INTERVISTA/Flet Rolf Castro-Vasquez, Drejtori i ri i Përgjithshëm i Operimeve i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës
Si ka qenë ecuria e aeroportit gjatë 2012 kundrejt vitit 2011? Sa ishte numri i pasagjerëve, fluturimeve?
Në vitin 2012, Tirana International Airport (TIA) u ka shërbyer 1.665.000 pasagjerëve. Ka pasur reduktim të numrit të pasagjerëve me 8.4 për qind në krahasim me vitin e mëparshëm 2011, por duhet të kemi parasysh se ky vit, pra 2011, ishte viti i liberalizimit të vizave dhe lëvizjet e pasagjerëve u shtuan falë këtij faktori të rëndësishëm social, duke arritur shifrën e rreth 1.8 milionë pasagjerëve. Për sa u përket numrit të fluturimeve të vitit 2012, rezultantja ka qenë 6.266, me një rënie prej 10.7 për qind në krahasim me 2011-n.
Si e prisni vitin 2013, me rënie apo me rritje? Sa po ndikon kriza ekonomike?
Besoj se do të kemi rritje të kënaqshme për 2013-n, në krahasim me parashikimet e faktorëve makroekonomikë në vend dhe rajon. Hapi i parë i mirë është përurimi së fundmi i fluturimit të linjës direkte Tiranë – Amsterdam, dedikuar turistëve që duan të vizitojnë Shqipërinë. Kjo linjë që operohet nga “ArkeFly” e “TUI Group” do të jetë një zhvillim pozitiv për imazhin e Shqipërisë, si vend që ofron kënaqësi dhe pushime të veçanta, por gjithashtu do të rrisë dhe numrin e pasagjerëve sidomos për sezonin veror. Gjithashtu, disa kompani ajrore si “Alitalia”, “AirOne”, “Turkish Arlines” dhe “Adria Airways”, i kanë shtuar frekuencat e fluturimeve të tyre nga TIA, duke ofruar më shumë mundësi zgjedhjeje për pasagjerët që udhëtojnë në destinacione direkte apo transit. Udhëtimet ajrore janë të parat që ndikohen në një situatë financiare jo të qëndrueshme, por mund të them që gjërat, me ngadalë, pritet të kthehen aty ku ishin. Tregu po rifiton besimin. Pra, duhet të jemi optimistë.
A ka interes nga linja low-cost për të hyrë në Shqipëri?
Padyshim që ka interes. Interesi i tyre është i vazhdueshëm për t’u lidhur me Shqipërinë. E vetmja pikë e diskutueshme është faktori i numrit të pasagjerëve dhe i potencialit të udhëtarëve që mund të fluturojnë gjatë gjithë vitit. Kompanitë low-cost duhet të kenë një numër të caktuar udhëtarësh që të mund të fillojnë operimet. Por parashikimet e trafikut ajror vlerësojnë se këto kompani do të kishin sezon të shkurtër dhe momentalisht ky fakt e tkurr mundësinë e hyrjes së tyre në Shqipëri. Aktualisht ka disa linja ajrore low-cost që operojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, si “Belle Air”, “Air One”, apo “JetAir Fly”.
Kompanitë ajrore kanë deklaruar se taksat aeroportuale në Shqipëri janë të larta, prandaj edhe çmimet e biletave këtu janë më të larta se në rajon. Ju çfarë komenti keni për këtë?
Mendoj se taksat aeroportuale janë në përpjesëtim të drejtë me standardet që Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ofron për secilën kompani që operon në Shqipëri. Taksat janë pothuajse në të njëjtin nivel me taksat e aeroporteve të rajonit. Dhe për më tepër, mendoj se kemi një paketë marketingu shumë tërheqëse për kompanitë e reja që duan të hyjnë në Shqipëri, apo të shtojnë frekuencën e fluturimeve dhe numrin e pasagjerëve. Ne jemi shumë të hapur për një bashkëpunim të mirë dhe për qëllimin e përbashkët: rritjen e numrit të pasagjerëve, sigurinë dhe komoditetin e tyre në udhëtim. Jemi përpjekur shumë të kontribuojmë në lobimin për heqjen e taksës së kufirit aeroportual prej 10 eurosh që është i detyrueshëm për çdo pasagjer që kalon nëpërmjet aeroportit. Sigurisht që arsyet e mbajtjes së kësaj takse nga shteti shqiptar mund të jenë të forta, por pasojat e heqjes së saj, besojmë, do të çmohen nga çdo operator dhe çdo person që viziton TIA-n.
A do të ndryshojë menaxhimi i aeroportit pasi siç kanë publikuar mediat ndërkombëtare, HOCHTIEF AG (HTA, kompania më e madhe gjermane e ndërtimit, ka rënë dakord që të shesë divizionin e saj të aeroporteve te “Public Sector Pension Investment Board” (PSP Investments) e Kanadasë?
Jemi të kënaqur që procesi i shitjes u mbyll me sukses. I urojmë suksese HOCHTIEF AirPort dhe investitorit të saj të ri dhe të besueshëm. Kjo blerje nuk do të ketë efekte apo ndryshime në Tirana International Airport (TIA). Aksioneri ynë vazhdon të jetë i HOCHTIEF AirPort dhe nuk priten ndryshime në Këshillin Administrativ dhe homologëve të tjerë të TIA-s brenda HOCHTIEF AirPort. Do të vazhdojmë të punojmë me përkushtimin e njëjtë dhe devotshmërinë e këtyre tetë viteve të operimeve si Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.