Flet Blerina Ago, eksperte e turizmit dhe themeluese e rafting
Pushimet në Shqipëri nuk mund të kufizohen vetëm me një shezlong te deti, me një koktej te dora apo një “schiuma party” nën një muzikë të çmendur. Ky është vetëm një nga opsionet që ofron vendi ynë, ashtu sikurse sot gjithmonë e më shumë, Shqipëria e aventurës po tërheq vëmendje.
Blerina Ago, eksperte e turizmit dhe themeluese e rafting, në një intervistë për “Monitor” zbulon se cilat janë aktivitetet më të pëlqyera që kategorizohen te turizmi i aventurës, çfarë mund të bëjë vendi ynë për shfrytëzimin e potencialit që ka por, mbi të gjitha, si të maksimizojë përfitimin nga ata që e vizitojnë.
Viteve të fundit, turizmi i aventurës ka fituar disi vëmendje duke mos nënkuptuar pushimet thjesht pushime pasive te bregu i detit. Si paraqitet potenciali i Shqipërisë në atë që njihet si turizëm aktiv dhe me adrenalinë?
Ky është potenciali më i madh për rritjen e turizmit në Shqipëri. Banka Botërore vlerëson se, aktualisht, janë rreth 30,000 turistë aventure në Shqipëri në vit, kjo mund të rritet deri në 100,000 me promovimin e synuar dhe zhvillimin e produkteve. Turistët e aventurës qëndrojnë 7-9 ditë në vendin pritës dhe shpenzojnë 26000 lekë/ditë. Të ardhurat e pritura nga turizmi i aventurës: 100.000 x 7 x 26000 = 18200000000 lekë (afërsisht 172 milionë dollarë)
Turizmi i aventurës mund të zhvillohet jashtë sezonit të verës dhe për 12 muaj të vitit. Turizmi i aventurës angazhon komunitetet rurale dhe lidhet me mundësitë e agroturizmit, Eko dhe gjeoturizmin. Ai nxit punësimin e të rinjve në zona rurale, duke luftuar emigracionin apo migrimin e brendshëm. Baza e aseteve të Shqipërisë është shumë e përshtatshme për këtë lloj turizmi, trashëgimi kulturore, rurale, natyrore etj. Produkti i diversifikuar duhet të jetë një markë e fortë për Shqipërinë. Turizmi i aventurës është një mundësi e mirë për të lidhur produktet mes vendeve fqinje, për të rritur ofertën turistike, për të qenë më konkurrues në tregun botëror dhe për të forcuar bashkëpunimin rajonal.
Është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që të rritet turizmi jashtë sezonit të verës. Aktualisht, sezoni i verës mbush gjithë strukturat akomoduese dhe shërbimet e lidhura turistike dhe ne nuk kemi kapacitet të presim më shumë. Prandaj, Shqipëria duhet të promovojë produkte të reja që nuk janë të lidhura vetëm me diellin dhe detin, por që zhvillohen 12 muajt e vitit dhe t’i nxisë turistët të vizitojnë destinacione të reja turistike, në zona të tjera të Shqipërisë.
Si ta kuptojmë turizmin e aventurës, çfarë përfshin në vetvete ky lloj turizmi?
Turizmi i aventurës mund të identifikohet edhe si lloji i turizmit që nuk është turizëm masiv. Ai është një ndërthurje e të paktën dy prej elementeve të natyrës, kulturës dhe aktivitetit fizik. Është elastik. Turistët aventurierë janë të pasionuar dhe kanë interes për vendet, të cilat më parë kanë vuajtur një pengesë domethënëse në zhvillimin e turizmit, për shkak të ngjarjeve politike apo natyrore. Adventure Travel Trade Association raporton se shumë operatorë turistikë krijojnë paketa për të vizituar këto vende për turistët, të cilët kërkojnë përvoja autentike. Këta turistë janë ambasadorët e parë të promovimit të destinacionit që kanë vizituar dhe promovuesit më besnikë të tij.Turistët e aventurës janë të gatshëm të paguajnë më shumë për përvoja autentike. Ata janë shumë të ndjeshëm ndaj kulturës lokale dhe mjedisit. Ky lloj turizmi mbështet ekonominë lokale.
Turizmi i aventurës mbështet ekonominë lokale. Në turizmin masiv, 80% e shpenzimeve të turistëve shkon për bileta avioni, hotele dhe operatorë turistikë ndërkombëtarë, që kryesisht operojnë jashtë vendit pritës. P.sh., në 10.000 lekë të shpenzuara për një ditë, vetëm 500 lekë qëndrojnë në destinacionin turistik. Sipas vlerësimit të tur-operatorëve, 67% e kostos totale të paketës së turizmit aventurë qëndron në destinacionin e vizituar.
Sa është kostoja mesatare e aktiviteteve që përfshihen te turizmi i aventurës në përgjithësi?
Është e vështirë të flasësh për kosto, pasi aktivitetet janë të larmishme dhe të niveleve nga më të thjeshtat deri tek ato impenjative. Të gjitha sportet kërkojnë një bazë minimale sigurie dhe shoqërimin nga një instruktor profesionist, gjë që i jep një kosto të caktuar, por të papërfillshme krahasuar me shërbimin dhe kënaqësinë që merr. Në vendet fqinjë, këto aktivitete ofrohen të paktën dy herë më shtrenjtë. Gjithsesi ka shumë mundësi si vullnetarizmi, për të gjithë të rinjtë të cilët mund të kontribuojnë pranë operatorëve turistikë, duke i ofruar aftësitë që kanë në shkëmbim të përjetimit të aventurave të ndryshme.
Sa e pëlqejnë të huajt dhe shqiptarët këtë lloj turizmi, grupmoshat, si organizohen, në grupe apo edhe individë?
Për shqiptarët, ky lloj turizmi është trend dhe shumë të rinj të mijëvjeçarit të ri (millennialls) po e kthejnë në stil jetese të pushuarit aktiv.
Për sa u përket turistëve të huaj, kam bindjen se Shqipëria aktualisht është gati të mirëpresë dhe t’i përcjellë të kënaqur vetëm turistët e aventurës. Turizmi i aventurës është tashmë një trend botëror. Nga studimet e kryera, turistët kërkojnë gjithnjë e më shumë pushime aktive dhe marrjen e përvojave autentike, duke u angazhuar me banorët e zonës dhe duke mbështetur komunitetin lokal. Rreth 60% janë femra, kryesisht të rinj deri në moshën 40 vjeç dhe udhëtojnë jo vetëm grup apo çift, por edhe vetëm.
Si mund të thithë Shqipëria më shumë turistë?
Besoj se janë tre faktorë kyç, të cilët e kthejnë një vend në destinacion botëror turistik. Së pari, mundësitë e bollshme të rekreacionit/aktiviteteve argëtuese. Shqipëria është kaq e bekuar, me një kulturë të lashtë, natyrë të paprekur dhe trashëgimi autentike. Ne kemi shumë punë për të bërë, për të zhvilluar produktet turistike, duke i bërë këto vende lehtësisht të arritshme për turistët dhe plot aktivitete për t’u argëtuar, por duke pasur ndikim sa më të ulët në mjedis.
Së dyti, aftësia për të rekrutuar dhe për të mbajtur një fuqi punëtore të shëndetshme, të aftë dhe produktive. Me dhimbje jam dëshmitare e emigrimit të të rinjve çdo ditë nga vendlindja dhe kjo gjë, e kërcënon seriozisht trashëgiminë dhe ekonominë lokale. Duhet të tërheqim praktikat më të mira për formimin profesional të të rinjve dhe orientimin e tyre dhe të komunitetit drejt një turizmi të qëndrueshëm. Edukimi në turizëm duhet të jetë ftues për të gjithë të rinjtë që duan të bëjnë një ndryshim pozitiv për Shqipërinë.
Së treti, një mjedis pro-biznesi dhe paketë konkurruese e taksave. Kostoja e të ofruarit turizëm në Shqipëri duhet të jetë sa më e ulët, në mënyrë që tërhiqen investitorë dhe qeveria duhet të ofrojë lehtësi dhe subvencione për startup-et dhe gjithë personat që kanë marrë guximin të investojnë në një industri të brishtë si turizmi, duke krijuar një ekosistem funksional zhvillimi dhe rritje në këtë drejtim.
Sezoni turistik veror kufizohet në maksimumi 4 muaj, ndërsa ai i aventurës gjithë vitin. Çfarë mendoni se duhet bërë për të përmirësuar përvojën e turistëve në vendin tonë?
Së pari, forcimi i sigurisë. Turistët duhet të ndihen të sigurt gjatë udhëtimit të tyre në Shqipëri. Duhet një qendër emergjencash me funksionalitetin më të lartë, e gatshme të bëjë ndërhyrje nga ajri, uji dhe toka në çdo moment. Gjithashtu, turistët gjatë aktivitetit të tyre duhet të kenë të gjitha pajisjet e nevojshme në përputhje me normat e KE-së dhe duhet të shoqërohen nga guida profesionale, të cilët janë të përgatitur dhe kanë aftësinë të përgjigjen në menaxhimin e situatave të ndryshme. Duhet një bashkëpunim i ngushtë me të gjithë sektorët si sporti, shëndetësia, transporti, bujqësia, kultura, mjedisi etj., për të sjellë produkte cilësore, të cilat do të na bëjnë konkurrues në rajon dhe më gjerë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.