Flet Xhavit Çuri, Zv.drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve
Si është bërë vlerësimi i numrit të bizneseve që do të përfshihen në skemën e TVSH-së (metodologjia) në rreth 11 mijë biznese, sipas deklarimeve të mëparshme nga Tatimet?
Administrata tatimore, me përfshirjen e sistemit të ri informatik të Tatimeve ka një bazë të pasur shumë të mirë të dhënash, nga vetëdeklarimet e tatimpaguesve, nga kontrollet e ushtruara tek tatimpaguesit apo dhe nga burime të tjera informacioni të palëve të treta, si doganat, QKB, Thesari, nga kryqëzimi i të dhënave për shitjet dhe blerjet, etj.
Në këtë fazë fillestare ne kemi evidentuar të gjithë tatimpaguesit potencialë, të cilët do të duhet të regjistrohen në TVSH më 1 prill të këtij viti, nisur nga dy burime informacioni;
Së pari, nga transmetimet ditore të qarkullimit të realizuar me pajisje fiskale gjatë vitit të kaluar;
Së dyti, nga të dhënat e vetëdeklaruara në deklaratën e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin të vitit 2017.
Bazuar në këto dy burime të dhënash, administrata tatimore ka evidentuar deri tani rreth 11,500 tatimpagues të cilët, më datë 1 prill do të regjistrohen në mënyrë automatike në sistemin informatik të tatimeve. Për të gjithë këta tatimpagues, sistemi do të gjenerojë gjithashtu edhe formularët e deklarimit për TVSH, që më 1 prill 2018.
Afati i deklarimit të TVSH-së për këta tatimpagues do të jetë brenda datës 14 të muajit pas mbylljes së çdo tremujori mbi baza mujore.
Pas datës 1 prill e në vijim, regjistrimi i tatimpaguesve që plotësojnë kushtet ligjore për regjistrim në TVSH do të bëhet mbi bazën e kërkesës së vetë tatimpaguesit ose mbi bazën e regjistrimit të detyruar nga administrata tatimore. Kjo e fundit ka autoritetin e regjistrimit të detyruar të tatimpaguesve të evidentuar me qarkullim më të madh se 2 milionë lekë në vit:
• mbi bazën e të dhënave të marra nga palët e treta
• mbi bazën e të dhënave të rezultuara nga monitorimet e saj për xhiron
• mbi bazën e të dhënave të rezultuara nga kryqëzimi i informacioneve të marra nga shitjet dhe blerjet
Sa janë bizneset që vlerësohet se nuk e arrijnë xhiron dhe do të mbeten jashtë skemës?
Nisur nga numri total i tatimpaguesve, ata që janë të regjistruar për TVSH si dhe ata tatimpagues, të cilët nga data 1 Prill 2018 do të jenë pjesë e skemës së TVSH, nga administrata tatimore është vlerësuar që numri i tatimpaguesve, të cilët mbeten jashtë kësaj skeme, është rreth 60,000.
Cili do të jetë ndikimi i kësaj nisme?
Kjo nismë do të reduktojë masën e informalitetit jo vetëm në këtë fashë të tatimpaguesve, por edhe në fashat e tjera me të cilat ajo bën transaksione shitblerjeje. Regjistrimi në TVSH i këtyre bizneseve do të nxisë dokumentimin e transaksioneve dhe formalizimin për të gjithë operatorët ekonomikë, si për biznesin e vogël me qarkullim 2-5 milionë lekë, pasi do të jetë i interesuar për të marrë faturën e blerjes e për pasojë, për të lëshuar kupon tatimor për shitjet e tij, ashtu dhe për bizneset e mëdha, të cilat nuk do të kenë më pak mundësi të shesin pa faturë.
Skema do të kufizojë mundësinë e bizneseve të mëdha që shesin për rishitje tek kjo fashë tatimpaguesish, për të mos lëshuar faturë tatimore shitjeje për shkakun se këta tatimpagues nuk pranojnë të blejnë me faturë.
Ajo do të rrisë interesin e këtyre tatimpaguesve për të marrë faturën tatimore, për blerjen e mallrave dhe shërbimeve. Regjistrimi i tyre në TVSH rrit interesin e tyre për marrjen e kësaj fature, pasi pa këtë faturë, tatimpaguesit nuk mund të kreditojnë TVSH, ndërkohë që duhet të llogarisin dhe të paguajnë TVSH për shitjet e tyre.
Si do të bëhet verifikimi në terren i bizneseve që do të përfshihen në skemën e TVSH-së, pasi bizneset do të tentojnë që të ulin xhiron për të mos kaluar kufirin 2 milionë lekë?
Në këtë fazë fillestare janë evidentuar të gjithë tatimpaguesit potencialë, që do të duhet të regjistrohen në TVSH më 1 prill të këtij viti, nisur nga transmetimet ditore të qarkullimit të realizuar me pajisje fiskale gjatë vitit të kaluar dhe nga të dhënat e vetëdeklaruara në deklaratën e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin të vitit 2017.
Në vazhdim, Administrata tatimore do të ketë në monitorim të vazhdueshëm sjelljen e biznesit, me qëllim shmangien e abuzimeve. Do të përdoren të gjitha mundësitë për shfrytëzimin e informacionit nga palët e treta, si të dhëna nga Qendra Kombëtare e Biznesit, Dogana etj. Gjithashtu do të përpunohen të gjitha të dhënat që lidhen me kryqëzimin e librave të Shitjes dhe të Blerjes. Kjo do të thotë që nëse evidentohen tatimpagues, të cilët nga ky kryqëzim kanë blerje mbi 5 milionë lekë, atëherë do të vlerësohen si potencial për t’u futur në skemën e TVSH. Strukturat në terren do të kryejnë vazhdimisht verifikime me qëllim monitorimin e xhiros së tatimpaguesve.
Çfarë rrezikojnë bizneset që do të ulin xhiron në mënyrë fiktive për të mos u përfshirë në skemë (masat ndëshkuese që do të merren)?
Tatimpaguesit të cilët do të ulin xhiron, me qëllim për të mos u përfshirë në skemën e TVSH, në rast se evidentohen nga administrata tatimore për shkelje si moslëshim i kuponit tatimor, apo që rezultojnë me mungesa në dokumentacion si mallrat pa faturë, do të penalizohen sipas legjislacionit në fuqi. Gjithashtu krahas penaliteteve do të ketë rivlerësime apo ndryshim të përgjegjësisë tatimore.
Është vënë re që një pjesë e bizneseve po kalojnë në mënyrë fiktive bizneset në status pasiv, si dhe po çelin NIPT të ri, me qëllim mospërfshirjen në skemën e TVSH-së. Si parashikojnë Tatimet që të bëjnë verifikimin e tyre dhe cilat do të jenë masat ndëshkuese? Ka ndonjë vlerësim se sa për qind e bizneseve të mbyllura kanë qenë për arsye të rihapjes me emër tjetër.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka konstatuar shtim të numrit të aplikimeve pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, për çregjistrim apo pezullim të aktivitetit, nga tatimpagues që janë penalizuar për shkelje të ndryshme nga administrata tatimore, që kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore, si dhe tatimpagues të cilët për herë të parë hyjnë në skemën e TVSH-së dhe regjistrime të menjëhershme në po të njëjtën njësi nga persona të lidhur me tatimpaguesit që e zotëronin më parë këtë aktivitet.
Nisur nga ky fakt, nëse pas verifikimit në vend, rezulton e provuar se tatimpaguesi që ushtron aktivitet në atë ambient, ka lidhje familjare me tatimpaguesin, i cili ka aplikuar për mbyllje/pezullim aktiviteti pas ndryshimit të përgjegjësisë tatimore apo konsumimit të kundërvajtjes administrative, nga Drejtoria Rajonale Tatimore përkatëse, sipas rastit do t’i komunikohet tatimpaguesit ndërmarrja e hapave administrative të mëposhtëm:
Ndryshimi i përgjegjësisë tatimore, duke e ngarkuar atë me të njëjtat përgjegjësi tatimore që ka pasur tatimpaguesi/personi i lidhur para aplikimit
për mbyllje aktiviteti, pavarësisht xhiros së pritshme të deklaruar nga ana e tij.
Kërkesa nga ana e Administratës Tatimore kundrejt tatimpaguesit për të shlyer detyrimet tatimore, si dhe aplikimi i masave shtrënguese për vjeljen e detyrimeve të papaguara të tatimpaguesit/person i lidhur, i cili ka ushtruar të njëjtin aktivitet në të njëjtin ambient dhe që aktualisht ka aplikuar për mbyllje/pezullim aktiviteti.
Numërimi i konstatimeve për zbatimin e penaliteteve të përcaktuara sipas pikave 1/a/ii dhe 1/b/ii të nenit 122, të Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, do të bëhet duke përllogaritur edhe konstatimet e kundërvajtjeve të konsumuara nga ana e tatimpaguesit/person i lidhur, i cili ka ushtruar të njëjtin aktivitet në të njëjtin ambient dhe që aktualisht ka aplikuar për mbyllje aktivitet/pezullim aktiviteti.
Pra, për tatimpaguesit që kanë ndryshuar status (kaluar pasiv, etj.) dhe para se të bënin një gjë të tillë janë konstatuar me një shkelje (shkelja e parë), shkelja e konstatuar pas ndryshimit të statusit, konsiderohet shkelja e dytë në numër.
Tatimpaguesit e përfshirë në listën e tatimpaguesve për regjistrim në TVSH më 1 prill, do të regjistrohen për TVSH-në edhe nëse kanë kaluar me status pasiv gjatë periudhës 1 Janar – 31 Mars 2018.
Çfarë ndryshon për biznesin e vogël?
Për tatimpaguesit ekzistues DPT-ja ka përgatitur listën e tatimpaguesve që duhet të regjistrohen për TVSH me deklarim tremujor, duke u bazuar në deklarimet e pajisjeve fiskale për vitin e fundit dhe në deklaratën e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin. Regjistrimi i tyre do të bëhet në një fazë të vetme, në mënyrë automatike. Tatimpaguesve që kanë rezultuar në këtë listë u është bërë njoftim paraprakisht për detyrimin që të kalojnë në skemën e TVSH nga data 1 Prill 2018.
Në vijimësi është parashikuar edhe ndryshimi manual i përgjegjësive tatimore dhe kategorisë në lidhje me deklarimin e TVSH-së.
Për sa i përket regjistrimit, në vijim është parashikuar që tatimpaguesit e rinj, që plotësojnë kërkesat e ligjit (xhiro 2 deri në 5 milionë), do të regjistrohen për TVSH dhe do të kategorizohen automatikisht në bazë të xhiros së parashikuar vjetore në momentin e regjistrimit në QKB apo në Administratën tatimore.
Deklaratat e TVSH-së do të gjenerohen në fillim të periudhës mujore dhe do të dorëzohen në bazë mujore, për çdo tremujor. Bazuar në kategorinë në lidhje me deklarimin, në momentin e gjenerimit të deklaratës për një tatimpagues, sistemi llogarit datën e pritshme të duhur të deklaratës, e cila është data 14 e muajit pasardhës për ata me deklarim mujor, ose 14 të muajit pasardhës të tremujorit përkatës për ata me deklarim tremujor.
Librat e Shitjes dhe Blerjes do të dorëzohen në bazë mujore, për çdo tremujor. Afati i deklarimit do të jetë brenda datës 10 të muajit pasardhës apo brenda datës 10 të muajit pasardhës pas periudhës përkatëse të tremujorit, në varësi të shënjuesit për deklarim mujor ose tremujor për tatimpaguesin.
Tatimpaguesi do të njoftohet në llogarinë e tij në sistemin elektronik për:
-Regjistrimin për TVSH
-Ndryshimin e kategorisë për afatin e deklarimit të deklaratës – mujor apo tremujor.
-Për t’u ardhur në ndihmë këtyre tatimpaguesve, administrata tatimore ka zhvilluar 100 sesione trajnimi, janë hapur 13 kënde të Asistencës për -Biznesin e Vogël në çdo Drejtori Rajonale, janë kryer më shumë se 10 mijë vizita këshilluese në adresën e biznesit si dhe janë shpërndarë fletëpalosje dhe materiale informative të posaçme për një numër të konsiderueshëm tatimpaguesish.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.