Konsumi i alkoolit në Rusi është ndër më të lartët në BotëRusia ndodhet në krizë për vodka pasi rezervat e saj kanë shënuar rënie. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e ndërprerjes së prodhimit nga ana e prodhuesve të pijes kombëtare nga frika e shkeljes së rregullave të reja të akcizës.Vendimi i Rusisë për të ndryshuar procedurat për pullat e akcizës dhe licensat për importimin e pijeve alkoolike duket se nuk po jep efektet që priteshin. Pothuaj të gjithë prodhuesit e vodkës në Rusi kanë ndaluar prodhimin e vodkës për tregun vendas nga data 1 janar 2006, ndër to edhe kompanitë Russky Alkogol, Rosspirtprom dhe Holdingovaya, Compania Ladoga. Problemi ka lindur nga mungesa e pullave të akcizës dhe licensave të importit, të cilat autoritetet përkatëse nuk i kanë shpërndarë ende. Përfaqësuesit e shumë kompanive janë shprehur se pullat zyrtare të indentifikimit nuk u janë shpërndarë pasi autoritetet nuk kanë shtypur mjaftueshëm për tiu përgjigjur tregut vendas dhe eksportuesve të BE-së në Rusi. Që nga 1 janar 2006, Rusia ka ndryshuar procedurat e saj për pullat e akcizës dhe licensat e importit për të gjitha produktet alkoolike. Të gjitha pijet alkoolike në Rusi duhet të mbajnë pullën e re të akcizës sipas rregullave të hyra në fuqi këtë vit, të cilat synojnë të luftojnë problemin e mashtrimit në sektorin e pikave alkoolike në vend, i cili përbën një shqetësim serioz për Rusinë. Sipas Unionit të Operatorëve të Tregut të Pijeve Alkoolike, në vitin 2003 rreth 37% të prodhimit të vodkës ruse është bërë jashtë kanaleve zyrtare.Qeveria ruse aktualisht ka vendosur datën 31 mars si afatin e fundit kur importuesit duhet të përdorin pullat e reja. Artikujt që do të mbajnë pullat e vjetra duhet të shiten deri në muajin korrik. Afati për shitjen e produkteve është shumë i shkurtër, veçanërisht për pijet alkoolike me çmime të larta. Prodhuesit e pijeve në Rusi janë shprehur se problemet e zbatimit tashmë po paraqesin vështirësi, ndërkohë që një fabrikë ka deklaruar se është duke humbur gati 200,000 rubla ruse ose 6,600 USD në ditë. Ndërsa shumë prodhues besojnë se pullat e reja mund të mos jenë të disponueshme deri në mars apo prill, duke i lënë në baltë prodhuesit, të cilët nuk kanë akses te pullat e vjetra. Magazinat rajonale të akcizës që lëshojnë këto pulla nuk janë krijuar akoma. Për krijimin e tyre do të duhen muaj, pavarësisht nga fakti se autoritetet e industrisë dhe atyre tatimore ishin në dijeni të një problemi të tillë që vitin e kaluar. Megjithatë në gjysmën e dytë të vitit 2006 pritet që tregu të stabilizohet dhe pas muajit qershor, në kohën kur do të ndalohet shitja e pijeve alkoolike me pullat e vjetra, pjesa e prodhuesve legal në tregun e brendshëm do të rritet së tepërmi. Sipas Ministrisë ruse të Punëve të Brendshme, produktet e falsifikuara ushqimore dhe të pijeve në shumë raste kontrollojnë deri 94% të sektorit të tyre.Tregu i pijeve alkoolike në Rusi kap vlerën prej 10.3 mld euro në vit. Vendi importon rreth 853 mln euro pije alkoolike në vit. Në periudhën janar-shtator 2005, Rusia importoi 300 mln USD pije të forta alkoolike, verë dhe birrë nga 25 vendet anëtare të BE-së. Konsumi i alkoolit në Rusi është ndër më të lartët në Botë, me 24 pint për frymë në vit, për çdo burrë, grua dhe fëmijë. Shumë rus e kanë vodkën në tavolinat e tyre në raste gëzimesh dhe festash familjare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.