultat prej 77.7 për qind.
Por, çfarë është “raporti i artë”? Ky raport është përdorur prej kohësh si një barometër i bukurisë dhe, numerikisht, është një raport 1:1,618.
Pra, një ndërtesë, në mënyrë që të përputhet me këtë raport, do të duhet të përmbajë forma dhe struktura që lidhen me njëra-tjetrën sipas këtij raporti.
Për arsye që nuk mund të shpjegohen, njerëzit mendojnë se objektet që përputhen me këtë raport zgjerimi janë më të bukurat.
Ky “raport i artë” mund të vihet re në kokën e Sonic the Hedgehog, te lulet, valët dhe madje edhe në galaktika.
Për të bërë renditjen e qyteteve, të realizuar nga Online Mortgage Advisor, studiuesit skanuan Google Street View për fotografitë e qindra rrugëve dhe më shumë se 2,400 ndërtesave në qytetet historike në mbarë botën.
Më pas, ata vendosën në hartë disa pika në cepat e çdo ndërtese, për të llogaritur “proporcionin e distancave më të gjata dhe më të shkurtra të dimensioneve të saj”.
Këto përmasa më tej u krahasuan me raportin e artë (1:1,618), për të identifikuar se sa mirë përputheshin ato me këtë raport.
Katedralja e Shën Palit të Sir Christopher Wren në Londër është ndërtesa më e bukur në botë, sepse përputhet me formulën e “raportit të artë” në masën 72.28 për qind.
Resorti Marina Bay Sands (70,88 për qind) në Singapor, u rendit si ndërtesa e dytë më e bukur në botë, bazuar në analizën e “raportit të artë”, ndërsa Westminster Abbey i Londrës (70,50 për qind) u rendit në vendin e tretë.
Duke komentuar për këtë studim, Online Mortgage Advisor tha: “Shumë artistë gjatë shekujve të fundit kanë përfshirë raportin e artë në punën e tyre, duke besuar se ai është standardi më i mirë i përsosmërisë estetike natyrore.
Duke përdorur raportin e artë për të matur ndërtesat dhe monumentet më të rëndësishme, ne zbuluam se cili qytet në Mbretërinë e Bashkuar dhe në botë ka ndërtesat më të bukura.”
Visitcheshire.com thotë: “Chester ka muret më të plota që mund të ketë një qytet, hipodromin më të vjetër dhe Amfiteatrin Romak më të madh në Britani, plus edhe një katedrale 1,000-vjeçare, ku dallohet shembulli më i mirë i stilit europian mesjetar.
Ky qytet antik ofron një përvojë fanastike.”/ Daily Mail