Me rritjen e tarifave në universitete, qeveria parashikon të rrisë konsiderueshëm të ardhurat në buxhet nga sistemi i arsimit të lartë. Rritja e tarifave për universitetet publike që nisi qysh vitin që shkoi solli të ardhura në buxhetin e vitit 2014 në rreth 3.5 miliardë lekë,, ndërsa këtë vit të ardhurat pritet të jenë në 3.8 miliardë lekë.
Por qeveria duket se, do të avancojë edhe më tej me tarifat ne sistemin publik, pasi për vitin 2016 është parashikuar të vilen rreth 4.2 miliardë lekë ose 10 për qind më shumë se këtë vit. Në parashikimet e Ministrisë së Financave zëri është parashikuar të vijë në rritje edhe për vitet në vijim.
Të ardhurat nga sistemi i arsimit të lartë këtë vit janë programuar të arrijnë në 9.7 për qind të fondeve që qeveria ka akorduar këtë vit si shpenzime për sektorin e arsimit.
Rritja e tarifave vijoi edhe në këtë vit akademik me 2014 -2015 me 14 deri në 20 %. Studentët që u regjistruan për herë të parë në këtë vit po paguajnë paguajnë 65 000 deri 135 000 lekë për një vit në Masterin e Shkencave, dhe deri 64 000 lekë në vit për studimet e Masterit Profesional.
Rritja e tarifave është diktuar edhe nga mbyllja e universiteteve private këtë vit akademik. Për të përpunuar studentet nga universitetet e mbyllura qeveria rriti tarifat publike për këtë kategori.
Në muajin shkurt 2015 shërbimet arsimore ishin 10% më të shtrenjta se, në shkurt të vitit 2014. Por rritja me terma dy shifrore ka ndodhur prej tetorit 2013, kur qeveria e re që erdhi në pushtet në këtë kohë reformoi kuotat dhe tarifat e studimit në universitet publike.
Sipas INSTAT, çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,15 pikë përqindje në inflacionin e muajit shkurt të këtij viti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.