Në fillim të javës së ardhshme, Ministria e Financave do të zhvillojë ankandin e dytë të obligacioneve me maturim 15 vjeçar. Ky ankand mund të jetë një mundësi e mirë për investitorët që synojnë instrumentet afatgjata, në një periudhë kur normat e interesit po rriten me ritme të shpejta.
Shuma e planifikuar e huamarrjes nëpërmjet këtij ankandi do të jetë 1 miliardë lekë, megjithatë rregullat i lejojnë Ministrisë së Financave ta rrisë shumën e pranuar deri në 15% të asaj të shpallur paraprakisht. Ndërkohë, në muajin nëntor të këtij viti Ministria e Financave ka planifikuar të zhvillojë edhe një rihapje të ankandit, për të njëjtën shumë të shpallur, prej 1 miliardë lekësh.
Kuponi indikativ i dhënë nga Ministria e Financave para zhvillimit të ankandit është 7.5%. Megjithatë, duke parë rezultatet e ankandeve të javëve të fundit me shumë të ngjarë kuponi i obligacionit, që përfaqëson edhe kthimin fiks për investitorët, do të rezultojë më i lartë. kuponi përfundimtar në ankandet e obligacioneve është i barabartë me yield-in maksimal të pranuar të ankandit dhe zbatohet në mënyrë uniforme për të gjithë pjesëmarrësit fitues.
Në ankandin e obligacioneve me maturim 7-vjeçar, që u zhvillua javën e kaluar, kuponi rezultoi 6.9%. Duke pasur parasysh se afati i maturimit në këtë rast është shumë më i gjatë, çmimi i kërkuar nga investitorët ka të ngjarë do të rezultojë ndjeshëm sipër vlerës së kuponit indikativ të sugjeruar nga Ministria e Financave.
Obligacionet 15-vjeçare janë titujt e borxhit më afatgjatë të emetuara ndonjëherë nga qeveria shqiptare dhe u emetuan për herë të parë në nëntor 2021. Ankandi i nëntorit 2021 kishte qëllim testimin e tregut, që reagoi mjaft pozitivisht. Nga një miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur e obligacioneve për shitje, në ankand u paraqitën kërkesa totale me vlerë mbi katër herë më të lartë, gjithsej 4.295 miliardë lekë, ndërsa kuponi i obligacionit rezultoi 5.88%.
Ministria e Financave vendosi ta rriste vlerën e obligacioneve të shitura edhe me 150 milionë Lekë të tjera, për një huamarrje totale prej 1.15 miliardë lekësh.
Kërkesa e lartë që shfaq tregu e nxiti Ministrinë e Financave të organizonte dhe një rihapje të këtij ankandi, në muajin shkurt të këtij viti. Në rihapjen e muajit shkurt, nga dy miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur e obligacioneve për shitje, në ankand u paraqitën kërkesa totale me vlerë 3.44 miliardë lekë. Në ankand u paraqitën 64 kërkesa konkurruese, nga të cilat u pranuan 41 të tilla. Yield-i i obligacionit rezultoi në nivelin 5.84%. Ministria e Financave vendosi sërish të pranonte kërkesa për shumë maksimale që i lejon kuadri ligjor i huamarrjes, në gjithsej 2.3 miliardë lekë.
Në muajin maj, Ministria e Financave zhvilloi edhe rihapjen e dytë të ankandit të obligacioneve 15 vjeçare. Por, rihapja e dytë dëshmoi se kushtet e tregut kanë ndryshuar ndjeshëm pas shpërthimit të luftës në Ukrainë dhe rritjes së shpejtë të inflacionit.
Në këtë ankand u vërejt shtrëngim i ndjeshëm të kërkesës së investitorëve dhe një rritje të fortë të normave të interesit. Yield-i mesatar i ankandit rezultoi 6.9%, në rritje të ndjeshme nga yield-i prej 5.84% i rihapjes së parë që ishte zhvilluar në muajin shkurt dhe 5.88% që kishte yield-i i ankandit të parë të këtyre obligacioneve.
Nga 2 miliardë lekë që ishte vlera e obligacioneve të nxjerra në shtije nga Ministria e Financave, në ankand u paraqitën kërkesa totale në vlerën e më pak se 1.27 miliardë lekëve. Për shkak të yield-eve të larta të kërkuara, Ministria e Financave përfundimisht vendosi të pranonte kërkesa për një shumë totale prej vetëm 785 milionë lekësh./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.