Sondazhi me ndikim i menaxherëve të blerjeve, tregon për një rënie të mprehtë të aktivitetit në sektorin e prodhimit të rajonit
Rënia e Eurozonës u thellua në fillim të tremujorit të tretë, sipas një sondazhi biznesi, që tregoi se ekonomia e rajonit po tkurret.
Indeksi i përbërë i menaxherëve të blerjeve të Eurozonës HCOB (PMI), një masë e aktivitetit në kompanitë në të gjithë bllokun 20-vendesh, ra në nivelin më të ulët në tetë muaj, pas një ngadalësimi më të madh se sa pritej në shërbime dhe një rënie më të madhe të prodhimit në korrik.
Rezultati pritet t’i shtohet thirrjeve, që Banka Qendrore Europiane të ndalojë rritjen e normave të interesit pas një rritjeje çerek pikë përqindjeje të normës, që pritet të enjten.
Euro ra me 0.4 për qind kundrejt dollarit amerikan, në 1.108 dollarë, ndërsa yield-i i obligacioneve dyvjeçare të Gjermanisë, ra me 0.05 pikë përqindjeje në 3.16 për qind.
Duke rënë në 48.9, nga 49.9 në muajin e kaluar, indeksi PMI, ra më tej nën pikën 50, që ndan tkurrjen nga zgjerimi dhe ngriti frikën për një recesion të mundshëm në ekonominë e Eurozonës pas dy tremujorësh tkurrje të butë.
Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar gjithashtu po ngadalësohet ndjeshëm, sipas një sondazhi të veçantë të PMI, që tregoi se indeksi i aktivitetit të biznesit britanik ra në nivelin më të ulët në shtatë muaj, prej 50.7, nga 52.8 në qershor.
Leximi i shpejtë i PMI i Eurozonës, ishte shumë nën parashikimin 49.7 nga ekonomistët, në një sondazh të Reuters.
“Ekonomia e Eurozonës ka të ngjarë të lëvizë më tej në territorin e tkurrjes në muajt në vijim, pasi sektori i shërbimeve vazhdon të humbasë,” tha Cyrus de la Rubia, kryeekonomist në Hamburg Commercial Bank, duke shtuar se kishte “një probabilitet të shtuar”, që ekonomia gjermane të bie në recesion në gjysmën e dytë të këtij viti.
Sektori i shërbimeve mbeti në territorin e rritjes, pavarësisht nga një rënie në leximin e PMI-së në nivelin më të ulët gjashtëmujor prej 51.1. Rënia në sektorin e prodhimit u thellua më tej, pasi leximi i tij ra në nivelin më të ulët në 38 muaj, prej 42.7.
Dobësimi i kërkesës shkaktoi rënien më të madhe të porosive prodhuese që nga viti 2009, ndërkohë që sektori i shërbimeve pësoi rënien e parë të porosive për shtatë muaj. Rritja e vendeve të punës vazhdoi, megjithëse me ritmin më të ngadaltë për më shumë se dy vjet.
Ekonomistët mendojnë se rritja e pritshme e normës së kësaj jave nga BQE, mund të shënojë fundin e ciklit të shtrëngimit monetar 12-mujor, nëse ekonomia e eurozonës vazhdon të dobësohet.
Megjithatë, banka qendrore ka thënë javët e fundit se është e shqetësuar se rritja e lartë e pagave dhe rritja e çmimeve të shërbimeve, mund ta mbajnë inflacionin mbi objektivin 2 për qind, për një kohë të gjatë.
Çmimet dukshëm më të ulëta të fabrikave në sektorin e prodhimit të Eurozonës, u kontrastuan me rritjet e qëndrueshme të çmimeve për shërbimet, që reflektonin kompanitë që u kalonin klientëve kosto më të larta të punës. Megjithatë, norma e inflacionit të shërbimeve, ishte më e ulëta që nga tetori 2021.
Claus Vistesen, ekonomist në grupin kërkimor Pantheon Macroeconomics, tha se sondazhi i PMI-së do të ishte i lehtë në rast se BQE-ja do të ndalonte rritjen e normës pas kësaj jave. Por, ai shtoi se një rritje “e keqe” e pagave të tremujorit të dytë, mund ta shtyjë atë të rrisë sërish normat në shtator. / The Financial Times