FOREX dhe opsionet binare janë të jashtëligjshme në Francë. Autoriteti i Rregullator Francez, AMF (Autorite des Marches Financiers) ndaloi reklamat e të gjithë kompanive që ofronin shërbime në Forex apo në opsione binare.
Neni 28 i ligjit ndalon çdo formë të komunikimit nga ofruesit e shërbimeve në investime, qofshin këta direkt apo indirekt, nëpërmjet formave elektronike si fushatë nëpërmjet email-eve, reklamave online, radio, televizioni, telefoni, të instrumenteve financiarë, të cilët janë të vështirë për t’u kuptuar dhe me risk shumë të lartë.
Por pse Franca u detyrua që të merrte një vendim kaq drastik? Në faqen zyrtare të Autoritetit Rregullator Francez, shkak u bënë numri gjithnjë e në rritje i ankesave nga klientët dhe reklamat e panumërta për të investuar në tregjet online të Forex. Fill pas këtyre, Autoriteti Francez filloi një fushatë ndërgjegjësimi publik për risqet në tregtimin në Forex.
Aktualisht, edhe kompanitë shqiptare, të licencuara, nuk operojnë në tregjet franceze. Së bashku me ndalimin e reklamave të tregjeve online, Autoriteti Francez publikoi edhe një studim të kryer për këtë treg. Sipas AMF-së në çdo 10 klientë, 9 humbasin fondet që investojnë.
I shtrirë në katër vite, studimi i ndërmarrë nga AMF nxori si përfundim se 89% e klientëve që kishin marrë pjesë, kishin humbur paratë. Shuma mesatare që secili klient kishte humbur ishte 10,900 euro. Në katër vjet, 13,224 klientë kanë humbur në total 175 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër e klientëve, 1,575, arritën të gjeneronin vetëm 13.8 milionë euro përfitime.
Kjo politikë e Autoritetit Francez duket se ka rezultuar e suksesshme. Ndalimi dhe fushatat ndërgjegjësuese kanë bërë që në 2017-n, sipas të dhënave zyrtare të publikuara në faqe të jenë ulur në mënyrë drastike. Ndalimi i Forex-it në Francë ka hyrë në vitin e katërt.
Si funksionojnë? Kurthi i bonuseve
Këto kompani operojnë bazuar në një sistem bonusesh, duke filluar që nga bonuset për hapje llogarie, bonuse për referimin, për garantimin e volumeve tregtare, bonuse depozite. Në fakt, këto bonuse shërbejnë si kurth, duke qenë se për t’i përfituar varet nga “volumi tregtar”. Në realitet, investitorët (klientët që hedhin para) mund t’i përfitojnë këto bonuse vetëm pasi kanë tregtuar një volum që është deri në 40 herë më i lartë se bonusi vetë.
Të gjendur në një spirale, investitorët (klientët) vazhdojnë të hedhin para me shpresën se do të arrijnë volumin e kërkuar për të tërhequr bonusin dhe përfundojnë duke humbur të gjitha paratë e investuara. Në një rast të evidentuar nga autoritetet franceze, në mënyrë që klienti të arrinte më shpejt (në rastin konkret 840 mijë euro), “këshilluesi financiar” rekomandonte që investitori (klienti) të ndryshonte pozicion për shuma deri në 10 mijë euro. Brenda një pasditeje, investitori humbi 50 mijë euro.
Për këtë, Autoriteti Rregullator Europian ESMA këshillon se një firmë që ofron bonuse të tilla, nuk ka gjasa që të jetë duke vepruar në mënyrë të ndershme dhe profesionale, duke marrë në konsideratë që për shkak të natyrës së këtyre produkteve nuk janë të përshtatshëm për pjesën më të madhe të klientëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.