Nga Elona Gusmari
Nisja e sezonit të ri televiziv është më shumë se një garë. Janë investime të ethshme në formate të reja, ndryshime skenografish, “shitje-blerje” prezantuesish dhe huazime. Luftë për të fituar audiencë. Tendencat edhe këtë sezon janë programet argëtuese, me karakter social, por edhe “reality show”.
Në fund të fundit, ky është imazhi që shet, shet audiencë, por edhe kohë reklamimi. Kriza duket se ka prekur marketingun e ekranit të vogël, i cili që prej tre muajsh ka ndjerë efektet. çmimet e spoteve publicitare janë edhe më të kripura se një vit më parë.
“Monitor”, edhe në këtë sezon, zbulon “sekretet” që mediat kryesore vizive në vend i mbajnë si “as nën mëngë”.
Pas një “lufte” spotesh prezantuese, sezoni i ri ka ende shumë të pathëna për publikun. Departamentet e programacioneve janë duke mbyllur kontratat e fundit, ndërsa nuk mungon syri i vëmendshëm i konkurrencës. E reja e këtij sezoni janë prodhimet 100% shqiptare, që do t´i serviren publikut në fund të vitit. Drejtuesit e departamenteve thonë se në hartimin e programeve të reja është pasur gjithnjë parasysh publiku.
Televizionet kanë testuar nevoja për informacion, argëtim, por edhe për një përfshirje më të gjerë të audiencës, që nga më të vegjlit e deri te më të mëdhenjtë.
“Dueli” i heshtur ndihet më shumë mes tri televizioneve, kryesore, “Top Channel”, “TV Klan” dhe “Vizion Plus”. Të gjithë po synojnë të thithin sa më shumë audiencë.
Nga sa mësohet, tendenca e këtij sezoni është argëtimi. Janë blerë formate të gatshme, nga marka të njohura spektaklesh në botë, janë “huazuar” programe, tashmë të provuara në ekranet e fqinjëve përtej detit. Por, jo vetëm.
Nuk mungojnë “blerjet” brenda për brenda vendit. Edhe këtë vit do të ketë ndryshim kanali për të parë ndonjë emision të preferuar. Tashmë lëvizja e personazheve televizivë është kthyer në modë. Gjithçka, në emër të audiencës. Drejtori i programacionit në “TV Klan”, Albert Dumani, zthotë se ka muaj që punohet pikërisht për këtë.
Drejtoresha e programacionit pranë “Top Channel”, Vjollca Dedei, thotë se njerëzit po ndihen të lodhur dhe kanë nevojë të argëtohen, ndaj dhe mes shumë variantesh janë përzgjedhur disa programe të këtij profili.
Duelet e një viti më parë do të përsëriten, por me formate më të freskëta, risi dhe më shumë argëtim. “E diell”, nga Adi Krasta dhe Xhemi Shehu, ka hapur i pari siparin në “Top Channel”, ndërsa “E diela shqiptare” nga Ardit Gjebrea, nisi për herë të parë transmetimin në fundjavën e kaluar. Të dyja janë programe maratonë me 6 orë transmetim. Formate që e kanë “origjinën” nga shteti fqinj, Italia.
Ishin pikërisht emisionet e konsoliduara që hapën sezonin.
Sezoni i ri në ekranet shqiptare ka nisur dhe koha për t´i vlerësuar është përpara.
“Top Channel”, prodhime “made in Albania”
Me një strategji të mirëpërcaktuar, ku asgjë nuk i lihet rastësisë, stafi drejtues, falë edhe teknologjisë së avancuar, garanton se ky sezon është tërësisht ndryshe nga ai i mëparshmi.
Për herë të parë, televizioni kombëtar, “Top Channel”, do të sjellë atë çka i kishte munguar, jo vetëm atij, por në tërësi tregut mediatik.
Janë prodhime televizive 100% shqiptare. Bëhet fjalë për serialet televizivë. Do të jenë dy të tilla, që janë në përgatitjet e fundit dhe që shumë shpejt do të transmetohen për publikun shqiptar. Seriali i parë titullohet “Komuna e Parisit”, me regji të Altin Bashës, regjisorit të “Portokalli”. Është një serial, i cili parashikohet të transmetohet diku rreth muajit nëntor, gjatë dy ditëve në javë dhe do të ketë 20 episode. Drejtuesja e programacionit në “Top Channel”, Vjollca Dedei, thotë se ka ende shumë detaje që duhet të përcaktohen, pasi tashmë janë duke u mbyllur xhirimet dhe së shpejti seriali do t´i drejtohet dhomave të montazhit, për të qenë tërësisht gati për transmetim. Në qendër të serialit janë gjashtë të rinj, studentë, tre djem dhe tri vajza, që marrin me qira dy apartamente në një nga pallatet e lagjes “Komuna e Parisit” në kryeqytet. Është një prodhim i ngjashëm me serialin e famshëm “Friends”.
Ngjarjet dhe faktet, por edhe problematika e të rinjve, trajtohen tërësisht në aspektin komik dhe kjo garanton tërheqjen e sigurt të shikuesit.
Pas mbarimit të këtij transmetimi, një tjetër “setcom” do të nisë të prodhohet nga studiot e këtij televizioni.
Në të kundërt, seriali i dytë që do të prezantohet së shpejti nga “Top Channel”, do të ketë natyrë dramatike, që trajton një sërë problemesh. Detajet ende mbahen “sekret”, por sipas drejtueses së programacionit në këtë televizion, ai do të përfshijë 13 episode dhe vjen nën regjinë e Gjergj Xhuvanit. Mësohet se ky serial do të prezantohet për publikun diku nga muaji janar, pasi është ende në fazë xhirimesh.
Për “Top Channel”, serialet “made in Albania” ishin hallka që mungonte në zinxhirin e prodhimeve. “Ne i sollëm publikut shqiptar spektaklet maratonë, formatin “reality show”, “Big Brother”, ndaj vendosëm të kompletonim të gjithë serinë e prodhimeve të një televizioni”.
A ishte një diktim i tregut apo i “etjes” së njohur të shqiptarëve për telenovelat?
Për drejtuesen e departamentit të programacionit, Vjollca Dedei, një prodhim sado i dobët të jetë, kur trajton problemet sociale të vendit, garanton shikueshmëri, duke u pasur nga garancia që të jep një serial. “Në këto prodhime, qoftë edhe në një serial, çdo njeri shikon vetveten, ndihet si pjesë e saj, ndërsa në një serial të huaj e shumta njeriu mund të ëndërrojë t´i ngjajë personazheve kryesorë”, thotë znj. Dedei.
Një tjetër objektiv i arritur nga ky televizion është rritja e kohës së prodhimit.
“Tendenca e ‘Top Channel´ vjen gjithnjë në rritje për orët e prodhimit lokal. Nëse tre vjet më parë kjo tendencë ka qenë në masën 70%, tashmë ajo është në kuotën e 80%. Nisur nga kjo ecuri menduam të nisim edhe një program që tashmë ka nisur të transmetohet “Pasdite në ‘Top Channel´”, i cili i është besuar prezantueses Arbana Osmani”, thotë znj. Dedei. Sipas saj, në orët e pasdites pulti i televizionit është nën komandën e femrave. Ndaj u mendua që ky “rregull” i pashkruar të ndryshohej disi. “Ne menduam të nisim një program, i cili sjell tematikat e jetës së përditshme shqiptare, por nën një këndvështrim disi më të ndryshëm, më social, disi më i ngrohtë, por duke u përpjekur që të tërheqë edhe audiencë mashkullore. Ky program transmetohet nga e hëna deri në të premten dhe nis në orën 18:35. Jemi duke u përpjekur që shikuesi ynë të mësohet me prodhime shqiptare”, thotë drejtuesja e programacionit në këtë televizion.
Programi, nga ana tjetër, ndjek investigime të paraprira nga media, por ofron edhe profile mbi ata që konsiderohen si “celebrity”. Një biografi e figurës, pa u shndërruar në një platformë publiciteti.
Ndërsa në këtë sezon do të mungojnë shfaqjet si, “Ti Vlen”, një tjetër format ia zë vendin. Ai mban emrin e një prej emisioneve të dëgjuara në frekuencat e radios “Një këngë për ty”. Drejtimi i është besuar një vajze spektakli, Huejda El Sajed. Do të jetë ky emër, i cili duke filluar nga data 2 tetor, do të transmetohet çdo të premte në orën 21.00. Është menduar si një garë për fëmijët shqiptarë nga mosha 7 deri në 13 vjeç. “Nuk do të jetë thjesht një konkurrim talentesh, por është parë si një mundësi për të nxjerrë në pah aftësitë e panjohura e të papromovuara më parë e talenteve të reja, si show argëtues me intervista, vallëzime, klipe, çmime, këngëtare të famshëm dhe shumë surpriza. I ftuari, një këngëtar i famshëm që do të këndojë me fëmijët, do të japë edhe çmimin e javës që do të quhet çmimi ‘Vip´”, thotë znj. Dedei.
Ashtu si një vit më parë, ka nisur edhe transmetimi i programit maratonë e “E Diell”, që ndryshe përfshin rubrika të reja, ku ndër më të spikaturat mbetet “Vallëzim me ‘Big Brother´”. Një rubrikë, e cila ka në qendër dy skuadra nga personazhet e dy edicioneve që konkurrojnë në vallëzim, të shoqëruar nga një balerin profesionist.
“Portokalli”, spektakli i preferuar nga audienca shqiptare për vetë veçantinë e tij, do të nisë transmetimet në datë 4 tetor. Agron Llakaj dhe Amarda Toska do të vazhdojnë të jenë drejtuesit. Skenografia do të jetë tërësisht e re. Personazhe të rinj do t´u ofrohen publikut, ndonjë prej figurave të “vjetra” nuk do të jetë më. Megjithatë drejtuesit garantojnë vazhdimësinë e suksesit edhe në këtë sezon të ri.
Ndër formatet ekzistuese, edhe në këtë sezon nuk mungon “Top Show”, nga Alban Dudushi, “Deja vu” nga Mustafa Nano, program i cili ka ndryshuar ditën e transmetimit, në të shtunë, “Rrugëtim” nga Fatos Baxhaku, i xhiruar me teknikën HD, “Fiks Fare”, “Procesi Sportiv”, “Excluzive”, “Extrem”.
Arena politike dhe çështjet më të mprehta të ditës i janë besuar Sokol Ballës në emisionin e tij “Top Story”, ndërsa “Shqip” nga Rudina Xhunga do të jetë më tepër i fokusuar në çështje që kanë në fokus historinë, aspektet sociale, letërsinë etj.
“Big Brother 3” mendohet se do të nisë transmetimin në muajin shkurt të vitit 2010, por edhe për këtë program mendohen surpriza. Shtëpia më e famshme e shqiptarëve për momentin është kthyer në një shesh xhirimi për dy telenovelat që do të transmetohet së shpejti.
TV Klan: Edhe ne, me format “reality”
Për televizionet shqiptare janë formate të rinj, edhe pse në botë kanë vite që korrin sukses. Së fundmi, pjesë e kësaj gare, e cila duket se nuk mbaron aq lehtë, është edhe televizioni kombëtar “Klan”. Nuk thuhen shumë detaje, por ajo që është e sigurt, sipas drejtuesve të këtij televizioni, është se tashmë është siguruar “patenta” amerikane e blerjes dhe se po iu jepet dora e fundit ambienteve që do të mirëpresin tetë djem dhe tetë vajza. Është një format i ngjashëm me “reality show”, “Big Brother”, edhe pse sipas drejtorit të programacionit Albert Dumani, në fokus do të jetë një fabul, e cila do të mbajë në ethe protagonistët. Ende nuk është vendosur se kush do ta prezantojë këtë spektakël, por mendohet se koha e transmetimit do të përkojë me muajin janar të vitit të ardhshëm.
Kjo është risia që ofron ky televizion, ndërsa do të vazhdojë t´i ofrohen formatet që tashmë janë testuar suksesshëm.
“E diela shqiptare” mban edhe në këtë sezon të dytë firmën e Ardit Gjebresë. Transmetimi i parë ka nisur këtë të diel me prezencën edhe të figurave femërore, si Sonila Meço e Balina Bodinaku. “Ky edicion është projekti më i madh dhe më ambicioz i televizionit, i cili kap kohën televizive prej gjashtë orësh transmetim të drejtpërdrejtë. Është një projekt vërtet i kushtueshëm për ekranet shqiptare dhe jo pa qëllim skenografia i është besuar ekspertëve italianë të RAI-t.
Disa nga segmentet e programit janë “Pro & Kundër”, me opinione për një temë të caktuar shoqërore nga të ftuar “vip”, “talk show”, me probleme sociale, ekonomike e kulturore, sport, si edhe parakalimi i këngëtarëve pjesëmarrës në “Kënga Magjike 2009″, një nga ngjarjet muzikore të rëndësishme”, thotë z. Dumani.
Ky sezon do të jetë i treti për spektaklin që ka në fokus talentet e vegjël, “Gjeniu i vogël”. Transmetimi i tij do të nisë në datë 12 tetor, por nuk thuhet ende se kush do të jetë prezantuesi apo prezantuesja e spektaklit. Vjen si një format origjinal nga Pandi Laço, Bledi Laço dhe Adi Hila.
“Protagonistë do të jenë artistët e vegjël, që dinë të këndojnë, apo talentet që interpretojnë ose luajnë një instrument dhe kërcejnë njëkohësisht. “Gjeniu 3” ka si qëllim të prodhoje “show-fëmijë” (artistë të kompletuar). Këtë herë grupmosha e fëmijëve është 7-16 vjeç dhe finalistë do të jenë 25 konkurrentë, të përzgjedhur nga disa audicione në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.
Pas prezantimit të spektaklit “Taxi e rezervuar”, disa vite më parë, Rudina Magjistari është kthyer përsëri te ky ekran. Drejtuesit e “TV Klan” nuk tregojnë detaje se cili emision do t´i besohet asaj, por mësohet se ajo ka paraqitur një platformë për një program pasditeje.
Enkel Demi do të jetë sërish drejtuesi i lojës-show, “Kutia e Fundit”. Drejtori i programacionit në “TV Klan”, thotë se do të nisë transmetimi në datë 12 tetor dhe se këtë herë çmimi do të jetë më i lartë se 10,000 euro. Për Dumanin nuk përjashtohet mundësia që “vipat” shqiptarë të bëhen pjesë e tij, por ende po diskutohen detajet.
“Më shumë dashuri”, edicioni i tretë që mban firmën e regjisores Vera Grabocka, parashikohet që të nisë transmetimet në janar të vitit të ardhshëm në. Seriali, që ka në qendër histori njerëzore, ka prodhuar suksesshëm histori të rralla drame, kuraje, force. Si në edicionet e tjera, prezantimi do t´i besohet Alketa Vejsiut.
Në transmetim do të jetë edhe gjatë këtij sezoni “Histori me Zhurmues”, nga Pandi Laço, si edhe “Blue” nga Bledi Strakosha.
“Opinion”, nga Bledi Fevziu, është një nga emisionet që nuk ka pasur “pushim” të gjatë, për shkak edhe të zhvillimeve politike. Vjen në katër takime, çdo javë, përfshi edhe takimin tradicional të së enjtes mbrëma.
Pas sezonit të mëparshëm, “Njerëz të Humbur” rikthehet për të vazhduar misionin me gazetaren Aida Shtino. Stafi premton të rikthejë të tjerë shqiptarë, që kanë humbur lidhjet me familjarët e tyre.
Një tjetër zhvillim që i është rikthyer këtij televizioni është edhe “Champions League”, një nga ngjarjet më të rëndësishme të futbollit botëror. Gara më e rëndësishme futbollistike transmetohet çdo të martë dhe të mërkurë.
Vizion Plus, “Vallëzo me yjet”
Informacion, spektakël dhe më shumë argëtim. Kjo është ajo që ofron sezoni i ri në “Vizion Plus”. Ashtu si çdo fillim vjeshte, edhe këtë vit, ky ekran do të sjellë programe, që tashmë janë kthyer në traditë, por edhe emocione të reja.
Risia në këtë ekran mban emrin “Të kërcesh me një yll”. Është një blerje me patentë amerikane që në ekranet e njohura njihet me titullin “Dancing with the stars”.
Drejtimi i është besuar prezantueses Alketa Vejsiu, e cila për rreth dy muaj do të jetë e pranishme në këtë ekran, për t´u rikthyer te “Klan” me “Më shumë dashuri”. Një strategji e re, që nuk ka qenë e pranishme më parë tek ekranet shqiptare. Për drejtuesit e këtij televizioni, spektakli cilësohet si një “reality” i veçantë, që sjell personazhet e ekranit “Vip” në një dimension të ri. Me në krah një balerin profesionist do të garojnë me njëri-tjetrin jashtë profilit të tyre dhe vendosja e një çmimi do t´i bëjë këta personazhe me interesantë, dhe pse jo të ndryshëm në të gjitha aspektet. Sipas drejtuesve të “Vizion Plus”, protagonistë të spektaklit do të jenë personazhe të skenës, politikës, ekranit, shoqërisë civile etj. Mendohet të jenë gjithsej 12 netë spektakël me kohëzgjatje 150 minuta dhe do të transmetohet rreth orës 20:45.
Një përmbledhje e përditshme (me pjesë të zgjedhura nga salla e provave) do të transmetohen gjatë orëve të pasdites, ndërsa do të jetë direkt në platformën dixhitale. gjithsej 6 herë në javë, rreth orës 18:30.
Ky televizion ka nisur tashmë transmetimet me programet si, “Kafe Ekspress”, apo me formatin e “Mos e beso po deshe”, që paraqet ngjarje e personazhe të pazakonta nga vendi dhe bota.
Për të tretin vit radhazi, Arian çani, me “Zonë e lirë”, ka nisur transmetimin të premten mbrëma, në orën 21:00. Pa ndryshuar formatin argëtues, ai premton edhe në këtë sezon “emocione të lira”.
As Agim Bajko nuk mund t´i mungojnë sezonit të ri. “Relalsi” shpotitës i së dielës është kthyer tashme në traditë. Humoristi i njohur i ekranit shqiptar premton të sjellë përmes batutës së hollë lajmin e ditës në një tjetër këndvështrim, ku ndërthuren serioziteti, ironia dhe humori.
Në “Vizion Plus” është rikthyer edhe hapësira kushtuar artit dhe kulturës. “Chic”, i Fjodora Fjorës, ka zbuluar tashmë për publikun studion e re, si dhe surprizat që do të rezervojë programi për sezonin në vijim.
Departamenti i informacionit në “Vizion Plus” është shoqëruar gjithashtu me risi.
“Zip”, i Rezear Xhaxhiut dhe Jonida Shehut, do të nisë si zakonisht ditën informative.
Si për hir të konkurrencës, por edhe për t´i dhënë më shumë hapësirë pjesës investiguese, edicioni i lajmeve është parashikuar të jetë në orën 19:00, për t´ia lënë vendin më pas emisionit politik të Mero Bazes, “Faktori Plus”.
Sportit dhe dashamirësve të tij do t´i kushtohet këtë sezon një hapësirë e veçantë, në një format që do të mbyllë javën.
Kronika, gola, rastet e diskutueshme, incidentet në fushat sportive dhe qëndrimet mbi to, parashikime dhe vlerësime, komente dhe intervista me protagonistët e ndeshjeve, si brenda dhe jashtë vendit.
“Zonë e ndaluar”, emisioni i Andi Bushatit, ky sezon e gjen në ekranin e “Vizion Plus”.
Është një program që do të hedhë dritë mbi ngjarjet aktuale, në pikat e tyre më të errëta.
Loja “Mos u nxeh” do të rikthehet për shikuesit në fillim të muajit tetor. Në këtë edicion të dytë, ndryshe nga i pari, lojtarët do të jenë njerëz të thjeshtë. Zgjedhja e drejtuesve të departamentit të prodhimit ishte e tillë për t´i dhënë më shumë hapësirë lojës. Programi është menduar të shtrihet edhe në ambientet e jashtme të studiove, për t´i dhënë më shumë impuls lojës.
Sipas departamentit të produksionit nuk do të mungojnë as prodhimet e njohura të kinematografisë botërore, si dhe telenovelat e studiove prestigjioze, realizime të viteve të fundit.
“Histori dashurie” do të jetë në edicionin e dytë për këtë vit. Aktualisht janë në transmetim pjesët më të bukura të këtij programi, por më pas do të vijnë për shikuesit histori të reja. Komunikimi me publikun shqiptar do të jetë në një tjetër nivel, të panjohur deri më tani, duke nisur nga fokusi i tij kryesor, mënyra gazetareske e trajtimit të tij, si edhe elementët e pasur artistikë të spektaklit si muzika dhe baleti. Përmes trajtimit të historive reale dhe të vërteta të dashurisë, ky produkt jep mesazhe edukuese, paqeje, faljeje, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi.
Audienca, me matje “primitive
Është vështirë që në Shqipëri të funksionojë një sistem shkencor matës për audiencën. Herë pas here, televizionet për të parë ecurinë dhe shikueshmërinë e një programi, përdorin forma të thjeshta, si telefonatat apo edhe pyetësorët.
çdo televizion në Shqipëri vuan mungesën e një institucioni, i cili të shërbejë si një matës i vërtetë dhe kjo e vështirëson jo vetëm krijimin e raporteve statistikore, por edhe treguesit se si duhet të ecet në lidhje me marketingun, por dhe me prodhimtarinë.
Gati të tre televizionet kryesore në vend, me përzgjedhjen e formateve të reja, kanë synuar përfshirjen e një grupi të synuar të gjerë. Jo vetëm të rriturit shikohen si një objektiv tërheqës, por edhe fëmijët. Për këta të fundit gara nuk dikton vetëm zgjedhjen e filmave vizatimorë të fundit, por edhe emisione që i përfshijnë drejtpërdrejtë.
“Top Channel”, së shpejti, do të promovojë blerjen e serialit vizatimor “Pinguinët e Madagaskarit”, ndërsa “Vizion Plus”, serinë e re me klubin e “Winksave”.
Janë pikërisht matjet që tregojnë prirjet e audiencës. Janë këto të dhëna, që në të shumtën e rasteve sigurohen në rrugë primitive, që tregojnë se cilat janë shijet e publikut, por edhe se çfarë formatesh duhet të blejnë apo të prodhojnë televizionet. “Me anë të matjeve do të kuptonim se cilat janë oraret më të mira, për të gjitha moshat dhe gjininë. Mbi këtë bazë do të përcaktoheshin më drejt transmetimet e programeve, por edhe lëvizjet e marketingut”, thotë drejtoresha e programacionit pranë “Top Channel”. Sipas saj, çdo televizion mund të pretendojë se me anë të programeve të tij ka thithur shikueshmërinë më të lartë, por askush nuk e ka matur realisht audiencën.
Me matjen e kulmit të shikueshmërisë do të zhvillohej edhe më mirë marketingu, pasi emisioni me shikueshmërinë më të lartë do të kishte çmimet më të larta. Në këtë mënyrë, biznesi do të prirej të përfitonte vëmendjen më të lartë nga audienca.
Nga ana tjetër, sipas drejtorit të programacionit në televizionin “Klan”, Albert Dumani, strategjia për të thithur audiencën ka bërë që televizioni të prodhojë programe që përfshijnë të gjitha grupmoshat. Ai thotë se mungesa e matjes së audiencës ndikon edhe në blerjen jashtë të programeve, pasi kompanitë e huaja nuk e konceptojnë dot këtë mungesë që i bëhet e ditur gjatë kontratave të blerjes së programeve.
Tri oraret e konkurrencës
Gara mes tre televizioneve kryesore, “Top Channel”, “Tv Klan” dhe “Vizion Plus”, nis e ashpër që në fashën e orarit të mëngjesit. Nga ora 7:00 deri në orën 9:00,
“Wake up” “Aldo Morning Show” dhe “Zip” janë programet që kërkojnë audiencën e orëve të para të mëngjesit.
Gara spostohet akoma më fort ditën e diel, ku “Top Channel” transmeton “E diell” dhe “TV Klan”, “E diela shqiptare”.
Politika gjithashtu gjeneron konkurrencë kryesisht ditën e enjte, ku nga njëra anë është Blendi Fevziu me “Opinion” dhe nga ana tjetër, Sokol Balla me “Top Story”. Nga televizionet, konkurrenca shikohet si një formë që të çon përpara.
Edicioni lajmeve i orës 19:00-19:30 është gjithashtu një arenë e fortë “lufte”. “Top Channel” dhe “Klan” ndajnë kohën e tyre, ndërsa “Vizoni” këtë herë do të jetë i pranishëm me edicionin qendror në orën 19:00
Është një konkurrencë në rritje dhe kjo vihet re nga sezoni në sezon. Shtimi i numrit të formateve dhe i orëve të transmetimit i dedikohet pikërisht kësaj rritjeje. Investimet që kryhen i dedikohen pikërisht konkurrencës.
Ky element i të bërit televizion nuk përqendrohet vetëm te prodhimi, por edhe te marketingu. çmimet e spoteve, që shpesh luhaten ndjeshëm sa nga një televizion te tjetri, nxjerrin në pah dallimet mes ekraneve të vegjël.
Reklamat, ndikimi që erdhi nga kriza
Kriza financiare duket se ka dhënë efektet e saj. Në tre muajt e fundit, televizionet duket se kanë ndjerë atë që njihet si efekti “shkurtim shpenzimesh”. Sipas drejtuesve të marketingut, në këto televizione, është vënë re një ulje e kohës së reklamimit nga bizneset. Sipërmarrjet kanë kërkuar të jenë të pranishmëm me një numër më të ulët të spoteve në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Situata mendohet se do të vijë duke u përmirësuar nga fundi i vitit, që konsiderohet edhe periudha kur nis “lulëzimi” i fushatave publicitare.
Po a i mbulojnë shpenzimet, spektaklet dhe emisionet e ndryshme që transmetohen?
Sipas drejtuesve të programacionit, por edhe ata të marketingut, kostoja e tyre jo vetëm mbulohet, por të ardhurat janë pak më lart se ky nivel. Ata shprehen se, nëse reklamat nuk do ta mbulonin këtë kosto, atëherë prodhimi i tyre do të vështirësohej.
Në programe të ndryshme, numri i ndërprerjeve publicitare është pothuajse i njëjtë me një vit më parë, ndërsa në disa të tjera është rritur.
Ajo që mund të thuhet me siguri të plotë është fakti se janë çmimet që nga sezoni në sezon kanë pësuar rritje të ndjeshme, si gjatë programeve ashtu edhe në fashat e orareve të edicioneve informative ose më saktë në ato fasha që njihen si “prime time”.
Spektakli me çmimin më të lartë konsiderohet “Portokalli” në “Top Channel”, ku çmimi për spot 30 sekonda ka pësuar rritje me rreth 20% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nëse vitin e kaluar, një spot 30 sekonda në “Portokalli”, në kohën më të mirë të tij kushtonte 150,000 lekë, tashmë ky çmim llogaritet në rreth 180,000 lekë.
“Opinion” rezulton të ketë po të njëjtën tarifë, si një vit më parë, 90,000 lekë për 30 sekonda spot.
Rritje të ndjeshme, sipas të dhënave zyrtare të televizioneve, ka pësuar në reklamim edhe emisioni “Zonë e Lirë”, ku 30 sekonda spot publicitar tashmë kushtojnë 138,000 lekë, pra me një rritje 12.6% në krahasim me një vit më parë.
Në “TV Klan”, programi “E diela shqiptare” llogarit një çmim reklamues më të lartë se në edicionin e parë, me rreth 15%, ku një spot 30 sekonda kushton 69,000 lekë.
“E diell”, në “Top Channel”, për këtë sezon, ka një ulje me rreth 12.5% të çmimit për 30 sekonda spot publicitar. çmimi aktual llogaritet në 63,000 lekë nga 72,000 lekë që ishte një vit më parë.
Nuk janë vetëm programet që kanë pësuar këtë rritje çmimesh, por edhe spotet publicitare në fashën e orarit transmetues të lajmeve. Kështu, në të tria këto televizione, fillimi i edicionit qendror informativ është koha kur shënon edhe çmimin më të lartë, për shkak të rritjes së audiencës.
Në televizionin kombëtar “Top Channel”, orari 19:30 llogarit si çmim për 30 sekonda publicitet shumën prej 54,000 lekësh, ndërsa deri në fund të vitit parashikohet që ky çmim të llogaritet në 57,000 lekë.
Në televizionin kombëtar “Klan”, e njëjta kohë reklamuese kushton 39,000 lekë.
Në televizionin lokal “Vizion Plus”, për fashën e orarit të edicionit të lajmeve (19:00)
reklamimi për 30 sekonda spot publicitar kushton 345 euro (me një kurs mesatar 130 lekë) kjo shumë llogaritet në rreth 45,000.
Sipas ekspertëve, tendencat e reklamave nuk diktohen nga kërkimet në treg, por në bazë klientele.
Ajo që vihet re nga drejtuesit e departamenteve të marketingut është fakti se bizneset e vogla dhe të mesme po reklamojnë më pak, ndërsa klientët më të besuar mbeten bankat, telefonia celulare apo edhe sipërmarrjet e mëdha prodhuese.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.