Ministri i Energjisë dhe Industrisë i Shqipërisë, Damian Gjiknuri, gjatë një vizite me homologun e tij sot në Kosovë, kanë zhvilluar bisedime për krijimin e një tregu të përbashkët energjie mes dy vendeve.
Si kryefjalë e bisedimeve ishte zhvillimi i mëtejshëm i kapaciteteve për krijimin e një zone të vetme tregtare.
Gjiknuri dhe homologu Stavileci thanë se studimet që i kanë paraprirë këtij tregu të përbashkët të energjisë, kanë dëshmuar se themelimi i tij përpos që është teknikisht i mundshëm, është edhe ekonomikisht i leverdishëm për të dyja shtetet.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë themeluar edhe Komitetin Drejtues të përbashkët të udhëhequr nga ministritë përkatëse dhe të përbërë nga përfaqësuesit e autoriteteve rregullatore dhe operatorëve të sistemit të transmetimit dhe tregut të energjisë.
Në këtë komitet të drejtë vote do të ketë ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, ministri i Energjisë dhe Industrisë i Shqipërisë, kryesuesi i Bordit të ZRRE së Kosovës, kryesuesi i Bordit të ERE së Shqipërisë, kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT të Kosovës dhe administratori i OST të Shqipërisë.
Gjiknuri kryesonte delegacionin, në përbërje të të cilit ishte edhe kryetari i Entit Rregullator, Petrit Ahmeti, administratori i OSHEE-së, Adrian Çela, administratori i OST-së Engjell Zeqo dhe administratori i KESH-it, Agron Hetoja
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.