Banka Qendrore e SHBA (Federal Reserve, Fed) ka rritur sërish normat e interesit, pavarësisht frikës se masa mund të shtojë trazirat financiare, pas një sërë kolapsesh në sistemin bankar.
Rezerva Federale rriti normën e saj bazë me 0.25 pikë përqindjeje, duke e quajtur sistemin bankar “të shëndetshëm dhe elastik”.
Por ai gjithashtu paralajmëroi se pasojat nga dështimet e bankave, mund të dëmtojnë rritjen ekonomike në muajt në vijim.
Fed ka rritur kostot e huamarrjes si një përpjekje për të stabilizuar çmimet.
Por, rritja e mprehtë e normave të interesit që nga viti i kaluar, ka sjellë tension në sistemin bankar.
Dy banka amerikane – Silicon Valley Bank dhe Signature Bank – falimentuan këtë muaj, pjesërisht për shkak të problemeve të shkaktuara nga normat e larta të interesit.
Ka shqetësime për vlerën e obligacioneve të mbajtura nga bankat, pasi rritja e normave të interesit mund t’i bëjë ato obligacione më pak të vlefshme.
Bankat priren të mbajnë portofole të mëdha obligacionesh dhe si rezultat, janë në humbje potenciale të konsiderueshme. Rënia e vlerës së obligacioneve të mbajtura nga bankat, nuk është domosdoshmërisht problem, nëse ato nuk janë të detyruara t’i shesin ato.
Autoritetet në mbarë botën kanë thënë se nuk mendojnë, se dështimet kërcënojnë stabilitetin e gjerë financiar.
Javën e kaluar, Banka Qendrore Europiane (European Central Bank, ECB), rriti me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit.
Banka e Anglisë do të marrë një vendim për normën e interesit ditën e enjte, një ditë pasi shifrat zyrtare treguan se inflacioni u rrit papritur në shkurt, në 10.4%.
Kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell tha se Fed mbetet e fokusuar në luftën e saj kundër inflacionit. Ai e përshkroi bankën e Silicon Valley si një “rast të jashtëzakonshëm”, në një sistem financiar të fortë.
Por ai pranoi se trazirat e fundit, ka të ngjarë të zvarriten më tej, duke përmendur edhe se ka ende paqartësi për ndikimin e plotë të tyre.
Ndikimi ekonomik
Parashikimet tregojnë se zyrtarët presin, që ekonomia të rritet vetëm 0.4% këtë vit dhe 1.2% në 2024, një ngadalësim i mprehtë nga norma dhe më pak se zyrtarët parashikuan në dhjetor.
Njoftimi nga Fed gjithashtu zbuti deklaratat e mëparshme, të cilat kishin thënë se rritjet “e vazhdueshme” të normave të interesit do të ishin të nevojshme në muajt në vijim.
Lëvizjet “signalizojnë qartë se Fed është nervoz”, tha Ian Shepherdson, drejtues ekonomik në Pantheon Macroeconomics.
Rritja e normës së së mërkurës, shënon të nëntën herë rradhazi të rritjes së normave nga Fed. Ajo ngre normën bazë të interesit në 4.75%-5%, nga afër zeros një vit më parë, niveli më i lartë që nga viti 2007.
Normat më të larta të interesit, nënkuptojnë se kostoja për të blerë një shtëpi, për të marrë hua për të zgjeruar një biznes ose për të marrë borxhe të tjera, rritet.
Duke e bërë një aktivitet të tillë më të shtrenjtë, Fed pret që kërkesa të bjerë, duke ulur çmimet.
Kjo ka filluar të ndodhë në tregun e banesave në SHBA, ku blerjet janë ngadalësuar ndjeshëm gjatë vitit të kaluar dhe çmimi mesatar i shitjeve në shkurt, ishte më i ulët se një vit më parë – rënia e parë e tillë në më shumë se një dekadë.
Por në përgjithësi, ekonomia është mbajtur më mirë se sa pritej dhe çmimet vazhdojnë të rriten më shpejt se norma prej 2%, që konsiderohet e shëndetshme.
Inflacioni, norma me të cilën çmimet rriten, u rrit me 6% në 12 muaj, deri në shkurt. Kostoja e disa artikujve, përfshirë ushqimin dhe biletat ajrore, po rritet edhe më shpejt.
Përpara dështimeve të bankave, zoti Powell kishte paralajmëruar se, zyrtarët mund të kenë nevojë të shtyjnë normat e interesit më lart se sa pritej, për të vënë situatën nën kontroll.
Projeksionet e bankave tregojnë se politikëbërësit presin, që inflacioni të bjerë këtë vit – por më pak se sa pritej disa muaj më parë.
Megjithatë, ata parashikojnë norma interesi prej afërsisht 5.1% në fund të 2023 – të pandryshuara që nga dhjetori – duke nënkuptuar se Fed është gati të ndalojë së shpejti rritjen e normave.
Powell e përshkroi efektin e trazirave të fundit si “ekuivalentin e një rritje të normës”.
Ai tha se Fed mund të jetë në gjendje të rrisë normën e saj bazë në mënyrë më pak agresive, nëse trazirat në sistemin financiar i shtyjnë bankat të kufizojnë kreditimin dhe ekonomia të ngadalësohet më shpejt.
Por ai përsëriti se Fed nuk do të shmangej nga lufta e saj për inflacionin.
“Ne duhet të ulim inflacionin në 2%,” tha ai. “Ka kosto reale për ta ulur atë në 2%, por kostot e dështimit janë shumë më të larta.”
Banka e Anglisë rrit normën bazë të interesit me 0.25 pikë, në 4.25%
Banka e Anglisë rrit normën e saj bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, në 4.25 për qind mesditën e së enjtes, me një shans të vogël për një rritje më të madhe prej gjysmë pikë.
Vendimi vjen një ditë pasi shifrat treguan, se inflacioni i çmimeve të konsumit u rrit në 10.4 për qind në shkurt, pas tre rënieve radhazi dhe nga 10.1 për qind në janar.
BoE filloi të rrisë kostot e huamarrjes në dhjetor 2021, e ndjekur nga rritje me të paktën 0.5 pikë përqindjeje në çdo takim, që nga gushti.
Banka Kombëtare e Zvicrës rriti normën e saj të interesit me 50 pikë bazë, si dhe deklaroi se masat për të mbështetur Credit Suisse “e kishin ndalur krizën”. Kolapsi i Credit Suisse, i ka dhënë një goditje të rëndë kredencialeve të Zvicrës, si qendra kryesore e menaxhimit të pasurisë në botë, paralajmërojnë ekspertët./ BBC, Financial Times