Mrizi i Zanave, një model biznesi i bazuar në agroturizëm, tashmë është një emër i njohur për shumicën e shqiptarëve, për gatimet e shijshme bio, servirjen dhe kombinimet e veçanta të produkteve të zonës dhe pamjet joshëse të natyrës së fshatit.
Por më shumë se sa për luksin që kanë sjellë në kulinarinë tradicionale të zonës, djemtë e Mrizit kanë injektuar një model biznesi fizibël, duke krijuar ekonominë e shkallës, e cila ka maksimizuar fitimet dhe ka rigjallëruar zonën përreth, duke sjellë në dimensione krejt të tjera bujqësinë dhe shërbimet në një zonë të zakonshme fshati dhe duke ofruar mundësi punësimi për banorët e zonës.
Në përpjekje për t’i shtuar ciklit të biznesit një baxho, thertore dhe një impiant të përpunimit të reçelrave, administratorët janë refuzuar nga subvencionet nga fondet daneze që menaxhohen në Rajonin e Shkodrës nga GIZ dhe AZHBR (Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural).
Altin Prenga, administratori i Mrizit të Zanave, më shumë se sa i revoltuar, ndihet i fyer nga përgjigjja negative. Ai posedon një kulturë perëndimore nga të jetuarit jashtë vendit dhe njeh mirë rregullat dhe caqet e shtetit.
“Para se të aplikoja për projektin rreth 10 milionë lekë, 50% e të cilave do të vetëfinancoheshin, pyeta për të gjitha kushtet dhe kriteret. Për të qenë sa më korrekt, punësova një konsulent dhe shpenzimet për përgatitjen e dokumentacionit më kushtuan 200 mijë lekë. Pasi gjithçka qe gati me dokumentacionin, përgjigjja për fondin nuk po vinte dhe më pas mora refuzimin”, – tha zoti Prenga, i kontaktuar nga “Monitor”. Argumenti që i kishin dhënë lidhej me faktin se nuk duhet ta kishte bërë aplikimin në Shkodër, por në Lezhë, ndonëse ai kishte pyetur që në fillim për procedurat dhe kishte shpenzuar mjaft kohë, duke u marrë me dokumentacionin.
Ai tha se është e dyta herë që refuzohet të ndihmohet me subvencione. Më herët kishte kërkuar nga AZHBR financime për sistemin ujitës të vreshtës që është ngjitur me Mrizin, por aplikimi u refuzua, teksa para pak ditësh ka marrë refuzimin e dytë.
“Shpeshherë në konferenca apo takime me tematika të zhvillimit rural, nga projekte të vendeve të Bashkimit Europian është lakuar emri ynë, herë si shembull, duke lënë të kuptojmë sikur të ishim partnerë ose përfitues të atyre miliona eurove që janë derdhur në Shqipëri. Nuk është aspak e vërtetë! Mirënjohja u shkon vetëm klientëve tanë, falë tyre ne do të vazhdojmë ëndrrën tonë bujqësore”, – thotë Prenga.
Planet janë mbresëlënëse. Në Fishtë, jo shumë larg Mrizit janë godinat që më parë në kohën e komunizmit kanë shërbyer për ish të burgosurit politikë. Planet janë për ta shndërruar në baxho ku do të grumbullohet bulmeti i zonës dhe më pas të ofrohet për konsum në mënyrë të standardizuar. Një nga godinat do të jetë thertore, ku kafshët që do të përpunohen për llogari të Mrizit të kenë një ambient të rregullt dhe më shumë siguri për konsumatorët. Gjithashtu një manifakturë e vogël është parashikuar të ngrihet për të përpunuar frutat e zonës në reçelra.
Prenga thotë se para së gjithash është planifikuar ngritja e një ambienti të posaçëm për fermerët e zonës ku ata të marrin trajnim për kulturat që duhet të mbjellin dhe përdorimin e pesticideve. “Gjithashtu në planet tona të afërta është ngritja e një laboratori për analizat bio”, – thotë Prenga.
Kohët e fundit, agjencitë turistike e kanë përfshirë Mrizin si pjesë të itinerareve dhe ky lloj shërbimi po ecën shumë mirë. Është mjaft interesante, që ish-burgu i diktaturës që po kthehet në minifabrika veç të tjerash do të jetë një destinacion interesant edhe për turistët.
—————–
Modeli të orientohet nga agroturizmi
Rexhep Uka është një nga profesorët e pakët në vend, i cili e njeh bujqësinë në nivel shkencor, por që edhe drejton një biznes që lidhet me fushën. Sipas tij, zhvillimi i sektorit duhet të anojë nga bujqësia, nga kultivimi i frutave dhe perimeve. Zoti Uka këshillon që bujqësia shqiptare duhet të synojë të ecë në raport me zhvillimet e kërkesës. Kërkesa, sipas tij, gjithnjë e më shumë po orientohet nga turizmi, ndaj prodhimet duhet të ndjekin këtë tendencë. Turistët në Shqipëri parapëlqejnë të hanë një produkt bujqësor që nuk e kanë provuar më parë. Ndaj bujqit shqiptarë, gjithnjë e më shumë duhet të prodhojnë produktet autoktone shqiptare, të cilat për fat ende nuk e kanë humbur origjinalitetin. Duke ofruar prodhime autoktone, turistët do të ndihen më të tërhequr nga Shqipëria e për rrjedhojë, bujqësia do të përfitojnë shumë. Uka e propozon këtë model pas një përvoje vetjake. Ish-ministri i Bujqësisë, pas një përvoje të gjatë në politikat bujqësore dhe në mësimdhënie, tani është administrator i një ferme që furnizon me prodhime një restorant, “Uka Farm” i cili për shkak të ushqimit të freskët direkt nga ferma, u bë shumë shpejt i famshëm. Në vetëm pak vite, biznesi i tij i argotizmit është kthyer në destinacionin e fundjavës për shumë kryeqytetas. Ferma dhe prodhimet e saj kanë qenë arsyeja se pse restoranti tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë.
Agroturizmi vitet e fundit po rezulton një model i suksesshëm që po funksionon më së miri. Njësi të tilla në të gjithë vendin janë shndërruar në një treg të garantuar për fermerët, duke siguruar blerjen e të gjitha prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. Kështu profesori i bujqësisë, Rexhep Uka, thotë se fermerët më shumë se orientimi drejt produkteve të panjohura, por që joshin me fitime, duhet të drejtohen nga kërkesa që paraqet sektori i turizmit.
Mrizi i Zanave është model suksesi në agroturizëm, pasi investitorët gërshetuan përvojën dhe vendin e investimit.
Fermat bio që kultivojnë prodhime të ndryshme bujqësore tashmë kanë zhvilluar restorante dhe krah tyre, edhe linjat e shitjes së produkteve të tyre, duke shënuar një trend të ri të zhvillimit të bujqësisë ku harmonizohen turizmi, tradita dhe prodhimi bio. Ferma e tjera si Sotira Farm, Toskana etj., kanë kombinuar prodhimet bio me restorantet, duke krijuar modele të suksesshme biznesi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.