Flet z. Avni PONARI, CEO-SIGAL UNIQA Group Austria, Shqipëri-Kosovë-Maqedoni
Tregu i sigurimeve, sot mbetet më i pak i zhvilluari në rajon dhe me një konkurrencë problematike, por z. Avni Ponari, CEO i shoqërisë më të madhe të sigurimeve, SIGAL UNIQA Group Austria, Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, është optimist për të ardhmen. “Ajo që do të ndodhë këto vite do të jetë interesante. Shitjet online dhe investimet në këtë fushë do të jenë pa kufij”, thotë ai. “Ne jemi gjithmonë një hap përpara kur bëhet fjalë për produkte të reja, për modernizim të sistemit, për përgatitje të stafit, për ofrimin e shërbimit cilësor, duke ju përshtatur nevojave të kohës dhe të klientëve”. Por, z. Ponari shton se krahas dixhitalizimit dhe edukimit të konsumatorëve, duhet edhe dora e shtetit. Shteti duhet të bëjë ligje direkte apo indirekte, të mbrojë interesat e qytetarëve, populli duhet të mbrojë pasurinë, shëndetin dhe pronën e tij financiarisht.
Si do ta vlerësoni ecurinë e kompanisë SIGAL për vitin 2016 dhe periudhën e deritanishme të 2017-s?
Të flasësh për vete është e vështirë, por nga ana tjetër, opinioni publik kërkon të dijë gjithmonë diçka për ecurinë e një kompanie shërbimesh, në të cilën është në fund të fundit një investitor i vogël.
Sigal, de facto, është i pranishëm në tre shtete, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, por nga ana tjetër de jure është prezent në 23 shtete të Europës. E them këtë, sepse kompania është e pranishme çdo tre muaj në mbledhjet e bordeve të zgjeruara të të gjitha këtyre vendeve të Europës. E kjo nuk është pak.
Ne jemi pjesë e kompanive europiane që aplikojmë standarde dhe produkte europiane.
Të jesh pjesë e një kompanie europiane do të thotë se ne i kemi bërë “detyrat e shtëpisë”, pra ne jemi pjesë e Unionit Europian.
Këtë duhet ta bëjnë të gjithë. Ne punojmë me standarde europiane por fatkeqësisht jetojmë me standardet shqiptare.
Jetojmë në një treg ku gjërat nuk janë të barabarta e madje janë të vështira, për shkak të konkurrencës inatçore dhe jo të produktit, për shkak të konkurrencës së çmimit dhe jo të shërbimit, për shkak të konkurrencës së mentalitetit dhe jo të vlerësimit të klientit. Por ne po jetojmë në këtë ambient dhe natyrisht jemi përshtatur. Përpiqemi të tërheqim të tjerët drejt së mirës, drejt konkurrencës së ndershme dhe elementeve pozitive të tregut, por forca tërheqëse e pjesës që nuk e do tregun, është disa herë më e fortë dhe ndonjëherë na tërheq edhe ne.
Prandaj tregjet e sigurimeve mbikëqyren dhe mbikëqyrja ka standarde, por duhet vetëm të respektohen standardet.
E kush më mirë se dixhitalizimi mund t’i realizojë këto standarde.
Ndërto një program dhe ruaj transparencën e tregut, ky është roli i mbikëqyrësit në Shqipëri, me një treg as 30 euro për frymë, një treg ku bankat nuk kanë asnjë konkurrent investimi dhe bëjnë siç duan me klientët. Kjo sepse mungon tregu financiar jobankar që janë sigurimet, letrat me vlerë, fondet e pensioneve etj., etj.
Nëse do t’i kthehemi 2016-s, do ta cilësoja një vit pozitiv dhe të suksesshëm për SIGAL UNIQA, pavarësisht sfidave që na dikton koha, vendi, tregu ku operojmë, aktualiteti politiko-social etj.
Të qenët lider të tregut që prej vitit 2002, na vendos në një pozicion sa komod aq edhe me përgjegjësi të larta, përgjegjësi për t’u shërbyer klientëve gjithmonë e më mirë, për të gjetur kanalet e duhura të zgjidhjes së pengesave që dalin e për të menaxhuar dhe për të mbajtur më së miri pozicionin që kemi.
Cila është pika më e fortë e kompanisë suaj?
Mendoj që transparenca është çelësi i suksesit të një kompanie sigurimi dhe plotësimi i kërkesave të klientëve me produktet që duan ato. Por vlen të theksohet një fakt shumë domethënës. Ne kemi produktet europiane, por ama nuk kemi blerësin “europian”.
Kjo ndodh për shumë arsye, por më kryesorja është mungesa e kulturës qytetare nga njëra anë dhe nga ana tjetër, vazhdon ende kujdesi i shtetit si në kohën e diktaturës, edhe për përmbytjen, edhe për zjarrin në shtëpi, edhe për sëmundjet, për pensionin, edhe për ndihmat etj.
Por pyetja që shtrohet është: Ku është standardi në këtë përkujdesje? Përgjigjen e dimë të gjithë…
Sa më i fortë të jetë individi, aq më i pavarur bëhet nga shteti dhe aq më shumë liri demokratike ka një vend.
Hidhni një sy nga vendet e zhvilluara dhe shikoni njerëzit që jetojnë atje. Ata nuk duan ta dinë për politikën, nuk duan t’ia dinë se kush është ministër apo se kush është kryeministër dhe jo në pak raste, nuk e dinë fare se kush e drejton shtetin e tyre. Jo si në Shqipëri ku e gjithë familja, duke filluar nga fëmijët e deri tek i moshuari, gozhdohen përpara televizionit në zgjedhje dhe presin me ankth se cila parti do të fitojë e se kush do të bëhet kryeministër. Nëpër botë, qytetarët shohin shoqëritë e sigurimit, bankat, fondet e pensioneve, shohin shërbimet që ju duhen.
Ne, si SIGAL UNIQA jemi të fokusuar te nevojat dhe pritshmëritë e klientëve.
Ne jemi gjithmonë një hap përpara kur bëhet fjalë për produkte të reja, për modernizim të sistemit, për përgatitje të stafit, për ofrimin e shërbimit cilësor, duke ju përshtatur nevojave të kohës dhe të klientëve. Nisur nga kjo, ne po i kushtojmë një rëndësi të veçantë zhvillimit të teknologjisë, me fokus tek shërbimet online.
Paralel me produktet novatore që ne lançojmë në treg dhe me përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimit që ne ofrojmë, thelbësore është pagesa në kohë dhe në mënyrë korrekte e dëmeve. Tek e fundit ky është edhe qëllimi i ekzistencës së kompanive të sigurimit, ndaj për ne është parësore që çdo klient, i cili pëson dëm të ndiqet dhe t’i shërbehet me përpikëri.
Tregu i sigurimeve mbetet më i ulëti në rajon dhe më pak i zhvilluari. Pse ndodh kjo dhe cilat janë sugjerimet tuaja për të rritur madhësinë e tregut dhe për ta diversifikuar atë. Te cilat shërbime janë potencialet më të mëdha?
E thashë edhe më lart, ka shumë arsye për këtë, por themelore mbetet kultura dhe roli i shtetit.
Shteti duhet të bëjë ligje direkte apo indirekte, të mbrojë interesat e qytetarëve, populli duhet të mbrojë pasurinë, shëndetin dhe pronën e tij financiarisht. Kjo e rregullon trendin e sotëm dhe natyrisht gjërat vijnë ngadalë dhe me kujdes.
Kryerja e reformave reale në këtë fushë është e rëndësishme dhe në fund, shteti është më i lirë financiarisht. Sepse nuk është se ne po shpikim diçka të re, ne kemi shinat e shtruara dhe do zgjedhim trenin, por që fatkeqësisht tek ne treni nuk lëviz siç duhet, është ende i ngadaltë dhe rrimë në stacion.
Reforma pa futjen e partneriteteve private dhe kalimin tërësisht në ekonomi tregu dhe pa privatizim të sektorëve nuk mund të ketë. Nëse nuk hyjnë këto elemente në tregjet përkatëse është njësoj sikur të ndryshosh listën, ta bësh sipas moshës, sipas rendit alfabetik apo diçka tjetër. Ajo nuk është reformë!
Cilat janë planet për të ardhmen në drejtim të zgjerimit, investimeve, produkteve të reja?
Po bëhen gati 20 vjet që nga koha e themelimit të SIGAL, një kompani e konsoliduar, me shumë medalje, me shumë vlerësime, me shumë arritje, ndoshta nuk do ta ekzagjeroja po të thoja që është një shembull për t’u ndjekur për punën, stafet, njerëzit, marrëdhëniet etj.
Ajo që do të ndodhë këto vite do të jetë interesante. Shitjet online dhe investimet në këtë fushë do të jenë pa kufij.
Ndaj, le të ecim për t’ua bërë më të thjeshtë jetën qytetarëve dhe së bashku me shërbimet t’i japim edhe më shumë besim njëri-tjetrit.
Shihni shërbimet, jo politikën!
Hidhni një sy nga vendet e zhvilluara dhe shikoni njerëzit që jetojnë atje. Ata nuk duan ta dinë për politikën, nuk duan t’ia dinë se kush është ministër apo se kush është kryeministër dhe jo në pak raste, nuk e dinë fare se kush e drejton shtetin e tyre. Jo si në Shqipëri ku e gjithë familja, duke filluar nga fëmijët e deri tek i moshuari, gozhdohen përpara televizionit në zgjedhje dhe presin me ankth se cila parti do të fitojë e se kush do bëhet kryeministër. Nëpër botë, qytetarët shohin shoqëritë e sigurimit, bankat, fondet e pensioneve, shohin shërbimet që ju duhen.
Tregu i sigurimeve
Jetojmë në një treg ku gjërat nuk janë të barabarta e madje janë të vështira për shkak të konkurrencës inatçore dhe jo të produktit, për shkak të konkurrencës së çmimit dhe jo të shërbimit, për shkak të konkurrencës së mentalitetit dhe jo të vlerësimit të klientit. Por ne po jetojmë në këtë ambient dhe natyrisht jemi përshtatur. Përpiqemi të tërheqim të tjerët drejt së mirës, drejt konkurrencës së ndershme dhe elementëve pozitivë të tregut, por forca tërheqëse e pjesës që nuk e do tregun, është disa herë më e fortë dhe ndonjëherë na tërheq edhe ne.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.