Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale bëri me dje se nga 1 janari 2018-1 shtator 2018 rezulton të jenë bërë të paktën 870 aplikime nga ana e subjekteve tregtare që kanë aktivitet në vendin tonë si dhe nga kompanitë e vendeve të huaja. Shifra e regjistruar për vitin aktual është më e lartë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë kur u regjistruan 753 aplikime. DPPI konfirmon se që nga viti 2016 statistikat tregojnë që numri i këtyre aplikimeve në fund të vitit ka tejkaluar nivelin mbi 1000 marka duke shënuar rekorde krahasuar me vitet e mëparshme.
“Këto shifra janë tregues i rritjes së nivelit të ndërgjegjësimit të biznesit vendas për përfitimet e mbrojtjes së markave tregtare, si dhe të interesit të kompanive të huaja për tregun shqiptar. Mbrojtja e markave në territorin shqiptar ka efekt të drejtpërdrejte në krijimin e një tregu të bazuar në konkurrencën e ndershme.
Promovimi dhe ndërgjegjësimi i publikut për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale është një nga funksionet e rëndësishme të DPPI. Me iniciativën dhe përfshirjen e DPPI janë zhvilluar aktivitete të shumta promovuese si konferenca, seminare, takime nga afër me biznesin, leksione në universitete dhe shkolla të mesme përfshirë edhe zhvillimin e konkurseve me të rinjtë.
Kontributi i DPPI në mbrojtjen e pronësisë industriale bazohet edhe në rritjen e cilësisë së shërbimit, duke dhënë informacion profesional dhe duke asistuar aplikantët. DPPI ka përshpejtuar procedurat e regjistrimit, si dhe ka zbatuar reformën e deregulimit e cila redukton numrin e dokumenteve të tepërta që duhet të paraqesin aplikantët. Po ashtu edhe bashkëpunimi ndërmjet DPPI dhe institucioneve të tjera të përfshira në fushën e pronësisë industriale si dhe në grupin e punës së “Strategjisë Kombëtare për Pronësinë Intelektuale 2016-2020” ka qenë i frytshëm” vlerëson DPPI.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.