Në përpjekje për të përmirësuar komunikimin me biznesin, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur të ekzaminojë perceptimin e biznesit mbi shërbimet tatimore nëpërmjet anketave dhe pyetësorëve që i drejtohen biznesit. Një anketë po bëhet nëse biznesi preferon të marrë shërbime nëpërmjet Call Center dhe një pyetësor është shpërndarë për të testuar cilësinë e shërbimeve tatimore, komunikimin me inspektorët dhe çfarë mendojnë bizneset për nivelin përgatitor të punonjësve tatimorë.
Të dy anketat janë në proces, teksa shihet se më shumë se 60 për qind e bizneseve preferojnë të marrin shërbime me Call Center.
Kjo qasje e tatimeve ndaj biznesit po vjen pas defekteve që shfaqi aksioni i fazës së parë antiinformalitet që u zhvillua në terren gjatë vitit të kaluar. Kthimi i marrëdhënieve në normalitet po testohet duke pyetur bizneset.
Mirëpo anketa të tilla kanë bërë organizata të tjera në vend dhe tashmë ka plot studime që tregojnë perceptimet e biznesit për shërbimet tatimore.
Këshilli i Investimeve që funksionon si një platformë e ngritur nga autoritetet shqiptare me mbështetjen e BERZH-it për të rritur dialogun midis qeverisë dhe sektorit privat, më herët këtë vit bëri një studim shkencor për përmirësimin e procesit të kontrollit tatimor.
Pas studimit, Këshilli i Investimeve i propozoi administratës tatimore që të emërojë inspektorë tatimorë të specializuar bazuar në profilin e tatimpaguesit (tatimpagues të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj) dhe sipas specifikave sektoriale.
Gjithashtu Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet të rrisë kapacitetet në analizën ligjore dhe të unifikojnë praktikat e tyre, sikurse edhe të reflektojnë vendimet përfundimtare të Gjykatave për çështje të ngjashme.
Tatimeve u është sugjeruar të publikojnë më shpejt raportet vjetore dhe vendimet e DPT si një mënyrë për rritjen e standardeve të transparencës me publikun. Stabilizimi i paketës fiskale dhe procedurave tatimore brenda një afati të mesëm kohor nëpërmjet konsultimeve publike, në mënyrë që të projektohet siç duhet dhe në kohë nga bizneset në planet e tyre të investimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.