“Shqipëria dixhitale është Shqipëria e shërbimit më të qytetëruar dhe më transparent dhe në realizimin e plotë të kësaj nisme në mbarë vendin janë 120 projekte, të cilat ecin me shpejtësi”. Kështu u shpreh sot Kryeministri, Sali Berisha gjatë aktivitetit për dixhitalizimin e hipotekës.
“Projektet e hipotekës meritojnë të klasifikohen si më të shkëlqyerat. Brenda një kohe të shkurtër kjo zyrë e shndërroi në realitet, një nga shërbimet më jetike për qytetarët. Gjurmimi është forma më e pastër, më transparente, më e shpejtë më e pakushtueshme për qytetarin dhe biznesmenin, por njëkohësisht ajo është një mekanizëm jashtëzakonisht rëndësishëm në disiplinimin e burokratëve të administratës, zyrtarëve të saj”, vuri në dukje Berisha.
Sipas kreut të qeverisë, ky sistem mbi të gjitha u jep qytetarëve shqiptarë kohën.
“Ne më shumë se çdo gjë përpiqemi me reformat tona që t’u japim atyre kohën: më të çmuarën. Ndërtojmë rrugë që t’u shkurtojmë distancën. Vendosim këtë sistem se duam me çdo kusht që të shpenzojmë kohën minimale për të kursyer kohën e tyre”, u shpreh Berisha, sa i takon një çështje të tillë.
Njëkohësisht, në fjalën e tij përshëndetëse, shefi i qeverisë evidentoi një element të këtij projekti, ku vendosja e sistemit të gjurmimit u ndërtua nga ekipi i IT-së së zyrës, për këtë arsye, Berisha përcolli urimet për ekipin që mundësoi një projekt të tillë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.