Kryeministri Pedro Sánchez, e quan “strehimin, një të drejtë dhe jo biznes spekulativ”, ndërsa kostot rriten për vendasit.
Spanja është vendi i fundit i BE-së, që eliminoi “vizat e arta”, që tërhoqën mijëra investitorë të huaj të pronave, pasi rritja e kostove të banesave, i bën programet politikisht toksike.
Kryeministri Pedro Sánchez, tha se kabineti i tij do të ndërmarrë hapat e parë drejt heqjes së vizave, të cilat u prezantuan në vitin 2013 dhe u mundësuan investitorëve, që shpenzuan të paktën 500,000 euro në pasuri të paluajtshme, të fitojnë të drejtën për të jetuar në Spanjë.
“Ne do të marrim masat e nevojshme, për të siguruar, që strehimi të jetë një e drejtë dhe jo vetëm një biznes spekulativ,” tha Sánchez, kreu i qeverisë së koalicionit të udhëhequr nga socialistët.
Vendimi i Spanjës, pason vendimet e Portugalisë dhe Irlandës vitin e kaluar, për të hequr vizat e arta të lidhura me pronat e paluajtshme. Në të tre vendet, programet u prezantuan për të tërhequr investime të huaja, dhe për të nxitur rimëkëmbjen nga krizat financiare të shkaktuara, nga një përplasje në tregjet e tyre të pasurive të paluajtshme.
Komisioni Europian, ka qenë kritik ndaj vizave të arta, duke përmendur rreziqet e sigurisë, si dhe shqetësimet për korrupsionin e mundshëm, pastrimin e parave dhe evazionin fiskal.
Në vitin 2022, ai u bëri thirrje vendeve anëtare, që të adresojnë këto rreziqe dhe t’i japin fund programeve edhe më të diskutueshme të pasaportave të arta, veçanërisht në Maltë dhe Qipro, të cilat ofrojnë jo vetëm rezidencë, por edhe shtetësi.
Në Spanjë, shumicën e 10,000 vizave të arta të lëshuara dekadën e kaluar, e kishin marrë qytetarët rusë dhe kinezë. Ato u mundësojnë përfituesve, të jetojnë në vend për tre vjet.
Ekonomistët, nuk i shohin vizat e arta të Spanjës, si arsyen kryesore për rritjen e çmimeve të pronave, por që nga viti i kaluar, Sánchez ka qenë nën presion për t’i dhënë fund skemës, nga anëtarët e majtë të koalicionit të tij, të shqetësuar për kostot e larta të banesave.
Megjithëse vizat e arta, mund të merren nëpërmjet formave të ndryshme të investimit, Sanchez tha se 94 nga çdo 100 viza të lëshuara në Spanjë, ishin të lidhura me blerjet e pronave.
Ato ishin të përqendruara në qendrat turistike, duke përfshirë Barcelonën, Málaga, Alicante, Valencia, Madrid dhe Palma de Mallorca.
“Këto janë qytetet, që po përballen me një treg shumë të stresuar të banesave, ku është pothuajse e pamundur të gjesh strehim të mire, për ata që jetojnë dhe punojnë atje dhe paguajnë taksat çdo ditë,” tha Sánchez.
“Ky nuk është modeli i vendit, që na nevojitet, ai i investimeve spekulative në strehim, sepse është një model, që na çon në katastrofë dhe mbi të gjitha, në prishjen e pabarazisë.”
Deputetët spanjollë, duhet së pari të miratojnë një ndryshim në ligj, në mënyrë që viza e artë të hiqet.
Në një studim të botuar vitin e kaluar, Transparency International në Spanjë, tha se vendi kishte dhënë 2,700 viza për qytetarët kinezë dhe më shumë se 1,100 për rusët.
Ndërsa Irlanda e hoqi tërësisht programin vitin e kaluar, Portugalia mbylli rrugën e pasurive të paluajtshme, por u mundëson njerëzve të marrin viza të arta, përmes formave të tjera të investimit. Vizat e arta ekzistuese, mbeten të vlefshme në të dy vendet. / FT