Tatimet kanë prezantuar edhe një rrugë të re komunikimi me tatimpaguesit. Për herë të parë, çdo vizitë në ambientet e tatimpaguesit do të mbështetet nga një formular i ri, i quajtur “Formulari i vizitës tek tatimpaguesi”, i miratuar së fundmi nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve.
Përmes këtij dokumenti pritet të formalizohet çdo dialog midis inspektorëve të shërbimit dhe tatimpaguesve.
Ky dokument, që ngjason me një pyetësor, trajton çështje të tilla si të drejtat e tatimpaguesve, deklarimet tatimore, legjislacionin, shërbimin ndaj tatimpaguesve, si dhe procedurat që kanë të bëjnë me kontrollet, mbledhjen me forcë të detyrimeve, etj.
Administrata Tatimore bën të ditur se sipas së drejtës për informim dhe asistencë që rrjedh nga Ligji i Procedurave Tatimore, çdo tatimpagues ka të drejtën që, me qëllim kuptimin dhe zbatimin e legjislacionit tatimor, të marrë informacion dhe të asistohet pa shpërblim nga administrata tatimore.
Brenda strukturës së administratës tatimore janë ngritur strukturat përgjegjëse për shërbimin e tatimpaguesve, si dhe është bërë efektiv komunikimi me anë të Qendrës së Thirrjes, përfshirë atë live-chat.
Rrjeti i shërbimit ndaj tatimpaguesve është funksional në të gjithë sportelet e Drejtorive Rajonale Tatimore dhe shtrihet në të gjithë territorin e vendit.
Përtej këtij organizimi strukturor e funksional të deritanishëm, një mënyrë e re shërbimi do të ofrohet për të gjithë tatimpaguesit, kudo që ata ndodhen.
Për herë të parë, Administrata Tatimore do të ofrojë shërbimin e saj, jo vetëm në sportelet e ambienteve zyrtare, por edhe në vendin e ushtrimit të veprimtarisë së tatimpaguesve.
Tatimpaguesit e regjistruar rishtazi do të jenë përfituesit e parë të këtij shërbimi të ri, që do të zgjerohet në një rreth gjithëpërfshirës për çdo problematikë me të cilën ata mund të përballen.
Një dialog i hapur midis punonjësve tanë të shërbimit dhe tatimpaguesve, pritet të nxitet nga kjo mënyrë e re të vepruari.
Çdo tatimpagues ka mundësi të njihet paraprakisht me këtë guidë të plotë informuese duke vizituar faqen zyrtare të tatimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.