Parisi dëshiron të ndihmojë Serbinë të zgjidhë çështjet më delikate në vend, në mënyrë që t’i hapet rruga drejt BE-së, i tha Presidenti francez, Emmanuel Macron, homologut serb. Por Macron theksoi se Serbia dhe BE duhet të reformohen para çdo zgjerimi të mëtejshëm të BE-së, raportoi EURACTIV.rs.
Z. Macron dhe kreu i shtetit serb, Aleksandar Vuçiç, u takuan në Paris më 17 korrik, ku Presidenti francez mbështeti përpjekjet e Serbisë për të gjetur një zgjidhje kompromisi me shqiptarët e Kosovës. Dhjetë vjet më parë, Kosova shpalli pavarësinë, të cilën Serbia, së bashku me pesë shtete anëtare të BE-së, ende nuk e kanë njohur.
Si pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në Bruksel, Beogradi dhe Prishtina po negociojnë normalizimin e marrëdhënieve, si dhe një marrëveshje të detyrueshme, e cila është domosdoshmëri për progresin e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.
Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është “procesi më i ndërlikuar në Ballkan për momentin”, sipas kreut të zyrës së BE-së në Prishtinë. Të dyja palët kanë nevojë për inkurajim të vazhdueshëm për të arritur një zgjidhje përfundimtare dhe mbi të gjitha, që të avancojnë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp, Macron tha se Serbia deri sa të vijë viti 2025, duhet të ketë përmbushur të gjitha reformat e kërkuara. Sipas strategjisë së re të zgjerimit të BE-së, të paraqitur në shkurt, 2025 është viti i pranimit për Malin e Zi dhe Serbinë.
Presidenti serb tha se ishte i vetëdijshëm se Serbia nuk mund të bashkohej me BE derisa të zgjidhte çështjet e Kosovës, sistemin ligjor dhe sundimin e ligjit. “Edhe pse z. Macron thotë se Serbia do t’i bashkohet shumë shpejt BE-së, ne nuk do të bashkohemi përpara sesa të kemi zgjidhur problemet tona. Edhe unë jam shumë optimist në këtë drejtim dhe e di se do të kemi sukses dhe do të bëjmë të pamundurën që kjo gjë të realizohet, tha z. Vuçiç.
Për sa i përket çështjes së Kosovës, lideri serb tha se shpresonte gjithashtu të kishte mbështetjen e Kancelares gjermane Angela Merkel dhe shtoi se “vetëm atëherë mund të shihte pak shpresë”.
Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi se një konflikt i ngrirë do t’i kushtonte Serbisë perspektivat dhe investimet e saj europiane.
Z. Macron theksoi se BE-ja nuk po funksionon ashtu si duhet dhe se një reformë është e nevojshme përpara se të pranohen anëtarë të rinj.
Ai tha se kishte shumë dallime midis 28 shteteve anëtare dhe se BE-ja duhej të punonte në një nivel ndërqeveritar.
Macron tha se Franca ka dhënë propozimet e saj për reforma lidhur me buxhetin, mbrojtjen dhe çështjet strategjike dhe theksoi se një reformë e BE-së është e mundur deri në vitin 2025, pas një raundi tjetër të zgjedhjeve europiane në 2024. Presidenti francez e falënderoi Beogradin për ndihmën e tij “në lidhje me sigurinë, luftën kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm” dhe tha se Serbia është “një partner i nevojshëm”.
Vuçiç dhe Macron diskutuan për një zonë ekonomike rajonale në Ballkan, duke theksuar se krijimi i një tregu të vetëm ekonomik nuk do të zëvendësonte anëtarësimin në BE.
Vuçiç e ftoi homologun e tij francez që të vizitojë Serbinë. Macron pritet të vizitojë Beogradin në nëntor të këtij viti dhe do të jetë vizita e parë e një lideri francez që nga viti 2001, kur Jacques Chirac vizitoi Republikën Federale të Jugosllavisë.