Punësimi ka shënuar rritje në pothuajse të gjithë sektorët kryesorë në tremujorin e dytë, sipas të dhënave të statistikave afatshkurtra të INSTAT. Industria, ndërtimi, shërbimet, tregtia me shumicë, hotelet, informacioni dhe komunikacioni, të gjitha kanë shënuar jo vetëm rritje të punësimit, por edhe të pagave. Në rënie është vetëm transporti.
Industri, energji dhe ujë, efekti nga uji dhe energjia
Gjatë tremujorit të dytë 2015, ndryshimi vjetor i numrit të të punësuarve me pagesë në ndërmarrjet që operojnë në aktivitetin “Industri” (Industri nxjerrëse dhe përpunuese) paraqet 3,4 % rritje krahasuar me tremujorin e dytë 2014.
Gjithashtu pati rritje në aktivitetin “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” me15,2 % dhe në aktivitetin “Energji elektrike, gaz, avull” me 12,2 %.
Ndryshimi tremujor i numrit të të punësuarve me pagesë në ndërmarrjet e aktivitetit “Industri” rezulton 0 %.
Gjatë tremujorit të dytë 2015, ndryshimi vjetor i nivelit të fondit të pagave shënoi një rritje prej 4,2 % në “Industri”, ndryshim i cili vjen kryesisht nga rritja e këtij treguesi në aktivitetin “Industri përpunuese” me 7 %.
Ky tregues u rrit në aktivitetin “Energji elektrike, gaz, avull” me 1,3 % dhe në aktivitetin “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” me 0,4 %.
Ndryshimi tremujor i fondit të pagave shënoi rënie me 2,1 % në aktivitetin “Industri”, rënie e cila vjen kryesisht nga ndikimi i aktivitetit “Industri nxjerrëse” me 7,9 % dhe nga aktiviteti “Energji elektrike, gaz, avull” me 4,3 %.
Gjithashtu, ky tregues shënoi rritje në aktivitetin “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë”, me 4 %.
Ndërtimi, rriten pagat dhe punësimi
Ndryshimi vjetor i indeksit të numrit të të punësuarve me pagesë në aktivitetin “Ndërtim” në tremujorin e dytë 2015 paraqet rritje prej 14,1 % krahasuar me tremujorin e dytë 2014, fondi i pagave, për ndërmarrjet që operojnë në aktivitetin “Ndërtim”, shënoi një rritje prej 20 % gjatë së njëjtës periudhë.
Në aktivitetin “Ndërtim” në tremujorin e dytë 2015 krahasuar me tremujorin e parë 2015 shënuan rritje, Indeksi i numrit të të punësuarve me pagesë me 3,9 % dhe Indeksi i fondi të pagave me 7,8 %.
Shërbime, punësimi shtohet lehtë, më e fortë rritja e pagave
Në tremujorin e dytë 2015, ndryshimi tremujor në ndërmarrjet që operojnë në “Shërbime” paraqet rritje të numrit të të punësuarve me pagesë me 0,6 %, krahasuar me tremujorin e parë 2015. Në këtë rritje kanë ndikuar kryesisht aktivitetet “Informacioni dhe komunikacion” me 5,2 % dhe “Transport dhe Magazinim” me 1,8 %.
Në aktivitetin “Shërbime”, ndryshimi vjetor, në tremujorin e dytë 2015, paraqet një rritje të fondit të pagave me 7,5 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kontribut kryesor në rritjen e këtij treguesi kanë dhënë kryesisht aktivitetet “Tregti me shumicë” me 14,9 % dhe “Informacioni dhe komunikacion” me 16,1 %.
Ndryshimi tremujor i fondit të pagave paraqitet me rritje 1,4 % në tremujorin e dytë 2015 krahasuar me tremujorin e parë 2015, në aktivitetin “Shërbime”. Në këtë rritje kanë ndikuar kryesisht aktivitetet “Tregti me shumicë” me 0,3 % dhe “Informacioni dhe komunikacion” me 2,7 %.
Tregti me pakicë dhe shumicë dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave dhe Tregtia me shumicë
Në tremujorin e dytë 2015, në ndërmarrjet që operojnë në aktivitetin “Tregti me shumicë”, ndryshimi vjetor i indeksit të numrit të të punësuarve me pagesë paraqet rritje 20,3 % krahasuar me tremujorin e dytë 2014.
Ndërsa, ndryshimi tremujor i këtij treguesi paraqet rënie 0,8 % krahasuar me tremujorin e parë 2015.
Në aktivitetin “Tregti me shumicë”, ndryshimi vjetor, në tremujorin e dytë 2015 paraqet një rritje të fondit të pagave me 14,9 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkaq në aktivitetin “Tregti me pakicë dhe shumicë e automjeteve dhe riparimi i automjeteve” rritje me 2 %.
Në ndryshim tremujor, ky tregues paraqet rritje 0,3 % në aktivitetin “Tregti me shumicë”, ndërsa në aktivitetin “Tregti me pakicë dhe shumicë e automjeteve dhe riparimi i automjeteve” ka patur rënie me 0,7 % krahasuar me tremujorin e parë 2015.
Transport dhe magazinim, bien të punësuarit dhe pagat
Ndryshimi vjetor i indeksit të numrit të të punësuarve me pagesë në aktivitetin “Transport dhe magazinim” paraqet rënie me 1,2 % krahasuar me tremujorin e dytë 2014.
Ndërsa, indeksi i numrit të të punësuarve me pagesë në aktivitetin “Transport dhe magazinim”, në ndryshim tremujor, shënoi rritje me 1,8 % krahasuar me tremujorin e parë 2015.
Referuar të njëjtit aktivitet, ndryshimi vjetor i indeksit të fondit të pagave paraqitet rënie 20,9 %.
Krahasuar me tremujorin e parë 2015, indeksi i fondit të pagave paraqitet me rritje 1,7 % në këtë tremujor në aktivitetin “Transport dhe magazinim” .
Hotele
Ndryshimi vjetor i indeksit të numrit të të punësuarve me pagesë në tremujorin e dytë 2015 paraqet rritje 11,7 %, ndërsa në ndryshim tremujor, krahasuar me tremujorin e parë 2015, ky tregues paraqet rritje 8,6 %.
Ndryshimi vjetor i fondit të pagave në ndërmarrjet e aktivitetit “Hotele” paraqet rritje 12,8% krahasuar me tremujorin e dytë 2015, ndërsa në ndryshim tremujor, krahasuar me tremujorin e parë 2015, ky tregues paraqet rritje 8,1 %.
Informacioni dhe Komunikacioni
Indeksi i numrit të të punësuarve me pagesë, në aktivitetin “Informacioni dhe Komunikacioni”, në ndryshim vjetor, paraqitet me rritje 7 % në tremujorin e dytë 2015 krahasuar me tremujorin e dytë 2014.
Ndryshimi tremujor i indeksit të numrit të të punësuarve me pagesë referuar të njejtit aktivitet paraqet rritje 5,2 %.
Fondi i pagave në aktivitetin “Informacioni dhe komunikacioni” paraqitet me rritje 16,1 % në tremujorin dytë 2015 krahasuar me tremujorin e dytë 2014, ndërsa ndryshimi tremujor i indeksit të fondit të pagave paraqet rritje 2,7 % në krahasim me tremujorin e parë 2015.
Aktivitete të Arkitekturës dhe Inxhinierike
Ndryshimi vjetor i indeksit të numrit të të punësuarve me pagesë në aktivitetin “Aktivitete arkitekture dhe inxhinierike” paraqet rënie 0,2 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2014, ndërsa në ndryshim tremujor, referuar të njëjtit aktivitet, indeksi i numrit të të punësuarve me pagesë paraqitet me rritje 1,2 %.
Ndryshimi vjetor i indeksit të fondit të pagave në aktivitetin “Aktivitete arkitekture dhe inxinierike” paraqet rritje 18 % krahasuar me tremujorin e dytë 2014.
Me rënie 1,2 % paraqitet indeksi i fondit të pagave në këtë tremujor, referuar të njëjtit aktivitet, krahasuar me tremujorin e parë 2015.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.