Google do të shtojë butonin “Bli – buy” te rezultatet e kërkimit, duke sfiduar në këtë mënyrë dyqanet e shitblerjeve në internet, si eBay apo Amazon. Kompania do ta shtojë këtë buton brenda reklamave që shfaqen te Google Search, kështu përdoruesit do të kenë mundësi të marrin informacione mbi artikuj të ndryshëm dhe të blejnë produktin direkt nga telefoni. Kompania ndërkohë do t’i lejojë përdoruesit të ruajnë informacionet e kartës së kreditit për të blerë artikuj në një tjetër moment.
Google do ta testojë fillimisht këtë veçori vetëm te versioni mobil i rezultateve të saj të kërkimit dhe jo te kompjuterët (pasi njerëzit më shumë e vizitojnë gjigantin e kërkimit nga telefonat e tyre sesa nga pajisjet desktop). Kjo veçori do të zërë një përqindje të vogël të faqes së kërkimit.
Google ofron aktualisht një mënyrë për shitësit që të promovojnë dyqanet e tyre nëpërmjet Google Shopping. Por duke klikuar te ky sistem ju largoheni nga faqja e kërkimit të Google. Ndërsa sistemi i ri do t’ju japë mundësi të blini gjëra pa pasur nevojë që të vizitoni sajtin e dyqanit.
Google do t’u japë tani një mundësi shitësve që të ndajnë të dhënat e tyre (duke përfshirë këtu edhe mënyrat e pagesës) me dyqanet, në mënyrë që informacionet mbi artikujt e tyre të shfaqen në faqet e veçanta të dyqanit. Një nga partnerët e parë do të jetë Macy’s, i cili shet pothuajse gjithçka në internet.
Burimi: Android Central