Individët që po i drejtohen tregut të qirasë financiare për blerjen e një automjeti kanë rritur mesataren e kërkesës për financim, duke u orientuar te makinat e luksit. Gjithsesi ky grup ka pasur një kërkesë më të ulët drejt operatorëve të leasing-ut. Balancimin për individët e ka bërë biznesi nga ana tjetër, i cili ka rritur kërkesën për blerjen e mjeteve të punës përmes këtij instrumenti financimi.
Sektori i transportit dhe ai i ndërtimit mbeten udhëheqës të rritjes, por edhe biznesi mikro, ai i shpërndarjes dhe makinat me qira janë aktorë të rëndësishëm që po zënë gjithmonë e më shumë peshë. Totali i të ardhurave të deklaruara nga kompanitë në bilancet e tyre për vitin 2017 u rrit me 12% në raport me vitin paraardhës, duke qarkulluar rreth 7 milionë dollarë
Nertila Maho
Viti 2017 dhe 2018 kanë shfaqur disa tendenca të reja në tregun e qirasë financiare, i cili ka mbajtur një rritje konstante edhe gjatë kësaj periudhe. Operatorët e tregut raportojnë se ka një rënie të theksuar të individëve, por portofoli është kompensuar nga interesi në rritje i biznesit, nga njëra anë, dhe rritja e mesatares së financimit, nga ana tjetër. Kjo do të thotë se të paktën kur vjen puna te financimi i makinave përmes këtij opsioni, tendenca ka qenë drejt mjeteve të shtrenjta të luksit. Një tjetër tendencë që ka kontribuuar pozitivisht në ecurinë e tregut ka qenë ajo e makinave me qira, një biznes në lulëzim, që financon flotat përmes kësaj forme financimi.
Ndërtimi është gjithashtu një sektor që ka “trokitur” në derën e kompanive që operojnë në tregun e qirasë financiare për të blerë mjetet e punës. Gjatë dy viteve të fundit, ndërtimi ka shënuar një “bum”, i mbështetur ky edhe te shifrat zyrtare të lejeve të punës dhe tempin duket se do ta mbajë edhe paketa e investimeve që po jepet së fundmi nga qeveria. Përkundër këtyre zhvillimeve, operatorët e tregut vlerësojnë se potenciali nuk është arritur, konsumatori ka nevojë për edukim në mënyrë që të mos shkojë te kredia për një makinë, kur ka edhe opsione të tjera, po kështu edhe produktet mbeten statike dhe kanë nevojë për një përshtatje më të mirë me segmente të caktuara.
Krejt papritur për tregun e qirasë financiare duket se ka edhe një sinjal për një rritje më të shpejtë në 2019. Një vendim i qeverisë që ndal importin e makinave më të vjetra se 10 vjet pritet që të rrisë interesin e qytetarëve për t’u orientuar në mjete të reja. Nëse kjo do të ketë efekt, mbetet për t’u parë por operatorët parashikojnë të paktën 10% zgjerim të tregut, si rrjedhojë e këtij vendimi.
Tregu i qirasë financiare u duk se për një moment e mbylli ciklin e ndryshimeve të udhëhequra kryesisht nga përthithja e kompanive të vogla nga mëmat. Por në vitin 2017, këtij tregu i është shtuar një operator i ri. Banka e Shqipërisë, në Raportin e Mbikëqyrjes të vitit të kaluar, nënvizon se mes tre institucioneve financiare jobankare të licencuara është edhe një në tregun e qirasë financiare. Bëhet fjalë për Mogo Albania sh.a, një kompani që sipas ekstraktit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, rezulton të jetë themeluar në 3 shkurt 2017 dhe është regjistruar më 28 mars të po këtij viti.
Kompania ka një kapital prej 50 milionë lekësh dhe aksioner i 100% të kuotave është Mogo Finance. Kjo e fundit, referuar profilit të biznesit në Bloomberg, është një kompani që ofron mundësinë e financimit të makinave. Kompania është krijuar në vitin 2012 dhe e ka bazën në Riga të Letonisë me zyra të tjera në vendet Baltike, Gjeorgji, Armeni, Poloni, Rumani, Bullgari, Moldavi, Shqipëri dhe Bjellorusi. Për vitin e kaluar, kompania nuk ka depozituar bilanc në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Por ndryshime në tregun e qirasë financiare ka pasur edhe gjatë këtij viti të paktën në aspektin e shitblerjeve. Në prill 2018, FIN-AL, një institucion financiar jobankar me fokus kredidhënien dhe qiranë financiare, njoftoi shitjen tek IUTECREDIT. Në një argumentim të bërë pranë Autoritetit të Konkurrencës lidhur me këtë shitblerje, argumentohej se IUTECREDIT synonte diversifikimin e portofolit të saj në fushën e kredive konsumatore dhe qirasë financiare, si rritjen e numrit të operatorëve ekonomikë, me të cilët ekzistojnë marrëveshje bashkëpunimi për financimin e blerjes së produkteve nëpërmjet kredive.
Final sh.a., u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit në 11 janar 2008, duke pasur në objekt qiradhënien financiare, kredidhënien, si dhe aktivitet në fushën e pasurive të paluajtshme, por jo vetëm. Gjatë viteve ka pasur disa ndryshime në emrat e aksionerëve apo peshën që kishte secili në aksione brenda shoqërisë, por në momentin e shitjes, kapitali i saj ishte 100 milionë lekë dhe aksionerë ishin: grupi Balfin 38.14% të aksioneve, RIVER STYXX CAPITAL 38.11%, Adrian Koni 10.88%, Ali Vishaj 7.6% dhe Majlinda Demko 5%. Sipas bilancit të vitit 2016, kompania regjistroi një fitim para taksave në nivelin 14.5 milionë lekë, pothuajse duke e trefishuar atë në raport me 2015. Totali i të ardhurave ishte 61 milionë lekë, ndërkohë që shpenzimet 46.7 milionë lekë.
Kompania blerëse në këtë rast, IUTECREDIT Albania u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 11 gusht 2014 si një shoqëri aksionere, me objekt aktivitet në fushën e operacioneve tregtare dhe financiare të kredidhënies. Kompania zotërohet në 100% të kuotave të saj nga AS IuteCredit Europe, e cila është një kompani me bazë në Estoni dhe që ofron shërbime për kreditimin e konsumatorëve. Kompania është themeluar në Estoni në vitin 2008 dhe operon edhe në Moldavi. Referuar bilancit të vitit 2016, kompania regjistroi një humbje para tatimit prej 5.4 milionë lekësh. Totali i të ardhurave të tjera ishte 107 milionë lekë.
Banka e Shqipërisë raportoi se, deri në fund të vitit 2017 kishte 10 shoqëri të licencuara për shërbimin e qirasë financiare; Raiffeisen Leasing; Landeslease; Credins Leasing; Tranzit (kredidhënie, leasing, faktoring), Fin-Al (kredidhënie, leasing), Porsche Leasing, Albania Leasing, Crimson Finance Fund Albania (CFFA- faktoring, leasing), Tirana Fcactoring & Lease (qira financiare dhe faktoring), Albanian Financial Institution (kredidhënia, faktoring, qira financiare), Mogo Albania. Në fund të vitit të kaluar, portofoli i kredive të dhëna nga subjektet e qirasë financiare regjistroi vlerën 6.56 miliardë lekë, me një rritje prej 7.4% në raport me totalin e portofolit në fund të vitit 2016.
“Në fund të vitit 2017, aktivitetet e subjekteve të kredidhënies dhe qirasë financiare mbeten të orientuara drejt biznesit, përkatësisht me rreth 78.8% dhe 83.9%. Ndërkohë, portofoli faktoring është kryer tërësisht për qëllime biznesi, orientuar drejt sektorëve “të tjerë” (57.20%). Për aktivitetin e qirasë financiare, përveç sektorëve të “tregtisë, riparimit të automjeteve dhe artikujve shtëpiakë” dhe “të tjera”, të cilat përbëjnë përkatësisht 17.3% dhe 16.8% të aktivitetit, sektori tjetër më i financuar është “pasuritë e patundshme, dhënia me qira etj.”, i cili zë rreth 16.4% të këtij aktiviteti”, vlerëson Banka e Shqipërisë në raportin e mbikëqyrjes.
Lidhur me objektin e financimeve, portofoli i qirasë financiare, sipas të dhënave të vitit të kaluar, dominohet nga financimet për mjete transporti personale (55.1%) dhe mjete transporti pune (26.1%). Rritja me rreth 453.66 milionë lekë në këtë portofol gjatë vitit të kaluar është ndikuar nga “mjete transporti personale dhe pune”.
Vitin e kaluar, tregu i qirasë financiare qarkulloi rreth 7 milionë dollarë të shpërndara në të paktën 8 kompani. Në fakt, kjo vlerë është dukshëm më e lartë pasi Credins Leasing nuk ka një bilanc të ndarë dhe raportohet nën kompaninë mëmë Banka Crendins, nga e cila është përthithur.0
Operatori më i ri i tregut, Mogo Albania, nuk ka të depozituar një bilanc për vitin e kaluar, ashtu sikundër edhe Tranzit. Nga 11 operatorë, “Monitor” përpunoi bilancet e 8 prej tyre ku rezulton një rritje e përgjithshme me 12% e të ardhurave totale, të cilat regjistruan vlerën 758 milionë lekë, nga 676 milionë një vit më parë. Fitimi para taksave i kompanive ishte 167 milionë lekë, me një rritje të lehtë në raport me një vit më parë, kur raportohej shifra 156 milionë lekë.
Raiffeisen Leasing, kompania me peshën më të madhe në treg, duket se ka humbur terren gjatë vitit 2017, kur të ardhurat e saj ranë me 20% në raport me vitin 2016. Vitin e kaluar, totali i të ardhurave për këtë kompani ishte 249 milionë lekë. Terrenin që ka lënë kjo kompani duket se e kanë zënë operatorët e tjerë të tregut, të cilët raportojnë rritje domethënëse të të ardhurave në 2017-n në raport me vitin paraardhës. Zgjerimi për Landeslease ishte me 23%, me një vlerë portofoli prej 136 milionë lekësh, nga 110 milionë lekë që ishte më herët. FINAL, që tashmë është nën zotërimin e IUTECREDIT, ka rritur me 51% të ardhurat e saj në 2017-n, duke kapur vlerën 83 milionë lekë. Porsche Leasing ka zgjeruar të ardhurat me 21%, me një vlerë mbi 85 milionë lekë.
I njëjti trend në rritje është shfaqur edhe për Crimson Finance Fund apo Albanian Financial Insitution, të cilët nga një aktivitet anemik gjatë vitit 2016, në vitin pasardhës kanë rritur qarkullimin e të ardhurave respektivisht me rreth 4 dhe 10 herë.
Lidhur me fitimin para taksave, shumica e kompanive kanë vijuar të raportojnë humbje, por që për pjesën më të madhe është ngushtuar në krahasim me vitin 2016. Raiffeisen Leasing ka arritur që të sigurojë një 4% më shumë fitim, me një vlerë rreth 94 milionë lekë, ndërsa në 2016, ky fitim ishte 90 milionë lekë. Landeslease pati një fitim para taksave në vlerën 43 milionë lekë, apo 24% më shumë se një vit më parë. Tirana Factoring and Lease rriti vetëm me 1% fitimin para taksave në vitin 2017.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.