Qeveria e Kosova ka hartuar projektligjin që parashikon kthimin e lojërave të fatit në Kosovë, aktiviteti i të cilave ishte ndaluar që në prill të vitit 2019.
Sipas këtij projektligji, Qeveria planifikon që në kuadër të Lotarisë t’i kategorizojë disa veprimtari. Mirëpo, sot Qeveria ka shtyrë afatin e miratimit në qeveri të Projektligjit për Lotarinë e Kosovës.
Lojërat e fatit do të mbesin të paligjshme edhe për një kohë në Kosovë.
Kjo pasi që qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, e ka shtyrë afatin e miratimit në qeveri të Projektligjit për Lotarinë e Kosovës.
“Me vendimin e parë të miratuar sot nga kabineti qeveritar është bërë ndryshimi dhe plotësimi i Programit Legjislativ të vitit 2020, sipas të cilit shtyhet afati i miratimit në Qeveri i Projektligjit për Partneritetin Publiko-Privat (MF), Projektligjit për Financat e Pushtetit Lokal (MF), Projektligjit për Lotarinë e Kosovës (MF), dhe Projektligjit për Borxhin Publik (MF)”
Projektligji në fjalë kishte 30 nene, dhe shpjegonte në tërësi se si do të funksionojnë lojërat e fatit në të ardhmen.
Sipas projektligjit në fjalë, e drejta ekskluzive e organizimit të lojërave të fatit i lihej vetëm lotarisë së Kosovës.
“Në kapitullin e tretë të këtij Projektligji rregullohen çështjet e funksionimit të Lotarisë, ku përcaktohet që Lotaria ka subjektivitet juridik dhe ekskluzivitet në organizimin e lojërave të fatit, pa të drejtë delegimi apo autorizimi të subjekteve tjera”, thuhej në dokumentin shpjegues të Qeverisë së Kosovës për Projektligjin për Lotarinë.
Lexo edhe këtë: Kosova kthen bixhozin dhe bastoret
“Lotaria është institucion i vetëm në Republikën e Kosovës e cila ka autorizim për organizimin e lojërave e fatit në Republikën e Kosovës”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 17.
Projektligji për Lotarinë e Kosovë tutje shpjegonte edhe për llojet e lojërave të fatit të cilat do të jenë nën menaxhimin e Lotarisë së Kosovës, dhe të cilat përfshinin lojëra numerike, prognoza sportive(bastore), dhe lojëra të tjera të ngjashme.
“Lojërat numerike, Lotaria instant/ekspres, prognozat sportive, bastet në numra apo ngjarje tjera dhe Lojëra tjera të ngjashme ku rezultatet bazohen në rastësi”, thuhej aty.
Me vendimin e sotëm të qeverisë, rihapja e lojërave të fatit pritet të ndodhë në një të ardhme më të largët.
Pas votimit në qeveri, projektligji në fjalë duhet të shkojë në Kuvend për miratim, nga ku edhe duhet të kalojë në dy lexime.
Ndryshe, Ligji që ndalonte lojërat e fatit kishte hyrë në fuqi më 10 maj të vitit të kaluar.
Kjo kishte ndodhur pas disa rasteve kriminale nëpër disa kazino në Kosovë, të cilat kishin qenë cak i grabitjeve të armatosura, e ku ishin shënuar edhe viktima.
Ndryshe, nga Programi Legjislativ i vitit 2020 është tërhequr Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Doganor dhe të Akcizave; Projektligji për Agjencinë e Tatimeve dhe Doganës; Projektligji për Administratën Tatimore dhe Procedurat; Projektligji për Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare jo Bankare; Projektligji për Tatim në të Ardhurat Personale; dhe Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Të njëjtat janë bartur në programin e vitit 2021.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.