Në periudhën janar-qershor 2021, Kosova ka eksportuar mallra në Gjermani me vlerë 24,608,344 euro në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku ka eksportuar 15,677,802 euro.
Sipas Doganës së Kosovës, në periudhën janar-qershor 2021, Kosova ka eksportuar mallra në Gjermani në vlerë 24,608,344 euro në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ku ka eksportuar 15,677,802 euro, me rritje prej 8,930,542 eurosh, ose shprehur në përqindje 57%. Eksportet kryesisht përbëhen nga: plastikë dhe artikuj prej tyre; artikuj prej gizës dhe çelikut dhe mobileritë.
Drejtorja e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani, thotë që Oda në vazhdimësi ka ndihmuar firmat anëtare ta shfrytëzojnë më mirë potencialin e tyre për eksporte në Gjermani, duke dhënë një kontribut në uljen e deficitit të lartë në bilancin tregtar të Kosovës me Gjermaninë.
“Kosova ka potencial të madh për ta shumëfishuar eksportin e saj në Gjermani. Këtë më së miri e ilustrojnë statistikat e fundit të Doganës së Kosovës, sipas së cilit në 6 muajt e parë të vitit 2021, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, vërehet rritje mbresëlënëse prej 57% të eksportit për në Gjermani”, theksoi Hasani, duke iu referuar të dhënave të Doganës së Kosovës.
Ajo thotë se edhe vitin e kaluar, në kohë pandemie pati rritje të eksporteve mbi 42% për në Gjermani, në krahasim me 2019-n. “OEGJK, përmes këshillimit për eksport, trajnimeve dhe aktiviteteve konkrete me asociacionet e saj partnere në Gjermani mbështet në mënyrë të vazhdueshme kompanitë kosovare që kanë synim tregun gjerman”, shpjegoi Hasani.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.