Sipas tij, borxhi i Serbisë nuk është shumë i lartë në këto momente dhe vlera e monedhës kombëtare, dinarit, e bën vendin konkurrues jashtë. Krugman konsideron se dinari është ende i mbiçmuar, pavarësisht zhvlerësimit të tij gjatë kohëve të fundit.
Ai tha se po shpenzon më pak sesa përpara krizës dhe se është shumë më i kujdesshëm.
“Unë jam i shqetësuar se gjëra të këqija mund të ndodhin, ndërsa si individ, nuk mund të pranoj idenë se shpenzimet e mia ndihmojnë ekonominë dhe kjo nuk është e drejtë apo e arsyeshme. Por, qeveria duhet ta marrë këtë në konsideratë”, tha Krugman, i cili është i mirënjohur për qëndrimin e tij kundër masave të rrepta në kohë recesioni.
Krugman vlerëson se qeveria serbe duhet të përpiqet të zvogëlojë pasojat e krizës ndërkombëtare ekonomike, por Serbia është një shtet i vogël, që nuk mund të shpresojë për një rimëkëmbje të plotë, derisa e gjithë Europa të rimëkëmbet.
Paul Krugman është një ekonomist amerikan, profesor në “Princeton University”, i cili ka fituar çmimin “Nobel” për shkenca ekonomike në 2008-n.
Ai është një mbështetës i njohur i teorisë së neokejnsianiste, sipas së cilës, mënyra më e mirë për të kaluar periudhat e krizave është të stimulohen shpenzimet qeveritare.
Paul Krugman erdhi në Serbi me ftesë të Këshillit Kombëtar për Rimëkëmbjen Ekonomike, Klubit Ekonomik Serb “Privrednik”, si dhe kompanive “Interkomerc”, “PSP Farman”, “Beohemija”, “Delta Holding” dhe “MK Group”.