Pagesat e qirave për muajin prill e maj, të cilat kryeministri Rama deklaroi se do të shtyhen për bizneset e vogla dhe familjarët që iu ëhstë ndalur puna, do të paguhen pas 31 majit.
Kryeministri ka dhënë disa detaje nga akti normativ, ku përfshihen familjarët që kanë një banesë me qira dhe punët janë pezulluar, bizneset e vogla me xhiro deri në 14 milionë lekë në vit, si dhe studentët.
“Të gjithë qiramarrësit individë, që kanë kontratë për banesë, përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë dhe që kanë një kontratë pune dhe e kanë pezulluar apo zgjidhur si pasojë e gjendjes së shkaktuar nga COVID -19, nuk do ta paguajnë qeranë për 2 muaj, Prill dhe Maj.
Po kështu, të gjithë sipërmarrësit, persona fizikë apo juridikë me të ardhura deri në 14 milionë në vit, që kanë kontrata noteriale qeraje përpara epidemisë, nuk do ta paguajnë detyrimin Prill dhe Maj. Dhe më pas, detyrimi i parapambetur i këtyre dy muajve do të paguhet nga qeramrrësi në mënyrë proporcionale pas 31 Majit 2020, për të shlyer detyrimin deri në fund të kontratës.
Të gjithë qiramarrësit që kanë probleme do t’i drejtohen drejtorisë së tatimeve dhe qeradhënesi do të ndëshkohet me një gjobë deri në 5 -fish të vlerës së qerasë përkatëse”, deklaroi kryeministri në Opinion.
Për ata individë që të ardhurat nga qiraja I kanë një mënyrë jetese, dot të ketë një trajtim ndryshe, shtoi ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.