Sa realisht ka përfituar dhe humbur qeveria nga aplikimi i taksës së sheshtë? Të ardhurat tatimore kanë ardhur në rritje, por kryesisht nga taksat që gjatë këtyre viteve janë rritur
Kur sapo është miratuar projektbuxheti i vitit 2012 janë nxitur ende më shumë debatet mbi taksat dhe të ardhurat që janë vjelë prej tyre.
Në një kohë kur krerët e qeverisë këmbëngulin se nuk do të ndryshojnë mënyrën e taksimit, Partia Socialiste ka bërë tashmë të qartë se, nëse vjen në pushtet, do të heqë taksën e sheshtë dhe të vërë sërish në funksion tatimin progresiv, ku pagat e ulëta do të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat.
Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka deklaruar se aplikimi i taksës së sheshtë është padyshim një nga sukseset e qeverisë dhe nuk parashikohet as edhe një ndryshim në skemë. “Nëse do të riaplikonim skemën e vjetër të vjeljes së të ardhurave nga paga, do të rrezikojmë të kthenim norma të larta të evazionit fiskal”, konfirmon Bode.
Në fakt, të ardhurat zyrtare të Ministrisë së Financave, bazuar në buxhetet që nga viti 2002 deri në 2010-n konfirmojnë se me gjithë aplikimin e taksës së sheshtë (si rrjedhojë e uljes së taksave në disa drejtime) të ardhurat tatimore kanë ardhur duke u rritur.
Që nga viti 2007, kur hyri në fuqi taksa e sheshtë, të ardhurat tatimore janë rritur gradualisht me 1-2 pikë përqindjeje në vit, për të arritur në 26% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2010.
Ky është edhe argumenti më “i fortë” i qeverisë aktuale për taksën e sheshtë, e cila konfirmon se me gjithë uljen e taksave, të ardhurat janë rritur, falë uljes së evazionit dhe nxitjes së ekonomisë.
Por sa është rritur punësimi në vend?
Kreu i Financave ka deklaruar se numri i kontribuuesve në skemën e sigurimeve shoqërore (tregues bazë për ecurinë e punësimit) ka arritur në rreth 430 mijë nga 295 mijë që ka qenë para aplikimit të taksës së sheshtë. Por të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave konfirmojnë se të ardhurat nga sigurimet shoqërore janë rritur me “doza” minimale jo vetëm nga viti 2007 (kur nisi aplikimi i taksës së sheshtë), por gjatë 10-vjeçarit të fundit, me vetëm 0.2-0.5%.
Në vitin 2010 të ardhurat nga sigurimet shoqërore arritën në 4.2% të PBB-së.
Me gjithë unifikimin e tatimit mbi fitimin në 10%, (nga 20% që ishte deri në 2007-n) të ardhurat nga kjo taksë janë arritur të ruhen, duke mos lejuar rënien e ndjeshme të tyre. Në 2010-n, kjo taksë ka vjelë 1.8% të PBB-së nga 2.2% që ishte tre vjet më parë. Tatimfitimi 10% është sot edhe një nga treguesit kryesorë që përdoret nga qeveria në promovimin e biznesit dhe nxitjen e investimeve të huaja në vend. Aktualisht, Shqipëria ka normën më të ulët në rajon të kësaj takse.
Më të favorizuarit kanë qenë bizneset e mëdha, të cilëve u është përgjysmuar taksa mbi fitimin.
“Është e vërtetë se është ulur tatimi mbi fitimin e biznesit të madh ku operojnë vetëm 10 mijë subjekte dhe vendoset tatimi mbi fitimin në të njëjtën masë për 70 mijë biznese të vogla, apo për mbi 150-200 mijë familje shqiptare”, thotë eksperti tatimor, Xhavit Curri.
Qeveria ka vendosur aplikimin e tatimit mbi fitimin mbi bizneset e vogla me volum qarkullimi më të madh se 2 milionë lekë në vit.
Ndëshkohen të varfrit?
Megjithëse në fillimet e aplikimit të taksës së sheshtë, ekspertët argumentuan se qeveria rrezikonte të ulte të ardhurat e saj duke cenuar buxhetin, ecuria e të ardhurave tatimore konfirmon se pritshmëritë negative kanë qenë të gabuara. Të ardhurat në total janë rritur dhe taksat kryesore kanë shënuar gjithashtu rritje.
Rritja e të ardhurave tatimore nuk kanë ardhur nga TVSH-ja, sigurimet shoqërore, etj., por nga ato taksa që janë rritur nga qeveria, kryesisht nga akciza dhe tatimi mbi të ardhurat personale.
Për ekspertët tatimorë, taksa e sheshtë dhe masat e ndërmarra pas saj nga qeveria kanë “dëmtuar” shtresat me të ardhura më të vogla.
Sipas tyre, taksa e sheshtë takson 3-4 herë më shumë pagat e ulëta dhe të mesme të shqiptarëve, që përbëjnë 95% të individëve tatimpagues (të punësuarit në sektorin shtetëror dhe në sektorin privat të ekonomisë). Vetëm nga pagat e ulëta dhe të mesme të shqiptarëve, qeveria mbledh në një vit 10 miliardë lekë më shumë.
Eksperti Curri argumenton se gjatë kësaj periudhe 6-vjeçare është pretenduar me të madhe se janë ulur tatimet dhe taksat dhe se vendi ka nivelin e taksave më të ulëta në botë, por kjo është pak e vërtetë.
“Të dhënat tregojnë se taksat dhe tatimet jo vetëm nuk janë ulur, përkundrazi, janë rritur për pjesën dërrmuese të bizneseve (80-85% të tyre) dhe të të punësuarve në sektorin shtetëror dhe atë privat (90-95% të tyre). Tatimet dhe taksat gjatë këtyre viteve janë ulur nëpërmjet vendosjes së taksës së sheshtë vetëm për 10-15% të bizneseve, të cilët nga 20% tatim mbi fitimin paguajnë 10% taksë të sheshtë”, shton Curri.
Rritje e tatimeve indirekte
Një hap i ndërmarrë nga qeveria është rritja e ndjeshme te tatimet indirekte (tatimet mbi konsumin), pra ato që godasin direkt konsumatorët me të ardhura të ulëta, por që rrit të ardhurat tatimore në buxhetin në qeverisë.
Gjatë këtyre viteve janë rritur ndjeshëm akcizat e një sërë produktesh sidomos të cigareve nga 25 në 70 lekë për paketë, të kafesë etj., si dhe janë bërë të akcizueshme një sërë mallrash të reja si gomat, ambalazhet, fishekzjarrët, bateritë. Llambat inkandeshente, nafta virgin etj., (të cilat më parë nuk akcizoheshin). Të gjitha këto vendime kanë ndikuar që të ardhurat nga akcizat të arrijnë në 3.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 2.8% në vitin 2007.
Grafiku-Ecuria e akcizës
Është vendosur edhe TVSH-ja 10% mbi ilaçet dhe gjithë shërbimet mjekësore, ndërsa më parë nuk ngarkoheshin me TVSH
Sipas Xhavit Currit, nuk duhet të impresionohemi aspak as nga rritja e të ardhurave nga Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, se realisht kjo nuk tregon shtim të bizneseve dhe dinamizëm të ekonomisë, por ka ardhur nga përfshirja e më shumë kompanive të këtë skemë.
Norma standarde e TVSH-së vërtet nuk ka ndryshuar, por politikat për zgjerimin e bazës siç ka qenë ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nga 8 në 5 milionë lekë dhe për profesionet e lira nga 8 në 0 lekë ka rritur shpenzimet e konsumatorit shqiptar. “Kjo ka ndodhur për shërbimet që ofron noteri, avokati, mjeku, dentisti, eksperti, arkitekti, ekonomisti, inxhinieri, laboranti, etj., të cilat tashmë paguhen 20% më shtrenjtë nga publiku. Edhe bizneset e vogla që u futën në TVSH tashmë arkëtojnë nga klientët Tatim mbi Vlerën e tyre të Shtuar, pra një çmim më të lartë të produkteve dhe mallrave. Në këtë grup hyjnë edhe minimarketet, baret, berberët, këpucarët, zejtarët dhe çdo shërbim tjetër për të cilin ka nevojë qytetari”, shpjegon eksperti tatimor Xhavit Curri.
Janë bërë ndryshime në sistemin e taksave të automjeteve që favorizojnë qeverinë me rreth 2.2 miliardë lekë në vit
Janë shfuqizuar:
-Taksa për importimin e automjeteve të përdorura
-Taksa për qarkullimin rrugor të automjeteve
-Taksa regjistrimit,
-Taksa për shitjen e automjeteve me efektin total prej -7.4 miliardë lekësh
Janë vendosur:
-Taksa vjetore e automjeteve të përdorura
-Taksa për gazoilin dhe benzinën dhe taksa e karbonit
me efekt total prej 9.6 miliardë lekësh
BILANCI
-Efekti i uljes së taksave – 11 miliardë lekë
-Efekti i rritjes së taksave + 40.5 miliardë lekë
Po diskutimit aktual të taksës së sheshtë. Përndryshe?
Shqipëria, por dhe vendet e ngjashme me të, janë subjekt të paktën prej dy dekadash i disa lloj vështirësish, veçanërisht për shkak të:
– brishtësisë së strukturave ekonomike dhe nivelit të ulët të konkurrencës;
– paqëndrueshmërisë politike, qeverisjes së keqe dhe dobësisë së sundimit të ligjit;
– menaxhimit të keq të taksave dhe shpërndarjes jo të barabartë të barrës tatimore midis tatimpaguesve;
– dobësisë së administratës tatimore që lidhet me mungesën e logjistikës dhe aftësive profesionale.
Për më tepër, në kontekstin e ndikimit (sadopak qoftë) prej globalizimit, disa faktorë ndërkombëtarë kanë krijuar pengesa mbi efektivitetin e sistemit të taksave kombëtare:
– zbatimi i rregullave për taksat vendore është i vështirë në një ambient me një lëvizshmëri të lartë gjeografike të tatimpaguesve, vëllime të larta të tregtisë dhe flukseve të kapitalit dhe përdorimi i teknologjive të reja për qëllime mashtruese;
– kalimi nga sistemi i të ardhurave fiskale që varej në masë të madhe nga të ardhurat doganore drejt atyre me bazë më të gjerë dhe më moderne;
– një dëshirë për të tërhequr investime të huaja të qëndrueshme;
– përdorimi i praktikave të këqija të taksimit.
Ekonomistët që shpallin teoritë e taksës së sheshtë, kryesisht me origjinë nga Mbretëria e Bashkuar, janë shpesh fansa të kësaj mënyre administrimi, pasi ata mendojnë se taksa e sheshtë:
– ndihmon në uljen e korrupsionit dhe thjeshtëson të kuptuarit dhe të deklaruarit e individëve për detyrimet që duhet të deklarojnë dhe paguajnë, duke ulur në këtë mënyrë koston e procesit;
– ndihmon në reduktimin e pabarazisë (një tarifë për çdokënd) duke aplikuar edhe përjashtime nga vendosja e pragut të barabartë me kufirin minimal të varfërisë;
– nxit individët për të punuar dhe kursyer, duke i përdorur tepricat për investime individuale dhe aktiviteti ekonomik;
– gjeneron të ardhura tatimore, pasi në çdo rast që ulen përqindjet e taksimit zhvillohet në kahun e kundërt, ofertën;
– mund ta bëjë ekonominë më tërheqëse në sytë e investitorëve, nëse i bashkëngjitet një politike që prodhon siguri dhe garanci për investime; ekonomia globale pa kufij për kapitalin hyn më shpejt nëse shikon një sistem taksimi të thjeshtë dhe interesant për fitimet e veta.
Por, ana tjetër e kundërshton të parën, dhe si:
– përqindja e taksës së sheshtë nuk është progresive dhe si rrjedhojë shpërndarja e të ardhurave do të jetë e pabarabartë, sidomos në vitet e para të zbatimit të saj;
– përqindja e taksës së sheshtë favorizon individët e pasur në kurriz të të varfërve, pasi të pasurit nuk taksohen në vlera të mëdha për kursimet e tyre, dividendët dhe të ardhura të tjera;
– përqindja e taksës së sheshtë krijon konkurrencë midis të varfërve dhe klasës së mesme dhe rezultati është thellimi i diferencës midis individëve të pasur dhe të varfërve, duke sjellë për qeverinë të ardhura më të pakta për shërbime dhe moszbatim të drejtë të parimit të rishpërndarjes së të ardhurave nga të pasurit te të varfrit;
– taksa e sheshtë nuk jep siguri për qytetarët që të punojnë më shumë, pasi një kategori individësh mund të zgjedhin të punojnë më pak, pasi ata fitojnë të njëjtën sasi të ardhurash duke punuar më pak;
– politika e bazuar mbi taksën e sheshtë nuk është çelësi që përcakton thithjen e investimeve të huaja, pasi lidhen me një sërë faktorësh që fillojnë me ambientin politik, infrastrukturën, burimet natyrore e duke vazhduar me aftësitë e tregut të punës për përdorimin e teknologjisë.
Një fjali mund të ishte përmbledhje e gjithë këtij diskutimi mbi politikën e taksimit: jo reduktime të shpenzimeve në kurriz të uljes së tarifave të taksimit.
“AL-TAX Center”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.