Nga Laura çela
Kanë mjaftuar vetëm pesë vite aktivitet në përpunimin e frutave dhe perimeve të thata që drejtuesit e “AgroPuka” të 20-fishojnë sasitë e prodhuara dhe të shitura në treg.
Një traditë e vjetër e shqiptarëve për të tharë frutat në mjediset e shtëpisë duket se është shfrytëzuar mirë nga drejtuesit e kompanisë veriore.
“Përpara se të nisnim përpunimin e frutave, kërpudhave dhe perimeve të thata, ne studiuam më parë tregun. Duke parë se potencialet në zonën tonë janë të kufizuara në krahasim me zona të tjera fushore, jemi përpjekur të gjejmë disa projekte tipike specifike dhe t´u japim vlerë nëpërmjet përpunimit të tyre, ndër të cilët janë perimet e thata, fruta të thata të llojeve të ndryshme”, tregon për “Monitor”, administratori i “AgroPuka”, Sabah Djaloshi.
Sot, kompania përpunon rreth 2-3 mijë kg fruta e perime në vit, ndërkohë që në fillim të aktivitetit, sasia e përpunuar nuk i kalonte 100 kg/vit.
Z. Djaloshi tregon se, megjithëse tregu është ende i vogël, vihet re interes në rritje i konsumatorëve për to, për shkak edhe të traditës, por edhe tendencës për të konsumuar prodhime vendi.
“Është fakt se tashmë po ecim edhe më mirë në treg, falë edhe orientimit të vetë konsumatorëve drejt prodhimeve vendase, sidomos ndaj atyre bujqësore, për shkak të shijes dhe cilësisë më të mirë”, shton ai.
Zona e Pukës është e njohur për cilësinë shumë të mirë të frutave si molla, hurma, kumbulla, por edhe perimeve, e në mënyrë të veçantë kërpudhës.
Pse preferohen
Kohët e fundit, tendenca e konsumatorëve është që t´i konsumojnë frutat e thata në vend të patatinave apo produkteve të tjera dhe gjatë orarit të punës apo kohës së lirë.
Drejtuesit e projektit SASA, që kanë asistuar prodhuesit e Pukës, thonë se në kërkimet e bëra në supermarkete, vihet re se tendenca e blerësve për produkte të tilla orientohet nga ato vendase, duke rritur mundësitë për këto produkte.
Brandimi me “Alpe Albania” i dha mundësi këtyre produkteve të fitojnë më shumë treg dhe të diferencohen nga ato të importit.
Tendencë në rritje të shitjeve kanë edhe perimet e thata. Perimet e thata i mundësojnë konsumatorëve t´i përdorin ato në gatimet e shpejta për të përgatitur supa apo salca të ndryshme.
Përmirësimi i paketimit dhe hyrja në rrjetin e supermarketeve duket i ka ndihmuar prodhuesit e frutave të thata, që të shtojnë edhe vlerën e prodhimeve.
Krahasuar me një vit më parë, çmimi i këtyre produkteve është rritur rreth 15%, si pasojë e certifikimit, përmirësimit në etiketim dhe promovimit më të gjerë në treg. Dhe vetëm vitin e fundit, niveli i shitjeve është rritur me rreth 20%.
Sipas të dhënave nga tregu, por edhe nga “AgroPuka”, rezulton se çmimi i paketimeve të frutave të thata (kryesisht 100 gramë), si mollë, hurma, kumbulla e dardhë shitet 100 lekë, ndërsa perimet e thata me paketime 50 gramë, shiten 100 lekë.
Ndër frutat e thata, më të preferuarat janë mollët, për shkak edhe të traditës së hershme dhe si pasojë e njohurisë më të madhe në këtë drejtim.
Siç shpjegon Sabah Djaloshi, konkurrenca e vetme që u vjen prodhimeve të “AgroPuka” është nga importi, sepse nuk ka të tjerë operatorë vendas në këtë drejtim. “Por në këtë aspekt ne kemi avantazh, për shkak të shijes të mirë që kanë prodhimet tona në raport me ato të huaja”, shton ai.
Shanse për eksport
Por në pjesëmarrjen që kanë bërë në disa panaire kombëtare, është vënë re se po rritet kërkesa për eksporte, kryesisht për kërpudhën e thatë, perimet e thata. Por ende janë larg tregut të huaj.
Z. Djaloshi thotë se problemi kryesor mbeten kapacitetet e kufizuara për përpunim.
“Deri më tani, produktet e tregtuara janë brenda standardeve të shtetit shqiptar, për të kaluar në eksport duhet të plotësohen standardet ISO 1900. Por për të synuar tregun e huaj, duhet të kesh sasinë së pari, që ende nuk është arritur nga ne”, – thotë ai.
Në Pukë tashmë është fuqizuar qendra e përpunimit të frutave dhe perimeve, sepse funksionojnë katër makineri që thajnë prodhimet, nga një që ishte në fillimet e aktivitetit. “Procesi është tërësisht modern, por kapaciteti mbetet ende i ulët në raport me kërkesën”, thotë administratori i “AgroPuka”.
Një fakt që na pengon shumë rritjen më të madhe të prodhimit është sasia e pakët që grumbullohet e frutave dhe perimeve, për shkak të mungesës së organizimit dhe punës në bujqësi. Z. Djaloshi tregon se kërkesa është shumë më e madhe nga sa prodhohet, por ata e kanë të pamundur t´i përgjigjen.
“Ne sot i sheshim këto produkte vetëm në tregun e Tiranës dhe kemi lënë jashtë gjithë rrethet e tjera të vendit, që padyshim kanë interes për produktet tona”, thotë ai.
Edhe në eksport, potencialet janë të mëdha. Prodhimet janë kërkuar në Europë dhe Kanada, por nëse nuk grumbullohet më shumë sasi, do të jetë e pamundur që fermerët të shtojnë përpunimin dhe fuqizojnë aktivitetin.
Kërpudha, “alarmi” i zhdukjes
Një nga produktet më tipike dhe më të kërkuara është kërpudha, e cila shitet gjithashtu në formë të thatë dhe kryesisht në paketime 50 gramë me çmim 300 lekë. Siç shpjegon administratori i “AgroPuka”, kërpudha është një nga potencialet më të mëdha të zonës, por shkatërrimi i pyjeve dhe mungesa e dijeve në drejtim të grumbullimit të saj, e ka ulur me shpejtësi kultivimin në zonën e Pukës.
“Nëse në fillim të viteve ‘90 ne arrinim që të grumbullonim 200-300 tonë kërpudha në vit, këtë vit ne kemi mbledhur vetëm 2-3 tonë kërpudha”, thotë z. Djaloshi.
Shkaku kryesor është mungesa e dijeve në mënyrën sesi duhet të këputet apo grumbullohet kërpudha.
“Nëse në rajon kërkohet leje për të grumbulluar prodhime në pyje, në Shqipëri çdokush mund të grumbullojë. Kjo ka bërë që ata ta këpusin kërpudhën keqazi, duke bërë që ajo të mos rritet më vitet e ardhshme”, shton ai.
Me gjithë kërkesën në rritje që ka për këtë produkt, për shkak të përdorimit masiv në gatim në restorante, por edhe shtëpi, fermerët nuk po arrijnë dot ta shfrytëzojnë këtë rast. Edhe shkatërrimi i pyjeve ka ndikuar në uljen e rritjes së kërpudhës në zonat e Pukës.
Prej shumë vitesh, në tregun italian përdoret kërpudhë e freskët e marrë në zemër të pyjeve shqiptare. Por, pakkush nga ata që e konsumojnë atë, e dinë se ky produkt bio vjen nga një rreth në Veri të Shqipërisë, që është Puka.
Në fakt, kërpudha ka një potencial shumë të madh në eksport, sepse çmimi i saj është 2-3 herë më i lirë se në Europë. Nëse në Itali, 1 kg kërpudhë kushton 120 euro, në Shqipëri ky çmim nuk i kalon 6,000 lekë.
Tregu
-Tendenca e konsumatorëve është që t´i konsumojnë frutat e thata në vend të patatinave apo produkteve të tjera dhe gjatë orarit të punës apo kohës së lirë
-Krahasuar me një vit më parë, çmimi i këtyre produkteve është rritur rreth 15%, si pasojë e certifikimit, përmirësimit në etiketim dhe promovimit më të gjerë në treg. Vitin e fundit, niveli i shitjeve është rritur me rreth 20%.
-Sot përpunohen rreth 2-3 mijë kg fruta e perime në vit, ndërkohë që në fillim të aktivitetit, sasia e përpunuar nuk i kalonte 100 kg/vit
– çmimi i paketimeve të frutave të thata (kryesisht 100 gramë), si mollë, hurma, kumbulla e dardhë është 100 lekë, ndërsa perimet e thata me paketime 50 gramë shiten 100 lekë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.