Shqetësimi i kredive me probleme: Bëhet i detyrueshëm regjistrimi i kontratës së sipërmarrjes nga çdo palë, në të kundërt bankat nuk mund të pretendojnë të drejta përparësore ndaj palëve të treta që e kanë realizuar këtë regjistrim. Është kërkuar pikërisht dhënia fund e veprimeve abuzive të shoqërive ndërtuese në dëm të kreditorëve banka dhe të vetë qytetarëve porositës (shitjet e dyfishta/dhënia e garancisë për kreditë e objekteve të shitura me parë, vendosja garancive për pjesët takuese të pronarëve të truallit etj). ..
Është dorëzuar në Kuvend projektligji “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.33/2012, “PËR REGJISTRIMIN E PASURIVE TË PALUAJTSHME”, I cili synon marrjen e një sërë masash juridike që do të rregullojnë shitjen e apartamenteve, nisur nga shqetësimi që një pjesë e madhe e kredive me probleme është e kolateralizuar me pasuri të patundshme dhe është e koncentruar kryesisht në sektorin e ndërtimit.
Një nga ndryshimet kryesore të propozuara është që shoqëria e ndërtimit do të ketë detyrim ligjor regjistrimin si të lejes së ndërtimit ashtu edhe të kontratave të sipërmarrjes/porosisë, duke rritur dhe sigurinë juridike për ketë kategori koletaralesh.
Projektligji i propozuar ka karakter teknik dhe nuk lidhet me programin politik të Këshillit të Ministrave dhe as me dokumente të tjera politike. Kërkesa për propozimin e këtyre ndryshimeve vjen nga grupi ndërinstitucional i punës, i koordinuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ngritur me urdhrin nr.78, datë 11.6.2015, të Kryeministrit, për çështjen e kredive me probleme në Shqipëri.
Ky grup pune ka hartuar planin e masave i cili ka për synim reduktimin e nivelit të kredive me probleme në sistemin bankar, duke evidentuar masat e duhura, me propozime për ndryshime konkrete, si dhe duke përcaktuar institucionin përgjegjës për secilën masë. Ky plan masash është bashkënënshkruar nga Kryeministri dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Ndryshimet e parashikuara
Projektligji parashikon 3 ndryshime.
Ndryshimi i parë lidhet me riformulimin e pikës 3, të nenit 22, të ligjit në fuqi, ku parashikohet se: “Një pjesë e të ardhurave, që do të rezultojnë të pashpenzuara në fund të vitit financiar, trashëgohen në buxhetin e vitit ushtrimor pasardhës dhe kalojnë në fondin rezervë vjetor, masa e krijimit dhe kriteret e përdorimit të të cilit caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Të ardhurat e tjera të papërdorura të vitit korent mbarten në vitin buxhetor pasardhës dhe përdoren për projektet e investimeve në drejtim të regjistrimit fillestar, përmirësimit/përditësimit të të dhënave që administron Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si dhe dixhitalizimit të sistemit dhe të të dhënave të pasurive të paluajtshme.”.
Ndryshimi i dytë lidhet me riformulimin e pikës 2, të nenit 46, të ligjit në fuqi, sepse kjo pikë nuk zgjidh çështjen e sigurisë juridike të palës së tretë, lidhur me kontratat e sipërmarrjes/porosisë mbi ndërtimet e reja, pasi regjistrimi i këtyre akteve juridike lihet në vullnetin e palës se interesuar (porositësit/blerësit), gjë që dëmton palët e treta që mund të jenë banka kredituese.
Sipas propozimit të grupit të punës, u riformulua kjo pikë e nenit 46, duke e bërë të detyrueshëm regjistrimin e aktit juridik (kontratës së sipërmarrjes) nga çdo palë, në të kundërt bankat nuk mund të pretendojnë të drejta përparësore ndaj palëve të treta që e kanë realizuar këtë regjistrim.
Riformulimi i këtij neni bën që regjistrimi të mos rrezikojë për të qenë fakultativ. Është kërkuar pikërisht dhënia fund e veprimeve abuzive të shoqërive ndërtuese në dëm të kreditorëve banka dhe të vetë qytetarëve porositës (shitjet e dyfishta/dhënia e garancisë për kreditë e objekteve të shitura me parë, vendosja garancive për pjesët takuese të pronarëve të truallit etj). Synimi përmes këtij riformulimi është bërja e detyrueshme e këtyre regjistrimeve. Pra, shoqëria e ndërtimit do të ketë detyrim ligjor regjistrimin si të lejes së ndërtimit ashtu edhe të kontratave të sipërmarrjes/porosisë, duke rritur dhe sigurinë juridike për ketë kategori koletaralesh.
Gjithashtu, nga grupi i punës është sugjeruar të rishikohe edhe neni 47, sa i përket çështjes së regjistrimit të karabinave dhe statusit të mëtejshëm me këtë pasuri, kur kalon në pronësi të një banke kreditore, në përfundim të procedurave përmbarimore. Shqetësuese është mënyra se si është konceptuar në ligj “statusi i karabinasë” dhe veçanërisht pamundësia e transaksioneve me këto pasuri të paluajtshme, çka përbën një ngërç ligjor për bankat kreditore, duke i penalizuar ato për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve nga shoqëritë ndërtuese. Në bazë të këtij konstatimi, propozohet që në nenin 47 të shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje: “3/1. Kur në përfundim të procedurave përmbarimore, karabinaja kalon në pronësi të një banke kreditore, regjistruesi lëshon dokumente të përkohshme në favor të kryerjes së transaksioneve nga ana e bankës, e cila ka të drejtë të disponojë dhe të tjetërsojë me të tretët këtë pasuri. Regjistrimi i karabinasë dhe certifikatat/vërtetimet e përkohshme janë të vlefshme deri në regjistrimin përfundimtar të ndërtimit të ri, sipas nenit 48, të këtij ligji.”.
Në projektligj parashikohet edhe një dispozitë kalimtare, ku përcaktohet se përjashtimisht, të gjitha të ardhurat e krijuara dhe të papërdorura të vitit 2015 do të mbarten në vitin 2016 dhe do të përdoren për projektet e investimeve në drejtim të regjistrimit fillestar, përmirësimit/përditësimit të të dhënave që administron Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si dhe dixhitalizimit të sistemit dhe të të dhënave të pasurive të paluajtshme.
Projektligji propozohet të miratohet me procedurë të përshpejtuar për arsye se në fund të muajit mars mbyllet bilanci vjetor dhe të gjitha të ardhurat e papërdorura duhet të derdhen në buxhetin e shtetit sipas ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe udhëzimit për mbylljen e pasqyrave financiare. Sa më sipër, ndryshimet ligjore janë të nevojshme të bëhen para kësaj periudhe, meqë të ardhurat e papërdorura janë gjendje në llogaritë rrjedhëse të ZRPP-së në bankat e nivelit të dytë, deri në momentin e mbylljes së bilancit.
Kreditë me probleme në ndërtim
Kreditë me probleme janë konsideruar si një çështje shqetësuese për Shqipërinë. Edhe pse vendi ynë nuk vuajti menjëherë pasojat e krizës globale financiare dhe krizës në euro, niveli i kredive me probleme u rrit në mënyrë të qëndrueshme. Një pjesë e madhe e kredive me probleme është e kolateralizuar me pasuri të patundshme dhe është e koncentruar kryesisht në sektorin e ndërtimit. Ky problem është evidentuar edhe nga FMN-ja dhe Banka Botërore si një nga problemet më kryesore me të cilën përballet vendi ynë.
Për këtë arsye, me kërkesë të autoriteteve shqiptare, një mision i asistencës teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) u paraqit në Tiranë gjatë periudhës 27 prill – 4 maj 2015 për të ndihmuar autoritetet shqiptare në zhvillimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për adresimin e situatës së kredive me probleme (NPL) në sistemin financiar shqiptar. Në raportin përfundimtar të dërguar nga FMN-ja është konkluduar se trajtimi i problemit të NPL-ve është i rëndësishëm për ringritjen e nivelit të kreditit në Shqipëri.
Në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për këtë problem u sugjerua ngritja e një grupi pune ndërinstitucional të nivelit të lartë, i cili kishte si synim adresimin dhe reduktimin e nivelit të kredive të këqija në sistemin bankar.
Grupi i punës u përqendrua në faktin se, në përgjithësi, kur nivelet e NPL-ve janë vazhdimisht të larta në një ekonomi të caktuar, ato tregojnë ekzistencën e një sërë problemesh më të thella në sistemin juridik. Në raportin e dorëzuar nga FMN-ja theksohen fusha të caktuara në kuadrin ligjor, ku një përpjekje për të përmirësuar më tej këtë kuadër ligjor mund të prodhojë rezultate më të mira në uljen e nivelit të NPL-ve.
Reforma të mëtejshme në të gjitha fushat juridike konsiderohen ato në sistemin e taksave, ristrukturimin e borxhit, të zbatimit të borxhit dhe të mosaftësisë paguese. Reformat ligjore duhet të zbatohen në koordinim me veprimtarinë mbikëqyrëse dhe rregullatore në mënyrë që ato të kenë një zbatim sa më të saktë dhe në kohë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.