Janë rreth 3.45 milionë votues që teorikisht kanë të drejtën të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme, që po zhvillohen sot, dhe për herë të parë votojnë rreth 136.7 mijë zgjedhës, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Brendshme dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Megjithatë, praktikisht në Shqipëri, sipas INSTAT, ndodhen rreth 2.2 milionë persona mbi 18 vjeç, (të tjerët janë në emigrim), të cilët në datën 27 qershor do të vendosin se cila do të jetë partia, apo partitë, që do të qeverisin vendin në katër vitet e ardhshme.
Ecuria e këtyre zgjedhjeve do të jetë kyçe për përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Por, cilat janë platformat që partitë kryesore kanë premtuar për ekonominë në katër vitet në vijim:
Pak surpriza nga Partia Socialiste
Partia Socialiste këtë fushatë ka premtuar ulje të lehtë të barrës fiskale. Tatimfitimi do të mbetet 15%, ndërsa parashikohet që tatimi mbi dividendin të zbresë nga 15% që është sot në 6%. Do të ketë përshkallëzim të tatimfitimit për bizneset inovative në 5%.
Për tatimin mbi pagat do të vazhdohet me progresivitetin, vetëm se norma maksimale do të zbresë nga 23% që është sot në 18%.
TVSH mbetet 20%, ndërsa vetëm në prill 2017, për herë të parë TVSH u përshkallëzua në 6% për shërbimet e turizmit.
Nëse do të jenë në pushtet mandatin e ardhshëm, socialistët premtojnë edhe 220 mijë vende pune të reja. Ky premtim nuk intrigon më askënd, pasi ai i mëparshmi për 300 mijë vende pune u pranua që dështoi.
Pritshmëritë e Partisë Socialiste për rritjen ekonomike afatmesme variojnë në 5-5.5%.
Partia Socialiste
-Tatimfitimi mbetet 15%, por përshkallëzohet në 5% për bizneset e teknologjisë së informacionit
-Dividendi do të ulet nga 15 në 6%-Niveli më i lartë i tatimit progresiv mbi pagat ulet nga 23% në 18%
-220 mijë vende të reja pune
-Do të bëhen zero inputet e TVSH-së bujqësore
Partia Demokratike, ulje e fortë taksash
Në thelbin e programit të vet, Partia Demokratike ka uljen e taksave. Tatimfitimi pritet të zbresë në 9%, një pikë përqindje më ulët se niveli që ishte deri në vitin 2013. Taksë e sheshtë në 9% parashikohet dhe për tatimin mbi pagat, duke përjashtuar ata që kanë paga deri në 30 mijë lekë.
Premtimi më i guximshëm është ai për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në 15%.
PD parashikon që me këtë nivel taksash dhe me një rritje të mundshme ekonomike reale prej 5% dhe miradministrim fiskal pritet që të ardhurat të zgjerohen me 12% me bazë vjetore.
PD nuk premton punësim masiv me 200 apo 300 mijë vende pune, por në një rritje ekonomike prej 5%, pritet një zgjerim i vendeve të punës prej rreth 3% në vit.
Në plan është dhe ulja e sigurimeve shoqërore (9% për punëdhënësin dhe 9% për punëmarrësin), por kjo do të jetë në një fazë të mëvonshme.
Partia Demokratike
-Tatimfitimi do të ulet në 9%
-Tatimi mbi pagat do të bëhet i sheshtë 9% (përjashtuar 30 mijë lekëshin e parë)
-Dividendi do të bëhet zero
-TVSH do të ulet në 15%
-Heqja e taksës së qarkullimit të naftës prej 24 lekë për litër
-Rritje e vendeve të punës me 3% në vit
Edhe LSI me ulje taksash
Lëvizja Socialiste për Integrim në programin e saj parashikon tatimfitim me tri kategori, që luhaten nga 5-10%: Bizneset që kanë një xhiro vjetore deri në 20 milionë lekë do të kenë vetëm 5% tatimfitim (rritje e pragut nga 8 milionë lekë që është sot), ndërsa bizneset deri në 5 milionë lekë do të vijojnë të jenë të përjashtuar; Bizneset që kanë një xhiro nga 20 milionë lekë deri në 100 milionë lekë do të kenë një tatimfitim vetëm 8%; Bizneset që kanë një xhiro vjetore mbi 100 milionë lekë do ta kenë 10% tatimfitimin.
Ulje pritet dhe për tatimin mbi pagën. Kufiri që nuk taksohet do të rritet nga 30 mijë në 35 mijë lekë. Për pagat 35 mijë lekë deri në 200 mijë lekë, TAP do të jetë 8% për diferencën; Për pagat mbi 200 mijë lekë do të aplikohet 10% TAP. LSI ka në plan edhe përgjysmimin e TVSH-së për produktet bazë të shportës (bukë, vaj, miell, sheqer, etj.) nga 20% në 10%.
LEXO EDHE:
Inflacioni i premtimeve ekonomike, sa realiste janë
Fokusi te taksat, jo te modeli i shteruar ekonomik
Uljet e mëdha të taksave prodhojnë krizë
Programet ekonomike janë populiste dhe të parealizueshme
Programeve ekonomike të partive u mungon koherenca
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.