Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të përdorë nga buxheti i shtetit fondin prej 7 mld lekë për të subvencionuar 30% rritjen e çmimeve te materialet e ndërtimit.
Ministrja Delina Ibrahimaj tha se njohja e çmimeve të rritura në nivelin 30% do të jetë për materialet si çimento, hekur, bakri dhe tubat plastikë.
“Akti normativ i investimeve publike parashikon njohjen e rritjes së çmimit të disa produkteve të caktuara deri në nivelin 30% për sa i përket kontratave aktuale. Më konkretisht parashikon që autoritet kontraktore do të marrin në analizë faturat e shtuara të çimentos, bitumit, bakrit dhe tubat plastike që kanë pësuar një rritje të madhe gjatë muajve të fundit për shkak të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Do të analizojmë çmimet e paraqitura në preventive nga kontraktorët dhe faturat duke njohur maksimalisht 30% rritje të çmimeve të këtyre produkteve”, pohoi ministrja Ibrahimaj.
Pak ditë më parë Arben Dervishi, sekretar i Shoqatës së Ndërtuesve tha se kostot e ndërtimit janë shtrenjtuar nga rritja e çmimeve te materialeve të ndërtimit.
“Rritja më e madhe ka qenë për hekurin me 80 deri 90% më shumë se vjet. Shpenzimet për hekurin janë rritur 30 deri 40 euro për metër katror ndërtimi. Rritje të çmimeve ka edhe për materialet e tjera të ndërtimit, si: betoni, çimento, dyer dhe dritare alumini. Rritje të larta të çmimeve ka pasur edhe të materialeve që përdoren për instalimet elektrike. Për disa materiale me përbërje bakri rritja e çmimit shkon edhe 2 deri 3 herë e lartë”, tha ai.
Subvencionimi i çmimeve në nivelin 30% parashikon vetëm ata ndërtues që kanë kontrata publike, si kontratat për programin e rindërtimit, ujësjellësve dhe rrugëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.