Sektori fason gjykon se 2018-a ishte një vit i ngjashëm me 2017 ndoshta me një rënie të lehtë. Kontributin kyç në këtë situatë e ka luajtur rënia e dukshme e euros përballë lekut, një situatë që ka fshirë fitimin e kompanive. E ndërsa më të mëdhatë kanë arritur t’ia dalin, ato të vogla janë në fazë mbijetese. Operatorët e tregut nënvizojnë se është e nevojshme që të merren masa që do të amortizojnë këtë situatë nga qeveria. Në të kundërt, viti 2019 mund të jetë i zymtë për një biznes që është lodhur nga goditjet e vazhdueshme dhe që nuk ka pasur mbështetje reale.
Nga Nertila Maho
Tekstilet dhe këpucët përbënin 40% të totalit të eksporteve shqiptare në periudhën janar-nëntor 2018, duke mbajtur edhe gjatë vitit të kaluar peshën kyçe. Shifrat e tregtisë së jashtme, të publikuara nga Instituti i Statistikave, tregojnë se vlera e eksporteve të këtij grupi ishte 115 miliardë lekë, me një rritje 6.3% në raport me një vit më parë. Vetë totali i eksporteve për të gjitha grupet regjistroi vlerën 289 miliardë lekë, me një zgjerim prej 15% në raport me 11-mujorin 2017.
Pavarësisht shifrave pozitive të INSTAT, biznesi fason nuk e sheh vitin që sapo mbyllëm si një vit më të mirë. Për shumë prej tyre, ai është ndoshta në të njëjtat nivele si viti 2017, ose disi më poshtë. Për vitin 2019 situata nuk është edhe aq optimiste dhe drejtimi që do të ketë fasoni do të varet shumë si nga ambienti i jashtëm, ku bëjnë pjesë ekonomitë e partnerëve tregtarë, si dhe masat e qeverisë që duhet të shërbejnë si amortizatorë për goditjen që ka ardhur nga rënia e euros.
Italia fqinjë, e cila prej 80% të eksporteve të këpucëve dhe rreth 70% të tekstileve nuk pritet të ketë një vit të mbarë në 2019-n, çka pritet të ndikojë dhe në kërkesën e partnerëve italianë. Prej vitesh sektori nuk po arrin të diversifikohet dhe të shkëputet nga varësia nga tregu italian.
Përtej deklaratave politike për paketa që mbështesin një sektor të rëndësishëm si fasoni, operatorët e tregut konfirmojnë se asgjë nuk ka ndodhur ndër vite dhe situata është bërë më e vështirë. Rritja e pa konsultuar e pagës minimale nga 24 në 26 mijë lekë, edhe pse nuk shihet si problem ekonomik prej tyre, konsiderohet si precedent aspak pozitiv, për aq kohë sa është marrë pa konsultim. Fasonistët shprehen se është e rëndësishme që të mos hartohen paketa me masa boshe, por fokusi të përqendrohet në pak pika dhe që kanë më shumë efekt në rritjen dhe zgjerimin e sektorit.
Euro rrit koston e punës, kompanitë në dilemën e rritjes së çmimeve
Forcimi i lekut përballë euros ka vënë në vështirësi prej kohësh eksportuesit, pjesë e të cilëve janë edhe ata që operojnë në sektorin fason. Pjesa më e madhe e tyre, i kanë të ardhurat në euro nga partnerët me të cilët kanë lidhur kontrata, ndërsa shpenzimet në lekë, çka ka rezultuar në një humbje të pastër. Rënia e lirë e monedhës së përbashkët duket se ka fshirë edhe atë fitim modest për sektorin që vuan në një pjesë të tij nga vonesat në pagesa, nga partnerët tregtarë apo nga mosrimbursimi në kohë i TVSH-së.
Por cila është zgjidhja? Flamur Hoxha, administrator i kompanisë KLER, vlerëson se është e rëndësishme që Shqipëria të rishikojë qasjen e saj për koston e lirë të punës. Brenda sektorit duhet të ketë organizim, që të ketë rritje të çmimit me të paktën 10%, pasi zhvlerësimi i euros vazhdon më shumë se 6-7 muaj. Jemi shumë të lirë në raport me tregje të tjera si Bullgaria apo Rumania, që janë 40% më shtrenjtë, flasim gjithmonë për kosto për njësi. Fakti që jemi kaq të lirë pra 40%, është një armë që duhet të shfrytëzojë sipërmarrja dhe të imponohet e gjitha njëkohësisht”, shprehet ai. Gjergj Leqejza, administrator i kompanisë Shqipëria Trikot, gjykon se nëse nuk do të merren masa, e ardhmja e sektorit mbetet e zymtë.
“Sigurisht që kursin e këmbimit e vendos tregu dhe nuk mund të merren shumë masa. Ne këtë e kuptojmë, por rënia e euros na ka sjellë mjaft goditje, pasi ne jemi biznes që aktivet i kemi 100% në euro, kurse pagesat i kemi në lekë. Për këtë arsye, përqindja e rënies së euros në raport me një vit më parë është reflektuar e gjitha si një humbje neto. Ne vazhdojmë të paguajmë njëlloj energji, paga, taksa. Nëse situata vazhdon njëlloj, e shoh të zymtë të ardhmen e këtij sektori”, shprehet ai.
Administratori i kompanisë së këpucëve FITAL, Skënder Pashaj, nënvizon se në raste të tilla ka nevojë për masa që amortizojnë goditjet. “Në fakt, duke pasur parasysh goditjen nga kursi apo rënien e konsumit, sigurisht që duhet të merren edhe masa për të amortizuar këtë pjesë. Vit pas viti, kushtet për sektorin kanë ardhur duke u vështirësuar, ndaj masat mbështetëse duhet të jenë një opsion që duhen marrë parasysh si amortizatorë”, nënvizon Pashaj.
Emigracioni po vështirëson gjetjen e krahut të punës
“Emigracioni po bëhet gjithmonë e më shumë problem për gjetjen e krahut të punës në disa sektorë, përfshirë atë fason. Për zona si Shkodra por edhe qytete si Librazhdi, Puka e më gjerë, gjetja e punonjësve është një mision i pamundur. Në fakt është bërë shumë e vështirë për krahun e punës dhe janë dy fenomene që e sjellin këtë, të lidhur me njëri-tjetrin. I pari është emigracioni që i bën një pjesë të njerëzve të ikin jashtë. Nga ana tjetër, vajzat dhe gratë që nuk punojnë, nëse kanë dikë në emigrim, sepse janë emigrantët që sjellin të ardhura dhe kjo është tipike për zonën e Shkodrës”, – shprehet Leqejza.
Të njëjtin perceptim duket se ka edhe Flamur Hoxha, i cili thekson se zhvendosja e një filiali në një zonë tjetër, që nuk është afër me boshtin Tiranë-Durrës, është i pamundur.
“Vetë profili i biznesit kërkon forcë të madhe pune dhe nuk ia vlen të zhvendosësh një filial kur ti nuk gjen njerëzit që ke nevojë për ta hapur dhe që të funksionojë ky biznes. Sot për sot, vetëm Tirana dhe Durrësi janë zonat e vetme ku mund të gjesh krah pune. Nuk shohim ndonjë dritë të gjelbër në ndonjë zonë tjetër të Shqipërisë që të kërkosh zgjerim apo të mendosh spostim për një filial të ri”, – vlerëson ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.