Prof .Dr. Ingrid Shuli, përgjegjëse e Departamentit të Kontabilitetit në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës mendon se reformat e ndërmarra në këtë katër vjeçar janë një bazë e fortë për një vijim të shëndoshë në shumë sektorë në periudhat në vijim.
Shuli beson se mbas çdo propozimi për uljen apo ndryshimin e sistemit të taksimit duhet të bëhen studime e analiza serioze, profesionale, nga ana e ekspertëve të ekonomisë, financave e politikave të zhvillimit. Por përkundrejt presionit për të mbledhur taksat, faturat e çdo detyrim tjetër sipas ligjit, Shuli mendon se, paratë duhen shpenzuar me kujdes. Ajo tha se, pavarësisht lehtësirave të krijuara për biznesin akoma investimet e huaja nuk janë në nivelin e pritur.
Ajo pohon se reforma në arsim solli ndryshim të rëndësishëm në administrimin e arsimit të lartë e një ndarje të qartë të fushës akademike me administrimin, por pohoi se ka një vonesë në aplikimin e ligjit dhe që krijon problem të funksionimit të arsimit të lartë.
Shuli mendon se reforma e energjisë dha efekte pozitive, por ka ende nevoje për një periudhe për t’u vlerësuar efektet, sidomos në eficencën e investimeve.
Reforma e taksave. Sa efekt pati sistemi progresiv dhe aksioni antiinformalitet në zhvillimin e përgjithshëm dhe veçanërisht në rendimentin fiskal?
Në logjikën e taksave ka disa parime bazë që nuk mund t’u shmangesh. Së pari, sasia në vlerë absolute e taksave që duhen mbledhur (ngarkesa fiskale e shprehur si përqindja e të ardhurave nga tatimet/taksat në raport me PBB), e cila është baza për të furnizuar buxhetin e vendit; së dyti, struktura e mbledhjes së tyre që garanton këtë vlerë absolute (përqindjet nga taksimi i të ardhurave personale, fitimit, pronës, konsumit etj). Lidhur me sistemin tatimor është e nevojshme të ketë informim të vazhdueshëm të publikut, në kuadrin e edukimit të njerëzve me respektimin e ligjit. Besoj se mbas çdo propozimi për uljen apo ndryshimin e sistemit të taksimit duhet të bëhen studime e analiza serioze, profesionale, nga ana e ekspertëve të ekonomisë, financave e politikave të zhvillimit.
Për mendimin tim më i rëndësishëm se diskutimi mbi formën e tatimit progresiv ose jo, është ndërgjegjësimi i taksapaguesve me detyrimin e pagimit të tatimeve e taksave. Pavarësisht rritjes së formalizimit sidomos në sektorin e biznesit të vogël, heqjes së tatimeve të këtij biznesi dhe rritjes të formalizimit të njerëzve të punësuar në këtë segment, ky proces nuk ka ndikuar me të njëjtin ritëm rritje pas aplikimit të sistemit progresiv në të ardhurat e punësimit. Aktualisht shumë biznese edhe pas aksionit antiinformalitet mund të bëjnë evazion lidhur me shumat e deklaruara të të ardhurave të punësimit duke lënë pagesa minimale, të cilat i kanë efektet e tatimeve shumë të ulëta. Ky aksion ka rritur numrin e të punësuarve në ritme shumë të kënaqshme, por jo tatimin e të ardhurave. Gjithsesi, situata në rendimentin fiskal ka ndryshuar më shumë 2 vitet e fundit si rrjedhojë e masave të marra për rritjen e formalitetit pas reformave të qeverisë të aplikuara nën mbikëqyrjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Efektet e këtyre masave janë konstatuar që në 6 mujorin e parë të këtij viti.
Duke i dhënë një rol të rëndësishëm forcimit të administratës tatimore, si pjesë aktive e zbatimit të reformës, do sugjeroja që administrata tatimore të rekrutojë më të mirët, nisur vetëm nga kritere profesionale, duke shmangur punësimin në këta sektorë delikate sipas kritereve subjektive, politike, etj. Nëqoftëse në Fakultetin e Ekonomisë trokasin një mori biznesesh private nga më konkurrueset për të punësuar studentet tanë, është rasti që edhe administrata tatimore të bëjë të njëjtën gjë.
Përkundrejt presionit për të mbledhur taksat, faturat e çdo detyrim tjetër sipas ligjit, paratë duhen shpenzuar me kujdes. Këtu do të përfshija eficiencën e fondeve të alokuara për investime, ende realizimi i tyre është më i ulët se plani, shkurtimin e pagesave për shtresat në nevojë, etj., Këto e deformojnë qëllimin e grumbullimit te taksave.
Sërish mendoj që më shumë se sa sistemi progresiv apo taksë e sheshte, ndikon administrimi i këtyre taksave të mbledhura.
Reforma e energjisë. Sa efektshme rezultoi sipas jush?
Edhe në këtë sektor do të veçoja si shumë të rëndësishëm ndërgjegjësimin e përdoruesve të energjisë elektrike për të paguar për atë që konsumojnë. Puna e bërë qysh në vitin e parë të qeverisjes, për të formatuar sjelljen e individëve e të bizneseve, duke i detyruar te paguajnë faturat, më parë ato të vjetra të periudhave të mëparshme, me duket shumë me vend. Pra, të gjithë janë të detyruar të paguajnë energjinë e konsumuar, shteti duhet të mbështesë në të gjitha mënyrat shtresat në nevojë. Kishte zona të tëra në vend që nuk paguanin energjinë e konsumuar. Kjo i sillte humbje të mëdha korporatës së energjisë, por edhe buxhetit të shtetit.
Reforma e energjisë është një nga reformat e para të ndërmarra nga qeveria aktuale, e cila rezultoi e suksesshme që në vitin e parë të saj. Edhe sipas vlerësimeve të FMN-së është sektori, i cili ka rezultuar efektiv dhe ka sjelle ulje të vazhdueshme të nivelit te humbjeve në tre vitet e fundit dhe sinkronizim të të gjithë sistemit energjetik të prodhimit – transmetimit dhe shitjes së shpërndarjes. Aktualisht është një ndër kontribuuesit kryesore të buxhetit të shtetit në TVSH dhe të ardhura dhe gjatë këtyre tre viteve buxheti ka ulur ndjeshëm mbulimet e këtij sektori me fonde. Situata energjetike duket e shëndoshë.
Më mire duhet të punohet në drejtim të përdorimit me efektivitet të fondeve të investimeve. Psh., transformatorët që vendosen nëpër zona të ndryshme. Sapo janë vendosur, mendohet së janë të reja, por pësojnë defekte të herëpashershme. Kjo do të thotë se, janë blerë transformatorë jocilësorë, të mos hyjmë pastaj të analizojmë çmimet më të cilat janë blerë. Mendoj se duhet të bëhet kujdes me procedurat e përzgjedhjes së firmave që do furnizojnë me këta transformatorë etj.
Megjithatë, në tërësi mendoj se reforma ka rezultuar e suksesshme, por ka ende nevoje për një periudhë për t’u vlerësuar efektet.
Reforma territoriale. Sa e dobishme ka rezultuar në zhvillimin e rajoneve?
Reforma territoriale është në hapat e saj fillestare dhe akoma është herët për të vlerësuar efektet e saj. Ka një tranzicion midis kalimit të shërbimeve nga qeverisjes qendrore dhe të ajo lokale e cila do kohen e saj, qoftë me rritjen e përvojës së qeverisjes lokale në këto procese të reja, qoftë në realizimin e projekteve të zhvillimit te tyre. Pavarësisht kësaj, 2 vitet e fundit janë rritur investimet në rajonet e ndryshme në rregullimin e territorit pothuaj në të gjithë vendin. Pritet që kjo reformë të rrisë cilësinë e shërbimit në komunitet. Vlerësoj se 61 njësi administrative janë më shumë efektive se 384 njësi që ishin më parë. Një nga arsyet për këtë pohim është përdorimi i fondeve që u jepeshin këtyre njësive, të cilat ndaheshin në një numër të madh njësish administrative. Sa me të shpërndara, aq me e vështirë është të kontrollohet miradministrimi i tyre, por edhe efektiviteti i përdorimit të tyre.
Këto 61 njësi, për shkak të ekonomisë së shkallës kanë më shumë burime dhe shanse për decentralizim efektiv të qeverisjes. Madje zhvillimet tregojnë që sektorët e bujqësisë, agropërpunimit, turizmit, në kushtet dhe të plotësimit relativ të infrastrukturës, po krijojnë dinamika zhvillimi., përveç të tjerave në një mase të madhe edhe për shkak të hartës së re të ndarjes administrative. Në dijeninë time, hartimi i strategjive të zhvillimit afatmesëm e afatgjate të 61 njësive, në një vështrim të grupuar rajonal, me marrjen e mendimit të komuniteteve përkatëse, mundëson rritjen e eficiente të shpenzimeve lokale dhe përdorim të mirë të fondeve. Në njësi vendore si Belshi, Tropoja, Gramshi etj., të cilat kanë paraqitur projekte të mira për zhvillim në fushën e turizmit, por jo vetëm, lexohet prirja e transformimit të këtyre fondeve, në zhvillim të këtyre zonave.
Shembulli me i mirë i grupimit në 61 njësi administrative është Tirana. Po shohim se fondet po përdoren për shumë objekte, në sektorë të ndryshëm, por edhe me shpërndarje territoriale të larmishme. Po punohet jo vetëm në qendër të Tiranës, por edhe në periferi të saj, edhe në komunat e përfshira në Bashkinë Tiranës. Po shohim që po investohet në fshatra, të cilat duke qenë në varësinë e komunave, nuk kishin pasur investime në rrugë, apo në fuqizimin e sektorit të argoturizmit prej vitesh.
Reforma në klimën e biznesit (ambienti i taksave, reformat rregullatore, procedurat). A kanë krijuar një ambient komod për bizneset?
Reforma në këtë drejtim ka një prirje pozitive. Nisur nga analizat që bëjnë organizmat ndërkombëtare, vërehet një përmirësim në renditjen e Shqipërisë, duke nxjerrë në pah disa arritje si: treguesit për lirinë ekonomike, për lirinë nga korrupsioni, përmirësimi i aftësisë konkurruese, thjeshtimi i dhënies së lejes së ndërtimit, marrja e energjisë dhe shpejtësia e lidhjes në rrjet, pagesa e taksave.
Pavarësisht lehtësirave të krijuara për biznesin, akoma investimet e huaja nuk janë në nivelin e pritur. Klima e besimit në biznes është akoma e brishtë nisur edhe nga situata politike në rajon.
Reforma në arsim. Çfarë efektesh dha çfarë pritet?
Reforma në arsim është ende në fazat e saj fillestare. Por, pavarësisht kësaj vendosja e kritereve të pranimit nga universitetet i bën studentet të jenë më të kujdesshëm në përzgjedhjet e tyre. Besoj se ky vit do të jetë më i suksesshëm dhe kandidatet për studentë do jenë më të kujdesshëm dhe të saktë në përzgjedhjet e tyre, dukë mësuar nga eksperienca e vitit të kaluar. Besoj që efektet do të jenë më pozitive në drejtim të cilësisë dhe rritjes së pavarësisë së universiteteve. Vështirësitë janë normale duke patur parasysh qe koha ë implementimit ishte shumë e shkurtër.
Doja të veçoj si aspekt pozitive të zbatimit të reformës në arsim, orientimin drejt arsimit profesional, i cili është më pranë nevojave të biznesit.
Po kështu, vlerësoj se me rëndësi është krijimi i tregut të arsimit publik universitar dhe zbutja e diferencës mes sektorit publik e atij jopublik, ku në universitetet publike rezultojnë mungesa në infrastrukturë, por kanë avantazh cilësinë e studenteve, ndërsa në universitetet private cilësia e studenteve në tërësi nuk i përshtatet kërkesave të tregut. Duhen orientuar më shumë fonde për të rritur cilësinë, duhet të shkojmë drejt një peshe më të lartë në buxhet në përqindje ndaj PBB për arsimin, ose të përdoren forma bashkëpunimi me bizneset, të tilla që t’i bëjmë të interesuara të financojnë për të pasur studentë më të përgatitur, më të orientuar me teknologjitë bashkëkohore në çdo fushë e për t’i punësuar.
Reforma solli ndryshim të rëndësishëm në administrimin e arsimit të lartë e një ndarje të qartë të fushës akademike me administrimin, por mendoj se ka një vonesë në aplikimin e ligjit dhe që krijon problem të funksionimit të arsimit të lartë.
Reformat për tregun e punës a qenë të efektshme?
Vlerësoj një prirje pozitive në tregun e punës, si fazë e parë e një procesi afatgjatë. Që të ndihet ndryshimi në tregun e punës, duhet të merren masa për ngritjen e pagës minimale, duke u respektuar minimumi jetik, po kështu duhen detyruar individët dhe bizneset të paguajnë detyrimin për sigurimet shoqërore; është e rëndësishme të ristrukturohet e modernizohet asistenca sociale, duke shmangur shpërdorimet dhe prirjet e kundërshtimit ndaj punës në të zezë.
Reforma në tregun e punës është e nevojshme të jetë me evidente. Edhe në këtë fushë shteti duhet të ndikojë për të nxitur bizneset të punësojnë, duke u krijuar lehtësira, që nga formimi profesional, mbështetja me fonde e bizneseve që punësojnë një numër të caktuar punonjësish, etj. Po kështu, duhet të ulet informaliteti pasi është ende në nivele jo të pranueshme.
Bizneset vendase dhe të huaja kërkojnë njerëz më një formim të caktuar profesional, për këtë arsye i duhet kushtuar kujdes i veçantë përgatitjes së specialisteve të të gjitha profesioneve. Rritja e arsimit profesional dhe koordinimi i tij me nevojat e tregut, do t’i jepte një hov cilësor kësaj reforme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.