Intervistë me Seyhan Pencapligil, CEO i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT)
Ekonomia e vendit është mjaft elastike ndaj goditjeve të jashtme, pohon Seyhan Pencapligil, CEO i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), më e madhja në vend.
Edhe sistemi bankar e përballoi krizën shumë mirë, mbështetur nga vendimet e drejta të qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë.
Z. Pencapligil shton se si BKT, ashtu edhe sistemi bankar, u rikuperuan më shpejt nga sa pritej. CEO i BKT-së, me përvojë të gjatë në Shqipëri, rekomandon që vendi duhet të krijojë një strategji ekonomike, të përqendrohet në avantazhet tona krahasuese dhe të përqafojë menjëherë dixhitalizimin.
Si do ta vlerësoni ecurinë e bankës suaj në vitin 2020 dhe pjesën e deritanishme të 2021? Si ndikoi pandemia në treguesit kryesorë (NPL, rentabilitetin etj.)?
Banka performoi mjaft mirë në vitin 2020 dhe deri më tani. Objektivat tona të rritjes dhe fitimit u arritën vitin e kaluar dhe ato janë në rrugën e duhur për t’u arritur edhe këtë vit. Ne hymë në krizë me likuiditet të mjaftueshëm dhe kapital të fortë, faktorë të cilët na ndihmuan ta shndërronim atë në një mundësi.
Çfarë ndryshoi në menaxhimin e bankës gjatë vitit pandemik, si u përshtat BKT ndaj situatës së krijuar?
Ne i përmirësuam shërbimet tona dixhitale, pasi klientët tanë kërkuan më shumë. Ne i pasuruam investimet tona në thesar, në mënyrë që ato të jenë më të larmishme dhe likuide. Ne i ofruam stafit tonë mundësinë për të punuar nga shtëpia. Duke përfituar nga rasti, do të doja të falënderoja, edhe një herë, kolegët e mi për punën vetëmohuese që bënë gjatë krizës.
Si do ta vlerësoni rezistencën e sistemit bankar në përgjithësi ndaj pandemisë? Çfarë mësimesh mund të nxirren?
Sistemi bankar shqiptar, në përgjithësi, është shumë likuid dhe i mirëkapitalizuar. Mbështetur nga vendimet e drejta të Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë, sistemi bankar e përballoi krizën shumë mirë. Disa nga bankat që nuk kishin likuiditet të mjaftueshëm duhet të kenë mësuar rëndësinë e këtij parametri.
Nisur nga ecuria e kredive me probleme, cilët do të vlerësoni sektorët që e kaluan më me vështirësi pandeminë dhe ata që u prekën më pak?
Ashtu si edhe mund të kuptohet, hotelet, restorantet, sektorët e turizmit dhe transportit patën një vit të vështirë, ndërsa tkurrja e përgjithshme në ekonomi nuk ishte aq e madhe sa ishte parashikuar, gjë që tregon se ekonomia e vendit është mjaft elastike ndaj goditjeve të jashtme.
Sa të shpejtë e vlerësoni rimëkëmbjen e bankës suaj dhe sistemit bankar ndaj krizës së shkaktuar nga pandemia, po ashtu dhe të ekonomisë?
Unë besoj se si BKT, ashtu edhe sistemi bankar, u rikuperuan më shpejt nga sa pritej. Ne kemi një portofol kredie relativisht të vogël në krahasim me aktivet tona, i cili performoi shumë mirë. Investimet tona në thesar ishin jashtëzakonisht të mira, pasi përfituam nga luhatjet e tregut.
Ju keni një përvojë të gjatë në sistemin bankar dhe keni ndjekur ngushtësisht ecurinë e vendit në dekadat e fundit. Do të ishte me interes që të jepni rekomandimin tuaj, se cili duhet të jetë modeli ku duhet të fokusohet ekonomia e vendet në afatin e mesëm dhe të gjatë dhe çfarë duhet të bëjnë institucionet qeverisëse për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të vendit?
Shqipëria është një ekonomi e vogël dhe e hapur dhe një vend kandidat për në BE. Ne duhet të rritemi shumë më shpejt se vendet e BE-së, në mënyrë që të paktën fëmijët tanë të mund të gëzojnë një mirëqenie të nivelit të BE-së. Vendi duhet të krijojë një strategji ekonomike në një nivel makro dhe të mbështesë sektorët përkatës. Si një vend i vogël, ne mund të mos kemi shumë avantazhe konkurruese, kështu që ne duhet të përqendrohemi në avantazhet tona krahasuese.
Ne duhet të përqafojmë dixhitalizimin menjëherë. BKT ka shumë produkte novatore në proces, duke pritur ndryshimet në kuadrin rregullator. Së fundi, zbatimi i ligjit është thelbësor. Reforma në Drejtësi është shumë e mirëpritur në këtë kuptim, por duhet të përshpejtohet. “Reforma në Drejtësi e vonuar është si të thuash Reforma në Drejtësi e mohuar”.
Mesazhi
Zbatimi i ligjit është thelbësor. Reforma në Drejtësi është shumë e mirëpritur në këtë kuptim, por duhet të përshpejtohet. “Reforma në Drejtësi e vonuar është si të thuash Reforma në Drejtësi e mohuar”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.