Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme, ku pritet të zgjidhet Qeveria e re e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar kreun e partisë, Albin Kurtin për postin e kryeministrit.
Nga Prishtina, Fatos Shala
Kandidati për Kryeministër, Albin Kurti ka prezantuar programin qeverisës dhe kabinetin qeveritar para deputetëve të zgjedhur të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.
Mandatari për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është zotuar se qeveria e tij do të jetë e ndryshimit pozitiv për Kosovën.
Ai në foltoren e Kuvendit, duke prezantuar ekspozenë e tij para të zgjedhurve të popullit, tha se pandemia COVID-19 do të jetë prioriteti numër një i qeverisë së tij, më pas drejtësia, punësimi, zhvillimi ekonomik dhe reformimi në arsim.
“Pandemia sfida kryesore, pa humbur kohë do të dalim me plan për masa të reja dhe do të synojmë vaksinimin e 60 për qind të popullsisë. Do të vazhdojmë vettingun për të vendosur drejtësi. Edhe arsimi do të riformohet”, tha Kurti.
Kurti ka deklaruar se pa njohjen e realitetit të Kosovës së pavarur dhe pranimin e të vërtetës nga ana e Serbisë, nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve në mes dy popujve dhe në mes të dy shteteve.
Ai në foltoren e Kuvendit, duke prezantuar ekspozen e tij para të zgjedhurve të popullit, tha se me Serbinë, Kosova ka çështje të hapura që duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut, megjithatë shtoi se asnjë progres nuk mund të bëhet nëse nuk mund të bëhet nëse nuk ka progres në zgjidhjen e fatit të të pagjeturve në Kosovë.
Kurti shtoi se raportet tona fqinjësore do t’i avansojmë nëpërmjet reciorocitetit.
Sipas tij, rruga drejt integrimit në BE, mund të jetë sfiduese por ajo nuk ka alternativë.
Ai ka thënë se do të ndahen mjete edhe fëmijët, nënat e papuna.
Kurti ka premtuar se fëmijët deri në 2 vjeç do të marrin nga 20 euro në muaj, derisa ata nga 2 deri në 16 vjeç nga 10 euro në muaj.
“Në vendin tonë askush nuk duhet të falimentojë vetëm pse sëmuret. Fëmijët janë e ardhmja jonë. Mënyra se si kujdesemi për fëmijët tanë tregon të ardhmen që kemi. Pabarazinë ekonomike do të luftojmë me skema sociale dhe zhvillim ekonomik, por asnjëherë kjo pabarazi nuk duhet të ndikojë te fëmijët tanë. Çdo fëmijë në Kosovë, pavarësisht se ku ka lindur dhe kush është prindi, është i barabartë dhe secili duhet të zhvillojë potencialin dhe talentin e tij të dhënë nga Zoti. Shteti do ta garantojë këtë barazi, prandaj shpejt do të fillojmë me skemën e ndarjes së shtesave për fëmijë dhe nëna lehona. Për fëmijët deri në 2 vjeç do të ndahen nga 20 euro në muaj, ndërsa për ata nga 2 deri në 16 vjeç do të ndahen nga 10 euro në muaj. Nëse një familje fiton më pak se 7000 euro në vit do të marrë 50 euro rimbursim për fëmijë, nëse fiton më pak se 6000 euro në vit do t’i ndahen 100 euro për fëmijë dhe nëse fiton më pak se 5000 euro do t’i ndahen 150 euro për fëmijë. Për nënat e papuna dhe lehona do të ndajmë pagën minimale në vlerë prej 250 eurosh në gjashtë muajt e parë të lindjes”.
Ky është kabineti i Qeverisë Kurti 2:
Albin Kurti ka prezantuar programin qeverisës dhe kabinetin qeveritar para deputetëve të zgjedhur të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.
Kurti ka folur edhe për programin e tij qeverisës duke thënë se pandemia është çështje kryesore që qeveria e tij do të merret, vettingu në drejtësi, reformat në arsim, reformat në shëndetësi do të jenë po ashtu ndër prioritetet kryesore të qeverisë së tij.
Kurti po ashtu ka prezantuar edhe kabinetin e tij qeverisës.
Zëvendëskryeministër i parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog – Besnik Bislimi,
Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme – Donika Gërvalla,
Zëvendëskryeministre e tretë për Pakica dhe të Drejtat e Njeriut – Emilja Rexhepi
Ministrinë e Punëve të Brendshme e drejton Xhelal Sfeçla,
Ministrinë e Arsimit – Arbërie Nagavci,
Ministrinë e Shëndetësisë – Arben Vitia,
Ministrinë e Bujqësisë – Faton Peci,
Ministrisë e Kulturës – Hajrullah Çeku,
Ministrinë e Drejtësisë – Albulena Haxhiu,
Ministrinë e Financave – Hekuran Murati,
Ministrinë e Tregtisë – Rozeta Hajdari,
Ministrinë e Mjedisit – Liburn Aliu,
Ministrinë e Pushtetit Lokal – Elbert Krasniqi,
Ministrinë e Mbrojtjes – Armend Mehaj,
Ministrinë e Ekonomisë – Artane Rizvanolli,
Ministrinë për Zhvillim Rajonal drejtohet nga Fikrim Damka,
Ministrinë për Komunitete dhe Kthim – Goran Rakiç
Mbajtja e seancës ka ardhur pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës më 22 mars, ku me 69 vota për, 33 kundër dhe asnjë abstenim, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh kryetar i legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse të kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë.
Nga komunitetet, Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar partitë boshnjake Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat, sikurse edhe Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.