Nëse më parë ju vinte kontroll në dyqan dhe evidentoheshin persona të papaguar të familjes mbi 16 vjeç, personi fizik duhet të vërtetonte brenda pesë ditësh së personi në fjalë i përkiste familjes. Tashmë kjo procedurë është lehtësuar.
Tatimet njoftojnë se në bazë të ndryshimeve të fundit të ligjit të procedurave tatimore, në rast se nga kontrolli në ambientet e biznesit të tatimpaguesit person fizik, evidentohen persona të papaguar të familjes mbi 16 vjeç, atëherë vetë organi tatimor vërteton përmes portalit “e-Albania”, nëpërmjet certifikatës familjare të të vetëpunësuarit, nëse personi i evidentuar plotëson ose jo kushtet për t’u konsideruar si person i papaguar i familjes apo si bashkëjetues, sipas kuptimit të Kodit Civil.
Në këtë mënyrë, është hequr detyrimi i personit fizik që të vërtetojë pranë organit tatimor brenda 5 ditësh, se personi i evidentuar në vendin e aktivitetit është person i papaguar i familjes.
Ky ndryshim është një nga efektet e drejtëpërdrejta pozitive të ofrimit të shërbimeve online dhe të qarkullimit elektronik të informacionit, brenda institucioneve të administratës publike
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.