Si po reagon ekonomia e Kinës ndaj përhapjes masive të koronavirusit

27/02/2020 12:34 PM 0 komente

Mes shqetësimeve në rritje për ndikimin e COVID-19 në ekonominë kineze, ia vlen të rikujtohen mësimet nga shpërthimi i virusit SARS, 17 vjet më parë. Në vitin 2003, rritja kombëtare ra nga 11.1 për qind, në 9.1 për qind në tremujorin e dytë, por u rikuperua shumë shpejt gjatë tremujorit të tretë.

Rimëkëmbja në industri të ndryshme ishte e fuqishme pas këtij virusi dhe ajo vazhdoi po me të njëjtat ritme të larta edhe gjatë vitit të ardhshëm. Por 17 vite më pas, të shumta janë industritë kineze që janë transformuar rrënjësisht që prej asaj periudhe. Ndikimi i koronavirusit ka shumë mundësi që të godasë sektorë të ndryshëm dhe mund të marrë forma nga më të ndryshmet. Le të marrim fillimisht si shembull, eksportin e prodhimit.

Në vitin 2003, Kina nuk ishte vetëm një anëtare e re e OBT-së, por edhe një lojtare e re e ndarjes globale të punës. Por sot, ajo është shndërruar në një pjesë integrale të zinxhirit global të furnizimit. Sipas një studimi të kryer nga firma konsulente McKinsey, gjatë analizimit të 186 ekonomive, Kina ka rezultuar si burimi më i madh i importeve për 65 prej tyre. Përveç kësaj, zinxhiri i furnizimit industrial të Kinës është bërë gjithashtu më i sofistikuar. Prodhimi i shumë artikujve është përhapur midis një numri më të madh furnitorësh.

Në fund të javës që lamë pas, bizneset në disa prej qyteteve më të mëdha rifilluan gradualisht operacionet e tyre, pas një pushimi të tejzgjatur të Vitit të Ri Kinez. Por gjithsesi, sfidat mbeten ende të mëdha. Për shembull, nëse disa furnizues kryesorë kanë vështirësi në rifillimin e punës, funksionimi i qetë i të gjithë zinxhirit mund të ndikohet negativisht. Konsumi gjithashtu është goditur rëndë. Sidoqoftë, ka edhe arsye për të shpresuar se një situatë e tillë mund të ndryshojë për më mirë. Një rënie e mprehtë e konsumit në kulmin e shpërthimit të SARS-it në vitin 2003 u zëvendësua nga një rritje e tij në 2004.

Një skenar i ngjashëm u pa edhe në industrinë e udhëtimeve. Në vitin 2003, numri i udhëtarëve shënoi rënien e tij më të lartë në më shumë se një dekadë. Por ndikimi i tij ishte kryesisht në gjysmën e parë të vitit, pasi të dhënat e kësaj industrie u rikthyen në nivelet e mëparshme gjatë muajit gusht të vitit 2003. Në 2004 pastaj, Kina shënoi një rritje të lartë me rreth 43 për qind në udhëtimet jashtë shtetit.

Gjatë viteve të fundit, mbi 100 milionë kinezë vizitojnë çdo vit shtetet e tjera. Në vitin 2017, këta njerëz shpenzuan rreth 258 miliardë dollarë amerikanë. Linjat ajrore, hotelet, agjencitë e udhëtimit dhe vendet turistike në të gjithë botën po parashikojnë një rritje të numrit të vizitorëve kinezë më vonë gjatë këtij viti, pasi ky virus të jetë vendosur nën kontroll të plotë.

Ajo që është më e rëndësishme tani për bizneset, veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, është që të gjejnë mënyrën më efikase për t’i mbijetuar kësaj epidemie që ka shpërthyer. Sipas një studimi të Federatës së Industrisë dhe Tregtisë së Kinës, shumica prej 1 290 firmave private, po shpresojnë për një ulje të taksave dhe qiradhënies, dhe një rritje të subvencioneve. Thirrjet e tyre janë drejtuar nga qeveritë qendrore dhe lokale, shumë prej të cilave kanë zgjedhur të ulin qiratë, të zvogëlojnë koston e qiramarrjes si edhe tarifat e energjisë elektrike. Por edhe në mes të kësaj situate, e cila mendohet se do të ketë një ndikim negativ në të gjitha industritë, ka edhe nga ato kompani që shpresojnë për një rritje të mundshme. Shembull ideal është ai i sektorit të internetit. Në vitin 2003, kur shumë kinezë u detyruan të qëndronin në shtëpitë e tyre si pasojë e përhapjes së virusit SARS, ata filluan të zhvillojnë konceptin e ri të blerjeve online në internet.

Kjo pjesërisht ndihmoi platformën e tregtisë elektronike të Alibabas. Edhe gjatë vitit 2020, tregtia elektronike po ndihmon edhe një herë shumë shitës me pakicë që të shesin nga distanca, ashtu siç mund të shihet edhe nga rritja e shitjeve në internet gjatë Festivalit të Pranverës. Tregtia elektronike nuk është përfituesi i vetëm gjatë kësaj periudhe. Shërbimet e internetit të bazuara në aplikacione tani mundësojnë që gjithçka të zhvillohet nga distanca, nga zhvillimi i klasave të ndryshme mësimore te mbledhjet në korporata të ndryshme, duke mundësuar kështu vazhdimin e funksionimit të tyre edhe gjatë kësaj periudhe të vështirë.

Aplikacionet ku njerëzit mund të blejnë produkte të ndryshme, kanë parë një rritje mbi trefish në krahasim me transaksionet e arritura gjatë Festivalit të Pranverës. Edhe pse teatrot janë të mbyllura, njerëzit po vazhdojnë të shikojnë programe të shumta argëtuese nga shtëpitë e tyre. Loja elektronike që luhet nëpërmjet aplikacionit të saj edhe në celularë, King of Glory, ka shënuar rreth 120 milionë përdorues.

Gjithashtu pritet një rritje e ngjashme edhe në shumë lojëra të tjera elektronike. Nëse politikat e paralajmëruara të Kinës do të zbatohen ashtu siç duhet dhe rendi ekonomik do të kthehet në normalitet gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, FMN-ja sugjeroi se ndikimi në ekonominë botërore do të jetë relativisht i vogël dhe jetëshkurtër, me Kinën në një rritje prej 5.6 për qind, dhe rritja globale në 3.2 për qind për vitin 2020.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of