Shitjet botërore të smartphone-ve kanë rënë me 1,7% në tremujorin e dytë 2019, ose 368 milionë njësi. Ngadalësohet, në veçanti, kërkesa për modele të fashës së lartë. Këtë e bën të ditur Gartner, në analizën e fundit të tregut.
Samsung dhe Huawei mbeten, respektivisht, shitësi i parë dhe i dytë më i madh në botë i smartphone-ve – për të dyja kompanitë, vëllimet e shitjeve janë rritur.
Në veçanti, për kompaninë kineze, pavarësisht përfshirjes në listën e zezë në tregun amerikan, vëllimet e shitjes janë rritur në +16,5% ose 58 milionë njësi, ndërsa për Samsung, rritja është +3,8% ose 75,1 milionë njësi. Të dy prodhuesit kanë rritur pjesën e tyre të tregut (20,4% për Samsung, 15,8% për Huawei) dhe së bashku përbëjnë më shumë se një të tretën e shitjeve të smartphone nëpër botë.
Rritja e fortë e Huawei vjen për shkak të fuqisë së markës në tregun e Kinës së Madhe, e cila mbështet shitjet, pavarësisht rënies së ndjeshme në vendet e tjera. Në praktikë, shitjet e Huawei kanë rënë në shkallë botërore në tremujorin e dytë për shkak të “trade war” (luftës tregtare) por besimi i konsumatorëve kinezë, si dhe shpenzimet e qëndrueshme në marketing, kanë rritur me 31% shitjet e smartphone-ve Huawei në Kinë, duke sjellë një bilanc pozitiv.
Në përgjithësi, Kina është i vetmi treg i madh botëror së bashku me Brazilin që ndikojnë në rritjen e shitjeve të smartphone-ve. Kina është, deri tani, tregu më i madh me 101 milionë smartphone të shitur në tremujorin e dytë, +0,5% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa në Brazil janë shitur 10,8 milionë njësi, një rritje thuajse 1,3% nga viti në vit. Ekonomia në Brazil po rimëkëmbet. Analistët e Gartner parashikojnë një rritje më të fortë të shitjeve të smartphone-ve në Brazil në vitin 2020.
Sipas Gartner, Apple mbetet shitësi i tretë më i madh botëror, me 38,5 milionë iPhone të shitur në tremujorin e dytë, por pjesa e tregut të kompanisë amerikane ka rënë në 10,5% (ishte 11,9% një vit më parë). Rënia e Apple në tremujorin e dytë, është gjithsesi më e përmbajtur krahasuar me atë të regjistruar në tremujorin e parë 2019, por megjithatë shitjet janë 13,8% më të ulëta krahasuar me tremujorin e dytë 2018.
“Modelet e reja të Apple nuk ofrojnë kaq shumë inovacion aq sa t’i shtyjnë klientët të zëvendësojnë iPhone e vjetër”, thotë Anshul Gupta, analist i Gartner.
Xiaomi dhe Oppo ndjekin klasifikimin e shitësve më të mëdhenj botërorë. Për Xiaomi, shitjet janë pak më të larta, ndërsa për Oppo të qëndrueshme. (9% dhe 7,6% respektivisht pjesa e tyre e tregut).
Për liderin e tregut, Samsung, ecuria pozitive vjen veçanërisht nga modelet e fashës së mesme dhe të ulët, duke nisur nga seria Galaxy A. Në anën tjetër, kërkesa për modelin Galaxy S10 është ngadalësuar. Gartner vëren se për kompaninë koreane ruajtja e rritjes, jo vetëm të vëllimeve, por edhe fitimeve, mbetet sfidë.