Udhëtimet në rezortet e skive janë shndërruar së fundmi në një prej destinacioneve më të pëlqyera për një numër të madh njerëzish. Një prej dëshirave kryesore të turistëve, përveç faktit që t’ia kalojnë bukur është edhe mundësia për të kursyer sa më shumë.
Kjo është edhe një prej pikave ku të gjitha ata që janë të pasionuar pas këtyre pushimeve dimërore duhet të tregohen të kujdesshëm, sepse fillimisht ofertat e tyre mund të duket të ulëta por deri në ditën e fundit të përfundimit të tyre, ato mund t’ju kenë shkuar sa katërfishi i ofertës së parë.
- Rezervoni një shtëpi të vogël sesa një dhomë hoteli në rezort
Qëndrimi në një shtëpi të vogël me qira do t‘ju rezultojë shumë herë më i lirë sesa qëndrimi në hotelin e një rezorti skish. Këtu ju mund të gatuani vetë për të gjitha vaktet dhe të mos paguani ekstra për çdo vakt që do të konsumoni në hotel. I gjithë territori përpara shtëpisë që keni marrë me qira është juaji dhe mund ta shfrytëzoni duke luajtur me familjarët tuaj, si dhe nuk do të bezdiseni nga zhurmat e turistëve të tjerë që mund të jenë duke pushuar në të njëjtin hotel me ju.
- Zgjidhni opsionin all-inclusive
Edhe pse mund t’ju duket si një zgjidhje e shtrenjtë fillimisht, opsioni all-inclusive do t’ju kënaqë gjatë gjithë udhëtimit, sepse nuk do t’ju duhet të paguani për asgjë.
Ju do të dilni të fituar edhe nga ndryshimet e kursit të këmbimit në monedhën vendase (për vendet që nuk janë pjesë e BE-së) të cilat zakonisht gjatë sezonit të festave e ndryshojnë kursin sipas dëshirës së tyre.
- “Me bukë me vete”
Një nga shpenzimet më të larta për të gjithë ata që pëlqejnë skitë, është pagesa për vaktin e drekës e cila, në restorantet që ndodhen në rezortin e skive, sidomos në zonat malore është shumë e shtrenjtë. Prandaj, përpara se të niseni për të bërë ski, paketojeni dhe merreni me vete drekën tuaj.
- Tregohuni të kujdesshëm me kursin e këmbimit
Mos i këmbeni eurot në monedhën e vendit në aeroport, por as në vendin ku po shkoni. Këshillohet që një gjë të tillë ta bëni përpara se të niseni, në shtetin në të cilin jetoni, kështu do të shpëtoni duke mos marrë kursin më të keq të këmbimit. Bëni kujdes edhe me blerjet me kartën tuaj të kreditit sepse tarifat shtesë që mund t’ju tarifohen mund të jenë shumë të lara, prandaj përpara se të paguani, sigurohuni më parë.
- Mos synoni destinacionet më të njohura
Një prej mënyrave më të mira për të kursyer para është ajo që të mos shkoni kurrë në destinacionet më të njohura, sepse ato gjithmonë do të kenë edhe tarifat më të larta. Tek e fundit bora është e njëjtë kudo, mjafton vetëm që pista e skijimit të jetë e sigurt.
- rezervoni në minutën e fundit
Mos u çudisni, por lëreni prenotimin për minutën e fundit. Shpeshherë ndodh që operatorët turistikë për të mbushur një dhomë që i ka mbetur e parezervuar mund të publikojnë oferta të ulëta, prandaj mund të praktikoni rezervimin në minutën e fundit.
- Mos udhëtoni kurrë në ditët e pushimeve
Kjo nuk është një gjë e re por dihet nga një numër i madh njerëzish, udhëtimet gjatë ditëve të festave kombëtare janë më të shtrenjta në krahasim me ditët normale të vitit (mos u mashtroni nga uljet e shumta që publikohen në rrjete të ndryshme sociale). Nëse doni që pushimet t’i bëni bashkë me fëmijët tuaj, merrni leje në shkollë për ta dhe nisuni. Të jeni të sigurt se do të kurseni shumë.
- Hiqeni guidën nga lista
Këshillohet që paketa turistike që do të zgjidhni të mos e përfshijë guidën, sepse çmimet që guidat ofrojnë në rezortet e skive janë të larta, prandaj nëse nuk e zgjidhni paraprakisht bëni mirë ta hiqni fare nga lista.